Home Aktualitet NATO 73-vjeça...

NATO 73-vjeçare por më vitale, Shqipëria edhe më e përkushtuar pas 13 vjetësh

23
0

Nga *Gjeneral Piro Ahmetaj

4 Prilli 2022 shënon 73 vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Strategu i Luftës II-të Botërore, Komandant i parë i NATO-s, Presidenti i Sh.B.A, Gjeneral * Dwight D. Eisenhower, 73 vjet më parë, e projektoi Aleancën Transatlantike si “instrument politiko-ushtarak për garantimin e paprekshmërisë territoriale të vendeve anëtare” në përballjen me ish-BRSS, etj duke hedhur kështu themelet e Aleancës më të fuqishme dhe me të suksesshme në historinë e njerëzimit në mbrojtje të paqes, lirisë, interesave gjeopolitike dhe vlerave të demokracisë perëndimore.

Sot, pas 73 vjetëve, NATO jo vetëm ka përmbushur misionin e ruajtjes së paprekshmërisë të sovranitetit teritorial të vendeve anëtare, por ka shërbyer edhe si një mekanizëm i suksesshëm i paqes, ndërtimit të mirëbesimit dhe bashkëpunimit reciprok mes vendeve, rajoneve dhe kontineteve.

Zhvillimet e pas viteve 1990, shkërmoqja e ish-BRSS, Traktatit të Varshavës dhe ndryshimet e mjedisit të sigurisë, “imponuan” që NATO t’i rrisë ambiciet dhe të rikonfirmohet si “model suksesi” për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Kështu, NATO “mbijetoi” edhe nëpërmjet një procesi transformimesh të strategjisë, strukturave, infrastrukturës, modernizimit si dhe bashkëpunimit me vendet anëtare dhe jo-anëtarë, etj.

Një ndër projektet themelore të këtij suksesi është politika e “Dyerve të Hapura” [Open Door Policy] e cila ka shërbyer edhe si derë dhe garanci e shtuar për demokratizimin dhe integrimin në BE të vendeve të lindjes ish komuniste. Konkretisht NATO nga 16 vende 30 vite me parë, sot është zgjeruar me 30 vende anëtare.

Në hapësirën e NATO-s jeton një popullsi rreth një miliard banorë, ndërsa ekonomia e 30 vendeve përfaqëson rreth gjysmën e ekonomisë botërore.

Forcat e armatosura të 30 vendeve të NATO-s arrijnë në 7 milion e gjysmë, prej së cilës rreth 3 milëon e gjysmë forcë active dhe po kaq forcë rezervë. Tre vende, përkatësisht, Sh.B.A. Franca dhe Anglia zotërojnë armë bërthamore, bashkë me të edhe fuqinë e Aleancës për shkurajimin e kundërshtarëve [deterrence] dhe moslejimin e përshkallëzimit të konflikteve.

Megjithë problematikat, shpenzimet e mbrojtjes, për vitin 2021 të 30 vendet e NATO-s, arriten shifrën rekord në mē shume se 1 trilion USD.

Historia e NATO-s në Kosovë, mbetet shembulli i konfirmimit të fuqisë dhe kredibilitetit të saj në dobi të paqes, vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Nga ana tjetër, 73 vjet e kanë provuar katërcipërisht rolin jetik të ShBA-ve, e cila mban barrën kryesore të fuqisë, angazhimeve dhe shpenzimeve ushtarake, p.sh buxheti mbi 750 miliard USD për vitin 2021, ose dyfishin e 29 vendeve të tjera anëtare të NATO-s, përfshi edhe Rusinë.

Thënë këtë, trysninë pozitive që SHBA ushtron ndaj anëtarëve të tjerë për të rritur buxhetin e çmoj legjitime dhe të domosdoshme njëherësh për kredibilitetin e Aleancës.

Prandaj 3-4 vitet e fundit 29 vendet e tjera të NATO-s e kanë rritur buxhetin me rreth 150 miliard USD, duke mos përfshirë angazhimin e Gjermanise për të shtuar edhe rreth 100 mld për modernizimin e aftësive ushtarake, bashhkë me të edhe peshën e saj në NATO.

Ndërsa në ditët e sotme, jo vetëm Ukraina por bota mbarë po përballet me marrëzinë shpërfillëse të Rusisë së Putinit ndaj rendit ndërkombëtar të sigurise, e cila nisi me aneksimin e Krimesë në 2014 dhe prej 24 Shkurtit 2022 me sulmin neonazist të ndërmarrë për pushtimin e një vendi sovran, si dhe për sprovimin e kredibiltetit, kohezionit, fuqisë ushtarake dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transtlantike (NATO/SHBA).

Në përgjigje, rreth 40 mijë trupa luftimi, 130 avione dhe 140 anije ushtarake të NATO janë dislokuar në kufijtë lindorë të saj (Poloni, Vendet Balltike, Europën Qëndrore dhe Juglindore), duke demostruar si asnjëherë më parë fuqinë e pakonkurueshme ushtarake në mbrojtje të tërësisë teritoriale (artikulli 5) si dhe të interesave gjeostrategjike të Aleancës Trasnatlantike.

Thënë këtë, me statusin e ekspertit të angazhuar ripërsëris se: “Rusia do ta humbasë jo vetëm LUFTËN për pushtimin e Ukrainës por edhe do gjunjëzohet në përballjen me kredibilitetin, solidaritetin, me fuqinë e zgjerimit të demoracisë dhe interesat Euroatlantike (USA & NATO & BE)”!

Bashkë me humbjen e Luftës Rusia po diskreditohet tashmë në sytë e botës, sigurisht do të humbasë rolin dhe peshën gjeopolitike në botë, fatmirësisht përfshi edhe në Ballkanin perëndimor, Mesdhe, etj.

Mbas 13 vitesh, Shqipëria mbetet anëtare edhe më e përkushtuar !
Data zyrtare e pranimit të Shqiperisë është e përcaktuar 1 prilli 2009. Por për ta nxjerrë nga konteksti i “datës së gënjeshtrave” si dhe për ta ndriçuar më shumë, si “gjetje të mënçur” për festimin e kësaj ngjarjeje kombëtare është mirë bashkangjitur me atë të themelimit tē Aleancës, më 4 Prill.

Përtej “konfiktualitetit extrem, bëmave dhe gjëmave kombëtare (1997, etj) nga privatizimi dhe shpërdorimi politik i pushteteve”, anëtarësimi i RSH mbetet ndoshta arritja e vetme, në mos e vetmja fare si produkt i konsensusit politik të gjerë nga të gjitha forcat politike si dhe mbështetjes së jashtëzakonshme mbarëpopullore.

Në këtë udhëtim 15 vite (1994-2009) drejt dhe 13 vjet pas anëtarësimit në Aleancë, Shqipëria u shndërrua nga konsumatore në kontribuese për sigurinë rajonale. Prej vitit 1996, në operacionet në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj, kanë marrë pjesë rreth 8000 ushtarakë, çka krahasuar me popullsinë, ky kontribut ka qenë me shumë se modest dhe i shumëvlerësuar.

Shqipëria sigurisht mbetet modeste në kapacitete, por vijon të luaj rol të spikatur për paqen, stabilitetin demokratik, integrimin e vendeve të Ballkanit në NATO/BE si dhe në jetësimin e interesave gjeopolitike të Sh.B.A dhe NATO-s në rajon, në mesdhe dhe më gjerë. Prandaj sot në 4 Prill, në 13 vjetorin e anëtarësimit të RSh në NATO, kujtojmë me mirënjohje të thellë miq të mëdhenj dhe aktorë me peshë si Presidentët Bush dhe Klinton; Sekretarët e Shtetit Baker, Allbright, Powell, Rice, ata të Mbrojtjes si Perry, Rumsfeld, Gate, etj si edhe gjeneralët e mirënjohur, Clark, Jones, Stavridis, Petraus, Mattis, etj, për mbështetjen e jashtëzakonshme në përmbushje të aspiratës së Shqiptarëve.

Shqipëria sigurisht mbetet modeste në kapacitete, por vijon të luaj rol të spikatur për paqen, stabilitetin demokratik, integrimin e vendeve të Ballkanit në NATO/BE si dhe në jetësimin e interesave gjeopolitike të Sh.B.A dhe NATO-s në rajon, në mesdhe dhe më gjerë.

Prandaj sot në 4 Prill, në 13 vjetorin e anëtarësimit të RSh në NATO, kujtojmë me mirënjohje të thellë miq të mëdhenj dhe aktorë me peshë si Presidentët Bush dhe Klinton; Sekretarët e Shtetit Baker, Allbright, Powell, Rice, ata të Mbrojtjes si Perry, Rumsfeld, Gate, etj si edhe gjeneralët e mirënjohur, Clark, Jones, Stavridis, Petraus, Mattis, etj, për mbështetjen e jashtëzakonshme në përmbushje të aspiratës së Shqiptarëve.

Kështu përtej festimeve dhe krenarisë legjitime për këtë arritje historike, mbetet e përherëshme detyra për ta ngritur edhe më lartë stekën e Shqipërisë si një anëtare e denjë dhe e përkushtuar e Aleancës.

Mjedisi dhe rreziqet ndaj sigurisë kolektive po ndryshojnë në mënyrë të paparashikuar, prandaj NATO dhe 30 vendet e saj mbeten në transformim të pandërprerë.

Edhe për Shqipërinë, anëtarësimi nuk ishte/mbetet stacioni i fundit, por një fazë e re, me përfitime (si shembull projekti për bazën e Kuçovës), detyrime, sfida dhe përgjegjësi shtesë.

Prandaj, si të gjitha vendet e NATO-s, edhe qeveria Rama 3 duhet ta rikthejë në “paketën e prioriteteve” reformën e sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, duke zhvilluar aftësi operacionale për mbrojtjen e tërësisë teritoriale nga çdo kërcënim, për të mbajtur barrën si dhe për të vijuar të kontribuojë në sfidat e Aleancës (Nenin 5 të NATO-s] por edhe në Kosovë, Bosnjë, Ukrainë etj.

Po ashtu, e çmoj posaçërisht në interesat strategjike të RSh, të zhvilloj projekte të përbashkëta me Kosovën dhe vendet e rajonit për t’u përballur me kërcënimet asimetrike si: “emergjencat civile, pandemitë, rastet renegate, terrorizmi, rreziqet kibernetike, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, emergjencat civile, krizat e refugjatëve, etj”.

Për më qartë, do i këshilloja faktorët e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që: “humbja e Luftës ndaj Ukrainës, për pasoje ulja e peshës së Rusisë dhe të Serbisë në rajon është një rrethanë mjaft e favorrshme gjeopolitike për të konfirmuar projektin: “2 shtete një komb i vetëm” si dhe për të integruar masat e përbashkëta shtetërore në dobi të anëtarësimit së Kosovës në NATO si dhe për zhvillimin e interesave kombëtare në rajon, mesdhe, etj”!

Është e mirëartikuluar se në reformat e sigurisë kanë përparësi interesat kombëtarë. Por, këto reforma kërkojnë vizion, gjithëpërfshirje dhe konsensus politik sa më të gjerë. Edhe pas vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese (2015) mbetet ende e domosdoshmëri të mirë-harmonizohen 3 pushtetet, Ekzekutivi Kuvendi dhe Presidenti, në lidhje me vendimarrjet strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes kombetare.

Në shtesë, gjykoj se në këtë udhëtim 13 vjeçar pas anëtarësimit, Tirana zyrtare ka bërë gjënë e duhur, pasi është rreshtuar me kohezion të pakushtëzuar në krah të Aleancës Trans-Atlantike (ShBA, NATO-s dhe BE), po vijon të kontribuojë në tavolinat e vendimarjeve të mëdha (NATO dhe UN) dhe me kapacitete modeste në mbështetje të Ukrainës, etj; në mbrojtje të stabilitetin demokratik, anëtarësimin në NATO/BE, vlerave demokratike në Ballkan dhe më gjerë”.

Dhe, për ta përmbyllur kam përzgjedhur fjalët-epitaf të ish-Presidentit te SHBA Kennedy, në hapje të Konferencës së Parë të Sigurisë së Mynihut (MSC) në 1963: “Ti hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”. Thënë këtë, besoj fort te fuqia e Aleancës më të suksesshme në historinë e njerëzimit edhe për 73 vitet që do vijnë … !

Ndërsa si një ndër dëshmitaret/expertët e udhëtimit 28 vjeçar të Shqipërisë drejt/pas anëtarësimit në NATO (1994-2022), do këshilloja emergjente përgatjen e një Platforme Kombëtare për transformimin rrënjësor të sistemit të Sigurisë, me qëllim: “modernizimin e qasjes zyrtare (SSK-2022), strukturave, paisjeve dhe kapaciteteve; trajtimin dhe motivimin e personelit; përmirësimin rrënjësor të aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes strukturave dhe agjensive shtetërore përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës, dinjitetit dhe mirëqenies së qytetarëve; garantimin e stabilitetit demokratik, rikthimin e besimit të Shqiptarëve në vlerat e shoqërive euro-atlantike; mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare; përmbushjen e detyrimeve si dhe forcimin e pozitës së RSH në NATO”.

E fundit, por mbi të gjitha, në reformat e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, “asnjë grosh nuk vlejnë” as protagonizmi, as privatizimi i arritjeve dhe festave, triumfalizmi, propaganda partiake, por vetëm veprat, dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vizioni afatgjatë dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrave shtetërore, përgjegjësia e lartë ndaj interesave mbarë-kombëtare, “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n, etj.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,
Seinor Expert për SK, Rajonin & NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut,
Ish:Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,
Zv/ShShPFA & Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit