Home Aktualitet PD: Kemi një ...

PD: Kemi një realitet të trishtë për sa i përket dh*nës ndaj grave, shteti të luftojë fenomenin

13
0

Deputetja demokrate dhe njëherazi kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas në PD-në e Rithemelimit, Albana Vokshi deklaroi ditën e sotme se vit pas viti Shqipëria përballet me një realitet të trishtë për sa i përket dhunës ndaj grave. Vokshi u shpreh se duhet të ketë një shprehje të qartë të vullnetit politik për të luftuar këtë fenomen, ndërsa shtoi se PD propozon që lufta kundër dhunës ndaj grave të shpallet kauzë madhore dhe të hartohet një Plan Kombëtar ndërdisiplinor zbatimi i të cilët ti ngarkohet një Koordinatori ndërministror pranë Kryeministrit.

Deklarata e plotë

Vit mbas viti Shqipëria përballet me një realitet të trishtë për sa i përket dhunës ndaj grave. Përtej fjalëve dhe fjalimeve të qeverisë, gati asnjë gjë nuk bëhet në të vërtetë për të luftuar këtë fenomen. Koha e vështrimit dhe e pasivitetit ka kaluar. Dhuna ndaj grave është një realitet por jo një fatalitet. Edhe pse dhuna ushtrohet ndaj grave, beteja në vetvete është e të gjithëve. Shteti ka mjete te nevojshme për të luftuar këtë fenomen.

Që kjo të ndodh duhet në radhë të parë një shprehje e qartë e vullnetit politik. Partia Demokratike propozon që lufta kundër dhunës ndaj grave të shpallet kauzë madhore dhe të hartohet një Plan Kombëtar ndërdisiplinor zbatimi i të cilët ti ngarkohet një Koordinatori ndërministror pranë Kryeministrit. Mbikëqyrja e këtij Plani të bëhet nga një grup deputetësh të gjithë krahëve politik.

Arsimi duhet të jetë shkalla e parë dhe e pazëvendësueshme për të ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate dhunën kundër grave. Masat për trajnimit e personelit arsimor, koha e kushtuar në klasë për këto tema duhet të rriten ndjeshëm. Gratë nuk duhet të prezantohen si qenie të brishta. Duhet të ketë çdo semestër orë të veçanta të përqendruara tek suksesi i grave për ti treguar vajzave larmin e drejtimeve që mund t’ju japin jetës së tyre.

Shteti duhet të lidh një kontratë të re bashkëpunimi dhe besimi me organizatat jo qeveritare dhe me psikologët për tëri përkufizuar rolin e tyre dhe për ti bërë pjesë të plotë të planit kombëtar në të gjitha hallkat e tij. Çlirimi i fjalës, zgjidhja e gjuhës është një sfidë tjetër të cilës duhet ti përgjigjet Plani Kombëtar. Hendeku i parë që haset në çështjen e luftës kundër dhunës ndaj grave është çlirimi i fjalës që mundëson identifikimin e viktimave. Në Shqipëri ka akoma pengesa të mëdha shoqërore për sa i përket denoncimit të rasteve të dhunës, sidomos kur këto të fundit shkaktohen nga persona të njohur apo nga familjarë.

Që kjo të ndryshoj, duhet menduar një sistem i tërë ku struktura të ndryshme të shtetit apo të shoqërisë të identifikojnë tregues apo shenja që ngrenë dyshime për raste të dhunës ndaj grave. Personali mjekësorë në të gjitha hallkat duhet të luaj një rol më të rëndësishëm në identifikimin dhe shoqërimin e viktimave. Farmacistët duhet të trajnohen që të identifikojnë shenja të tilla në bazë të ilaçeve të blera, mjekët në bazë të simptomave të pacientëve. Mund t’ju lihen pyetësor që duhet t’ua bëjnë grave dhe një dokument sintetik të cilin duhet t’ua japin në çdo rast nëse kanë dyshime.

Duhet të krijohet mundësia e ngritjes së një padie penale drejtpërdrejtë në spital apo në farmaci, në një zonë të mbrojtur pra nga dhunuesi nëse mbas bisedës viktima pranon që të kërkojë ndihmë dhe mbrojtje nga shteti. Mbrojtja e viktimës, një tjetër çështje ku ne çalojmë. Viktima gjatë procesit të hetimit vazhdon në shumicën e rasteve të gjendet në situata ku takon dhunuesin. Qoftë sepse banojnë në një shpi apo në një komunitet të vogël. Dihet sot se barrierat janë të shumta për viktimën.

Një prej arsyeve të mos ngritjes së padisë është mungesa e mbrojtjes nga dhunuesi apo edhe nga shoqëria që gjykon viktimën në vend se të dënoj dhunuesin. Shteti nëpërmjet veprimtarisë së tij duhet të ngrejë këto barriera për të siguruar mbrojtjen e viktimës. Mbasi kemi arritur të krijojmë një sistem ku fjala lirohet duhen marrë menjëherë masa të forta. Të paktën një komisariat për çdo rreth duhet të ketë një ekip të specializuar për çështjet e luftës kundër dhunës ndaj grave. Një specializim i tillë i një strukture është thelbësore për kuptimin dhe trajtimit me seriozitet të kësaj çështje.

Viktimave duhet tu jepet një ‘Telefoni rrezik i madh’ i cili të jetë i lidhur drejtpërdrejtë me shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë nëse dhunuesi i afrohet përsëri viktimës. Menjëherë mbas padisë dhe në pritje të gjykimit, mund të vendoset një masë parandaluese të vendosjes së një byzylyku elektronik kundër afrimit i pajisur me një gps që të lajmëroj viktimën në rast se dhunuesi i afrohet brenda një qarku të përkufizuar.

Duhet të krijohet procedura ‘ndihmë urgjente’ për viktimat që për shkak të presionit shoqëror apo rrezikut që u kanoset duhet të lënë banesën e tyre. Kjo procedurë duhet të parashikoj strehimin falas ne banesa të veçanta në qytete të tjera, larg presioneve. Në raste të veçanta, duhet të vendoset që hetimi dhe trajtimi i padisë të bëhet nga një komisariat i një qyteti tjetër (ose nga ekipi i specializuar i rrethit). Kjo gjë është veçanërisht e nevojshme në rastet e komuniteteve të vogla ku mund të ushtrohet trysni mbi policët e ngarkuar me hetimin;

Ndëshkimi duhet të bazohet mbi parimin e tolerancës zero që frika të ndryshojë krahë. Mos ndëshkimi i duhur përçon një mesazh negativ brenda shoqërisë dhe kjo i pengon viktimat që ti shkojnë deri në fund procesit kundër dhunuesit të tyre. Ndaj propozimet e PD janë në kuadër të një plani kombëtar sepse asnjëra nuk mund të kuptohet në mënyrë të pavarur nga tjetra. Duhet që të gjitha këto propozime të miratohen dhe zbatohen njëkohësisht.

Dënimet duhet të jenë të larta dhe të një natyre të tillë saqë të shënojnë vullnetin e shtetit për të luftuar një fenomen i cili nuk duhet ta ketë më vendin në shoqërinë shqiptare. Duhet të krijohet një procedurë e përshpejtuar të gjykimit në mënyrë që viktima të mos pres gjatë. Në rastet e dhunës ndaj grave çdo sekondë që kalon pa mbrojtje apo pa ndëshkim është një sekondë që rrit rrezikun e përsëritjes së aktit ndaj viktimës.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit