Besnik Jakaj: Menaxhimi i pandemisë është totalisht jashtë kontrollit, qytetarët, në dorë të zotit!

Nga Besnik Jakaj –

Qeveria ka dështuar plotësisht në menaxhimin e pandemisë. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht që gjithçka bëhet në mënyrë joprofesionale pa asnjëlloj plani strategjik, por vetëm për të bërë demagogjinë e radhës sikur po tentojnë të menaxhojnë pandeminë. 

Po të shikosh e të analizosh masat që ka marrë qeveria nuk janë të bazuara aspak mbi protokollet shkencore të menaxhimit të pandemisë, por vetëm për të bërë politikë. Masat merren pa asnjë plan njëherë vendoset ora policore 22:00 njëherë në orën 20:00, të cilat po t’i studiosh nuk japin fare efekt. Nëse do ishte e nevojshme, me këto shifra të të infektuarve, të hospitalizuarve dhe me numrin e vdekjeve që është gjëja më e rëndë, që ne kemi vendi shumë mirë mund të bënte një mbyllje të plotë. Vetëm në këtë mënyrë strukturat shëndetësore spitalore mund të rimarrin veten dhe pandemia do të menaxhohej në mënyrë profesionale. 

Swiss Digital Desktop Reklama

Mbyllja e gjimnazeve pa një plan strategjik dhe sjellja e policisë me qytetarët, e gjitha është një represion policor për të bërë propaganda. Qoftë gjobat që i vihen partive politike, qoftë presioni që ushtrohet te qytetarët tregon se kjo qeveri nuk ka asnjëlloj aftësie për të bërë asnjëlloj menaxhimi. Pra e thënë me pak fjalë e gjithë situata e menaxhimit të pandemisë është në rënie të lirë, nuk ka një plan strategjik për menaxhimin e saj, as për imunizimin e popullatës nëpërmjet vaksinave e as një mundësi tjetër për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po të shikojmë me vëmendje situatën dhe vështirësitë që po kalojnë familjet shqiptare, që përballen vetë me virusin, pa ndihmën e qeverisë ka një kosto të jashtëzakonshme financiare për shkak të mungesës të menaxhimit të duhur, që për të diagnostifikuar, për të bërë analizat biokimike, radiologjike e për të filluar terapinë sipas rastit ka një kosto që fillom nga 1 mijë deri në shumë mijë euro pastaj sepse ne kemi parë dhjetra e qindra raste që janë larguar drejt Turqisë me shpenzime të jashtëzakonshme. Po ashtu kemi raste të trajtimit në spitalet apo klinikat private me një kosto nga 2 mijë apo 3 mijë euro nata për një pacient, që e gjitha është në faturën e qytetarëve shqiptarë. 

Pra qeveria nuk ka marrë asnjëlloj mase, jo vetëm për t’u përballur shkencërisht me strukturat spitalore dhe të shëndetit publik me pandeminë, por nuk ka asnjë land për mbështetjen financiare të të gjithë qytetarëve që kanë nevojë në rastet kur infektohen me virus.

Po të shikojmë planin për rimbursimin e Paketës Covid, sot që flasim nuk përfiton asnjë qytetarë nga kjo paketë, pasi është bërë thjeshtë një propagandë e shëmtuar nga ana e qeverisë dhe nga paaftësia menaxhuese e të gjithë zinxhirit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjë e cila ka bërë që qytetarët të humbasin totalisht besimin te institucionet shëndetësore, te spitalet dhe të shkojnë drejt keqmjekimit në shtëpitë e tyre dhe kush mundet po gjen rrugët për t’u larguar jashtë shtetit. 

Nuk ka marrë askush asnjëlloj rimbursimi nga Paketa Rimbursuese anti-Covid që gjasme ka miratuar qeveria. 

Duhet të kemi parasysh që njerëzit po kalojnë fatalitete të jashtëzakonshme. Është shumë e rëndësishme të theksohet që një pjesë e madhe e njerëzve po humbasin jetët pasi negativizohen. Në momentin kur dalin nga spitali e shkojnë në shtëpi ata nuk monitorohen në mënyrë profesionalenga strukturat shëndetësore, duke i ndjekur me analiza biokimike, radiologjike e të tjera për të parë efektet dhe pasojat që vetë Covid-i ka lënë në organizmin e tyre. 

Me dhjetëra qytetarë, me të cilët kam pas njohje personale e ju kam shprehur edhe familjeve të tyre ngushëllime nga afër sipas protokolleve të traditës sonë kombëtare mortore, vetëm ditët e fundit kanë humbur jetët pasi janë negativizuar sepse nuk kanë pasur asnjë mundësi për  t’u ndjekur apo për t’u monitoruar në mënyrë dinamike, profesionale nga mjeku i familjes apo nga mjekë të tjerë në spitale. 

Të gjithë këta pacientë nuk deklarohen si vdekje nga Covid-i sepse sot Shqipëria deklaron vetëm vdekjet nga ky virus në spitalet Covid.

Tani që flasim janë rreth 500 persona të hospitalizuar, pra kapaciteti i spitaleve tona është plot. Megjithatë më dramatikja është humbja e besimit te spitalet Covid dhe te organizimi i këtyre strukturave, pasi është bërë vetëm propagandë e demagogji.

Është e tmerrshme mënyra si po humbasin jetët qytetarët sepse është plotësisht antihumane. I humbasin jetët të izoluar, pa kujdes dhe pa praninë e të afërmve dhe të dashurve të tyre, duke çeduar në mënyrë të tmerrshme edhe nga pikëpamja humane e traditat qindrashekullore që kanë pasur shqiptarët në çastet e fundit për t’u gjenduar pranë prindit, xhaxhait, hallës, tezes, vëllait apo motrës. Kjo ka çuar në humbjen e besimit të qytetarëve te strukturat spitalore, të cilët tashmë janë të gatshëm të vdesin në shtëpi, të vdesin si njerëz, por vetëm që të mos shkojnë në spitalet e ferrit. 

Është e rëndë ta them unë këtë, por fatkeqësisht ky është perceptimi i qytetarëve dhe e gjitha kjo është bërë nga keqmenaxhimi i pandemisë nga ana e qeverisë dhe një grupi mjeranësh, servil të qeverisë të cilët duan vetëm të përfitojnë personalisht, 

Pa diskutuar pastaj kalvarin e tmerrshëm që po kalojnë qytetarët në strukturat private me kosto dhjetë herë e njëqind herë më të lartë, e cila nuk monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë, nuk koordinohet, nuk ndiqet dhe duhet theksuar se janë detyrat ligjore të qeverisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë. 

Unë prej fundit të muajit mars të vitit që shkoi  kam ngritur alarmin me dhjetëra herë për përfshirjen profesionale të mjekut të familjes, gjë e cila nuk është bërë as sot e kësaj dite dhe për ngritjen e pavioneve Covid në Spitalet Rajonale. Kjo për shkak se nëse do kishim këto pavione do bëhej e mundur t’ju shërbehej në mënyrë profesionale qytetarëve, të bëhej triazhimi, të ndahej kush ka nevojë për terapi intensive shumë mirë mund të dërgohej te spitalet Covid, Infektivi, Shefqet Ndroqi apo Covid 3-shi dhe pjesa tjetër e qytetarëve të monitoroheshin profesionalisht me analiza biokimike, radiologjike, të merrej mjekimi i duhur në kohën e duhur në këto pavione dhe të mos shkonin drejt mortalitetit, por të ktheheshin në shtëpitë e tyre të shëruar.

Duhet me patjetër që qytetari kur negativizohet të monitorohet, nuk je asnjëherë i shëruar nga Covid-i dhe nga problemet e ndryshme që shkakton Covid-i në organizëm në momentin që ti je negativizuar, por duhet të ndiqesh në mënyrë dinamike nga mjeku dhe nga analizat laboratorike dhe radiologjike.

Në këto kushte ne kemi një numër shumë herë më të lartë mortalitetesh për shkak të Covid-it sesa ato që deklarohen sepse ne deklarojmë vetëm rastet e jetëve të humbura në spitalet Covid.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?