Kryebashkiaku i Selenicës, Bellaj: Kemi ujë të kripur në Vërmik e Bashaj! Rama hedh batutë: Deti në majë të malit
Në festivalin ”Vajza Fest” në Selenicë, që sonte kishte natën e parë, diskutimi për bukuritë e Labërisë u shoqërua edhe me një moment ironie mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Selenicës, Nertil Bellaj. Gjatë fjalës së tij, Bellaj vlerësoi pasuritë natyrore të zonës, duke përmendur Amantian, Ujëvarën e Rasalit dhe Urën e Bratit. Por ai solli në vëmendje edhe një tjetër “pasuri” të pazakontë: sipas tij në zonat e Vërmikut dhe Bashajt është gjetur ujë i kripur.
“Kryeministër, në fund kemi nxjerrë edhe ujë deti këtu”, u shpreh Bellaj, duke shtuar se bashkia që drejton kishte bërë përpjekje për t’u rritur e zhvilluar gjatë mandatit të tij. Deklarata u shoqërua me një reagim ironik nga kryeministri Rama. Duke marrë fjalën pas tij, Rama e falënderoi Bellajn për informacionin që nënkuptonte “vajtjen e detit në majë të malit”. “Dua ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur bashkë”, tha Rama.
Në sfondin e këtij shkëmbimi qëndron edhe debati për reformën e re territoriale. Sipas propozimit të Partisë Socialiste, Bashkia Selenicë parashikohet të shkrihet me Bashkinë Vlorë, një ide që Bellaj e ka kundërshtuar publikisht.
Kryebashkiaku la të hapur të ardhmen e bashkisë që drejton, duke thënë: ”Ne jemi munduar që ashtu siç e ka famën të madhe Labëria, të madhe ta bëjmë bashkinë tonë. Pastaj të shikojmë si do shkojnë gjërat”. Në fund, Rama përshëndeti edhe ministrin e Pushtetit Vendor, duke e lidhur praninë e tij me monitorimin e funksionimit të Bashkisë Selenicë.
KOHA JONË SONDAZH

