Home Editorial Opozita, lesh...

Opozita, lesh arapi në Tiranë!

1357
0

(Ky editorial është më i zgjeruar në video)

Opozita, lesh arapi në Tiranë!

Nga Daniel Muçaku-

Kryeqyteti pritet të jetë një betejë e mirëfilltë politike për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Dhe këtë po e kërkojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët i mëshojnë idesë se duhet një kandidat i mirëfilltë politik në Tiranë që të sfidojë Erion Veliajn. Por të dy kanë rënë në kurthin e Eron Veliajt, i cili pikërisht këtë synon që beteja në Tiranë të kthehet në përballje politike, ku të futen të gjithë në këtë përplasje; Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Natyrisht dhe ai vetë.

Por në kryeqytet sipas njerëzve të statistikave elektorale kandidatit të opozitës i duhet të marrë me shumë se sa ka prodhuar koalicioni opozitar në zgjedhjet e fundit politike, diku te 30 mijë vota plus. Dhe kjo sikur të marrim variantin që kandidati opozitar nuk ka asnjë rrjedhje vote nga e djathta si dhe nga PL, dikur LSI.

Duke ditur fort mirë se demokratët do të jenë të ndarë dhe nuk kanë asnjë shans të përbashkohen në këto zgjedhje, siç po luhet teatër mes Edi Palokës dhe Gazmend Bardhit, pra kjo do të sjellë një firo të madhe votash sidomos në Tiranë, sepse duhet pranuar se deputetja Jorida Tabaku dhe njerëzit e tjerë në grupin Alibeaj-Basha, kanë vota të konsiderueshme. Ose më saktë do të kandidojnë një emër nga radhët e tyre që nuk fiton, por heq një kamion me vota nga PD-ja e Berishës.

Ndaj skema që duan të dalin me një kandidat të fortë politik apo nga radhët e politikës është skemë e dështuar elektorale dhe që do të sjellë fitoren automatike të Erion Veliajt.

Pikërisht këtë po luan mjeshtërisht Erion Veliaj, duke punuar e mikluar njerëzit që ka si kolonë të pestë në kryesinë e PD-së së Saliut. Në qoftëse gjëndet një figurë jo militante apo me imazhin e një njeriu që nuk pyet partinë por vetëm qytetarët, atëhere dueli vështirësohet për Erion Veliajn. Nëse vendoset ky portret kandidati për bashkinë e kryeqytetit, ka nevojë që të mos e tradhtojnë militantët fanatikë të opozitës. Sepse kandidati që vjen nga bota e shoqërisë civile merr vota e elektoratit gri të cilat në shumë raste shkojnë deri në 25 përqind. Vetëm kjo pjesë elektorati mund ta lëkund Erion Veliaj.

Ndryshe me kandidat militant, nuk ka asnjë shans të fitohet Tirana, sepse makineria gjigande elektorale dhe partiake e Erion Veliajt dhe e kryeministrit bën shoshë cdo kandidat opozitar. Raportet me elektorat fanatikë mes PS dhe opozitës në kryeqytet tregojnë së Edi Rama me Erion Veliajn janë shumë përpara.

Ndaj të shkosh vetë në thertoren e Veliajt në Tiranë është sakrilegj i madh për kandidatin opozitar.

Brenda kampit opozitar ka debate të forta për emrin e kandidatit, pasi Primaret ndezin elektoratin demokrat, por nuk mjaftojnë për të mbytur transoqeanikun e Erion Veliajt.

PL e Ilir Metës, me sa duket ka interes vetëm për njërin nga kandidatët e PD-së që ka vetshpallur kandidaturën, duke krijuar xhelozi të kandidati tjetër demokrat. Dhe të gjitha përkthehen në vota minus me datë 14 maj 2023.

Ndaj, fatkeqësisht, në qoftëse kandidati do të jetë një nga politika aktive në Tiranë për llogari të opozitës, Erion Veliaj le të shkojë me pushime muajin e fushatës dhe me 15 maj 2023 të vijë e të marrë mandatin e kryebashkiakut!

Opozita po gabon dhe do ta pësojë pas zgjedhjeve zhgënjimin.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit