Dhjetë vjet pas kanonizimit, Nënë Tereza mbetet ajo që ishte në thelb, një Shenjte ikonë e dhemshurisë

Më 4 shtator të vitit 2016, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan ishte në qendër të vëmendjes së botës. Para mijëra e mijëra besimtarëve dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme, Papa Françesku shpalli Nënë Terezën e Kalkutës Shenjte të Kishës Katolike Universale.

Kanonizimi i Nënë Terzës ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë për Kishën, për të varfrit e Indisë e të botës, por edhe një moment i paharrueshëm për shqiptarët. Një grua me origjinë shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, e lindur në Shkup më 26 gusht 1910, pas një jete kushtuar më të varfërve dhe më të braktisurve, merrte kështu njohjen më të lartë shpirtërore të Kishës Katolike.

Sot, dhjetë vjet pas atij 4 shtatori, figura e Shenjtës Nënë Terezë vazhdon të ketë një prani të jashtëzakonshme në Kishë, në kujtesën ndërkombëtare dhe shqiptare. Nënë Tereza është një nga ato figura që tejkalojnë kohën, kufijtë dhe përkatësitë. Ajo u bë e njohur në Indi, u nderua në Azi, Evropë, Amerikë e në shumë vende tjera të botës, por nuk e harroi kurrë prejardhjen e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane; për nga feja, jam motër rregulltare katolike; sipas thirrjes, i përkas botës; por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo fjali përmbledh në mënyrë të jashtëzakonshme identitetin e saj: rrënjë shqiptare, fenë në Zotin, përvojën misionare në Indi dhe misionin e bamirësisë universale.

Nga një familje shqiptare Bojaxhiu në Shkup, rruga e saj e çoi drejt Indisë, ku do të ndërtonte një prej veprave më të njohura të bamirësisë në shekullin XX. Në vitin 1950 Mënë Tereza themeloi Motrat Misionare të Bamirësisë dhe ia kushtoi jetën atyre që jetonin në skajet e shoqërisë: të varfërve, të sëmurëve, fëmijëve të braktisur dhe njerëzve që nuk kishin më askënd pranë.

Por rëndësia e Nënë Terezës nuk qëndron vetëm te veprimtaria e saj të bamirësisë e shërbimit ndaj më të varfëve. Ajo ndryshoi mënyrën se si bota e shihte njeriun e varfër dhe mënjanuar.

Në një kohë kur zhvillimi, modernizimi dhe qytetërimi mateshin gjithnjë e më shumë me suksesin ekonomik e jo vetëm, Nënë Tereza solli në qendër të vëmendjes dinjitetin e njeriut të fundit, atij që nuk kishte zë, shëndet, dinjitet, pasuri apo pushtet.

Nënë Tereza nuk premtoi të ndryshonte gjithë botën. Ajo filloi nga njeriu i varfër që kishte përpara.

Një i sëmurë.
Një fëmijë.
Një i moshuar.
Një njeri i braktisur.

Dhe pikërisht kjo e bëri shërbimin dhe dëshminë e saj universale. Nënë Tereza e kuptoi se humanizmi nuk fillon gjithmonë me projekte të mëdha. Shpesh fillon me një gjest të thjeshtë e të vogël: të mos kalosh indiferent pranë vuajtjes së tjetrit.

Për këtë arsye, dhjetë vjet pas kanonizimit, figura e Nënë Terezës mbetet e lidhur jo vetëm me fenë në Zotin, por edhe me kulturën e bamirësisë, me kujtesës, me historinë shqiptare dhe me një ide universale të solidaritetit njerëzor.

Për shqiptarët, ajo është një prej figurave më të njohura që ka dalë nga gjiri i këtij populli dhe që ka fituar një dimension botëror. Emri i saj është bërë pjesë e kujtesës kombëtare, i pranishëm në libra, shkolla, sheshe, institucione dhe monumente.

Por trashëgimia e saj nuk duhet të reduktohet vetëm në krenarinë se “ishte shqiptare”. Vlera e saj qëndron pikërisht në atë që bëri me identitetin e saj: nuk e mbylli në vetvete, por e ktheu në një urë drejt botës.

Ajo mbeti motër rregulltare shqiptare duke u bërë njëkohësisht qytetare shpirtërore e gjithë njerëzimit.

Dhjetëvjetori i kanonizimit është, pra, është një rast i mirë për ta parë Nënë Terezën jo vetëm si një shenjte, por edhe si një figurë që na mëson dashurinë përmes gjesteve konkrete të jetës së përditshme.

Më 4 shtator 2016, Kisha katolike e shpalli shenjte. Por historia e saj kishte kohë që i kishte kapërcyer kufijtë e një vendi, të një kontinenti dhe madje të një epoke.

Dhjetë vjet pas kanonizimit, Nënë Tereza mbetet ajo që ishte në thelb: një emër shqiptar, një figurë botërore e dhembshurisë dhe një kujtesë e gjallë se përballë vuajtjes njerëzore, indiferenca nuk mund të jetë përgjigjja, por Dashuria deri në dhimbje.

Shenjtja Nënë Terezë, bijë e popullit shqiptar,
lutu për ne!

Vatican News

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?