Basha: Fjalimi i Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për qëndrimet e Edi Ramës kundër medias. Në një postim në Facebook, Basha komenton fjalimin e djeshëm të kryeministrit në forumin e organizuar për lirinë e medias. Basha thotë se fjalimi i Edi Ramës ishte kriminal dhe u bën thirrje orgazizatave ndërkombëtare që të reagojnë.
Deklarata e Bashës në FB:
“Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.
Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit”.
KOHA JONË SONDAZH

