Kafja e mëngjesit
Nga Ilir Levonja/ Sapo i pashë ndjeva një fërgëllimë. E kam lllafin për kafen mes Majkos dhe Bashës.
Rruga ku duhej të kalonte Shqipëria, ishte një aleancë politike midis PD-ës dhe Ps-ës. Ndofta kjo më herët. Qysh atëhere kur nga një kafe familjare, Berisha u tha shqiptarëve se aleancën me LSI-in po e bënte për interesa kombëtare. Çfarë ishte thënë deri atë çast, i përkiste retorikës së fushatave.
Në fakt në botën perëndimore. Në vendet me demokraci të konsoliduar premtimet e fushatës janë testi më i parë. I mendësisë qeverisëse karshi interesit social. Tek ne shpesh, ky interes shihet në sipëroritet. Ndaj e quajnë interes kombëtar. Por nuk është asesi i tillë. Kjo është arsyeja që në gjithë kohën e plotë të aleancës qeverisëse PD dhe LSI…, gjithë skandalet publike kishin një origjinë. Atë të sektorit të LSI-is. Mjafton tu kujtojmë fenomenin Prifti me kamerat e fshehta. Shkumosjen dhe xhindosjen e PD-ës për t’i mbuluar. Veprime që sollën 21 janarin famëkeq etj. Shto edhe performancën e ulët qeverisëse të atij koalicioni.
Megjithatë PD-ja e zotuar në një luftë kundër bllokmenëve. Apo bllokmenzimit shqiptar. Ballkonit ku nëmej pragmatizmi, u bë një tillë më shumë se kurrë më parë. Luftonte, sakrifikonte, nëpërkëmbte vetëm e vetëm të mbante pushtetit. Mirëpo një mesoburrë me xhaket në sup, i tha me kollajllëk, mirupafshin. Po shkoj nga krahu tjetër.
Të njëjtën marrëzi (jo gabim apo faj) po e bën edhe PS-ja sot. Duke u sforcuar, sfilitur, spërdredhur si e si të qëndrojë në pushtet. Edhe pse skandalet e mëdha kanë prapë të njëjtën origjinë. Madje për shkak të saj ka lindur edhe një konkurencë e ashpër brenda llojit. Duke konkluduar me një luftë qokash, tepër të ashpra. Bllokuese po e po, por edhe diktuese. Shembulli më i mirë janë Balilët e Delvinës të cilët policia e shtetit e quan kapjen e tyre një sukses të radhës. Jo, ore jo…, sikur mos të kishte bërtitur Asfalia greke, ne nuk kishim për tu ndier kurrë. Sepse na kanë mbërthyer nga poshtë.
LSI-ja nuk është shpëtimi i shqiptarëve. Por sëmundja e shoqërisë së tyre. Një Parti teknicienësh që nuk marrin haraçin . Një Parti manovruesish si e si të uzurpojnë poste drejtuese. Mundësisht aty ku lëvrohen fonde. Duke i lënë forcat që janë fryma e shqiptarëve, ato të PD-ës dhe PS-ës, zgafella ideollogjike të gjoja persekutimit shoqëror. Dhe nomeklaturës apo diktaturës së proletariatit.
Ndaj progresi është kthyer në regres. Ndaj shqiptari demokrat dhe shqiptari socialist, janë sot në një luftë të ashpër. Dhe i përgjigjen njëri-tjetrit vetëm intriga. Dhe aspak bashkëpunim dobiprurës për interesin faktit të një vendi.
Unë i kam mëshuar gjithmonë faktit kohor. I ka ardhur prej kohësh, koha. Eshtë pikërisht momenti kyç, i duhuri, ku shqiptarët duhet të kuvendojnë në një pakt të madh historik. Mjafton t’i njohin njëri-tjetrit mëkatet. Për shkak se e vërteta dhe realiteti kombëtar kalon përmes një devijimi të madh. Janë përdhosur humanistët dhe janë nderuar xhelatët me idelollogjitë e tyre. Dhe ne kemi shembuj me shumicë. Duhet pra të bashkëpunojmë. Mjafton të mos e konsiderojnë pushtetin si absolutizëm. Dhe veten ta papërfshirë në zhvillimin kombëtar. Vetëm e vetëm pse do bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Duke bjerrur karriket e interesaxhinjëve.
Eshtë historia jonë që na detyron këtë moment. Ne kemi bërë dëshmorë pijanecër. Ashtu sikur kemi bërë pushtetarë absolut në emër të persekutimit.
Ndofta është kjo arsyja që minjtë e gjirizit shqiptar kanë zënë të lëvrijnë vetëm nga një kafe. Nga një bisedë kokë më kokë e Majkos me Bashën. Të atij gjirizi që edhe pse mburren me fjalën publiçistike të…, përshembull Branko Merxhanit. E kanë fëlliqur në kokë prej kohësh.
Duhet të takohen më shpesh këta. Më shumë mëngjese me kafe.
Sado që ca firoma bërtasin. Shqiptarët në vetvete ndjejnë fërgëllimën e paqes. Kjo është e ardhmja e duhur.