Home Editorial “Peshku i mad...

“Peshku i madh” dhe dekorata për SPAK-un

3346
0

“Peshku i madh” dhe dekorata për SPAK-un

Nga Lindita Kokoli- 

Të gjithë po shikojnë nga SPAK-u. Të gjithë thonë çfarë bën SPAK-u?

Sytë dhe prozhektorët e medias, por dhe të publikut, janë drejtuar drejt prokurorëve të këtij institucioni të rëndësishëm për të ndëshkuar për herë të parë zyrtarët e lartë që deri dje sa ishin në pushtet mbeteshin të paprekshëm.

Por edhe pjestarët e SPAK-ut, njerëz janë, ku pak veta si prokurorë hetojnë dosje të panumërta korrupsioni. Ata duhet të jenë më tepër. Ata duhet të kenë kushte më të mira pune, e pse jo edhe paga më të larta se sa paguhen tani.

Ata si prokurorë, kur momentalisht nuk ka opozitë, mbeten edhe Opozita e vetme serioze në Shqipëri.

Prej disa ditësh po qarkullon fjala se do arrestohet një pjestar i qeverisë Rama, pra në dosjen e inceneratorëve.

Jorida Tabaku, një deputete kurajoze dhe me dinjitet politik, ka akuzuar pjestarë të lartë të qeverisë dhe kryebashkiakë se kanë futur duart në këtë mega-aferë të madhe korruptive.

Ndaj publiku nuk është i ngopur vetëm me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako. Presin pranga me shumë dhe më lart, veçanërisht publiku por dhe media.

Nëse shikon nëpër studio të ndryshme mediatike, disa analistë dhe gazetarë investigues, thonë se një ministër dhe një kryebashkiak janë gati në dosjen e inceneratorëve.

Ndaj e kanë ngarkuar publikun me këtë çështje inceneratorëve, aqsa po harrohen dosje të tjera korruptive në këto dekada, ku kanë qeverisur disa kryeministra, të cilët disa janë akoma aktivë në politikë, sikurse ka edhe ndonjë tjetër që ka ndërtuar biznese të mëdha disa milionë euro dhe asgjë nuk po i ndodh e që tani rri në pension duke tundur llullën.

Arrestimi i mundshëm i ndonjë ministri ka trazuar keq mazhorancën. Të gjithë rrijnë me frikë se cilit i vjen radha në PS. Por mësohet se edhe në radhët e opozitës, sidomos PD dhe LSI, po shikojnë me ankth sa herë iu kalon furgoni i policisë afër pallatit apo vilës.

SPAK-u, siç e theksoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka nevojë për mbështetje dhe inkurajim pasi është në hapat e para të kësaj lufte ndaj korrupsionit në nivele të larta e ku ka kaq shumë punë, sa nuk mund të firmoset kollaj pa verifikuar dosje e fakte, sepse të dalin nga qelitë prej gjykatës.

SPAK-u deri më tani ka krijuar frikën dhe edukatën e detyrueshme tek zyrtarët e lartë që të jenë korrekt me detyrën. E kjo edukatë pune nisi sapo kërcitën prangat mbi ish-ministrin Lefter Koka.

Imagjinoni nëse SPAK-u arreston ministër në detyrë, ish-kryeministër apo ish-presidentë. Por edhe pa këto ish-at përpara, kjo do ta bënte SPAK-un një hero lufte kundër korrupsionit.

Ndaj nëse vazhdon në këtë rrugë SPAK-u ia vlen që Presidenca ta dekorojë këtë institucion akuze që po bën të dridhen të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit. Por natyrisht jo dekoratë nga kjo presidencë e tanishme, e cila dekoratat i jep edhe restorantëve të Tiranës, sipas shijes së drekës së ofruar.

Presidenti tjetër, i riu, që e merr detyrën me 24 korrik ka nevojë të japë të parën dekoratë, pikërisht SPAK-ut. Por gjithnjë nëse deri me 24 korrik do të kemi parë të arrestuar për korrupsion ministra, kryebashkiakë apo edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Frika e penalizimit me pranga ndaj zyrtarëve të lartë ka bërë që të mos turren kaq me vrap sa dikur për të marrë poste qeveritare, sepse prangat e SPAK-ut  iu rrijnë varur si fotografi në shtëpi.

Investimi disa milionë dollarësh nga SHBA dhe BE duket se e ka justifikuar ngritjen e këtij sistemi të ri drejtësie.

Por në krye të gjithë kësaj strukture drejtësie rri SPAK, si shpatë.

Ndaj në ditët që vijnë mbetet të shikojmë “peshkun e madh” pasi ka informacione nga brenda drejtësisë, që e kanë bërë gati rrjetën e madhe për ta kapur.

E dijnë se është peshk që shqyen rrjetën, ndaj po e markojnë edhe me rrjetë hekuri.

Grepi është hedhur, rrjeta është mbledhur rreth tij!

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit