Pas lirimit në protestë, Arben Kola: Arrestimi me urdhër të Ramës, regjimi është i tmerruar
Aktivisti dhe bashkë-organizatori i protestës, Arben Kola u lirua pas 72 orësh qëndrimi në qeli së bashku me 13 protestues të tjerë, ka reaguar publikisht pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që e konsideroi të paligjshëm arrestimin e tyre.
Në fjalën e mbajtur përpara protestuesve të mbledhur, Kola e cilësoi ndalimin e tij si një veprim me prapavijë politike. Sipas tij, mënyra e reagimit të strukturave të rendit ndaj protestuesve tregon frikën e pushtetit përballë pakënaqësisë qytetare.
“Regjimi është i tmerruar, siç e keni parë! Rama ka edhe ca ‘djaj’ dhe ata fshihen diku mes policisë dhe herë pas here mes prokurorisë. Arrestimi i aktivistëve, përfshirë mua, ishte një arrestim politik me urdhër nga Edi Rama”, deklaroi Kola.
Aktivisti vijoi me kritikat ndaj drejtuesve të policisë që morën pjesë në shoqërimin e protestuesve, si dhe ndaj prokurorëve që kërkuan vijimin e masës së arrestit. Kola i akuzoi këta të fundit për veprime që, sipas tij, dëshmojnë mungesë profesionalizmi dhe e konsideroi ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë si një tjetër tregues të mënyrës se si u trajtua çështja.
“Ishte një arrestim me zbatim të vobektë nga disa shefa policie dhe, për turpin e qeverisë, edhe disa prokurorë ishin bërë palë pasi ishin analfabetë”, u shpreh ai në përfundim të reagimit të tij.
KOHA JONË SONDAZH

