Nis punën komisioni për reformën zgjedhore, PD: Të realizohet votimi e numërimi elektronik
Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur sot për herë të parë për konstatimin e këtij komisioni. Mbledhja vjen pasi deputetët e Kuvendit kanë bashkuar votat për të votuar me konsensus përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Komisioni përbëhet nga 18 anëtarë, 9 nga maxhoranca dhe 9 nga opozita. Bashkëkryetar janë Bledi Çuçi nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD. Kreu i Kuvendit tha se zgjedhjet janë me rëndësi për cilësinë e demokracisë dhe komisioni do mbështetet në rekomandimet e OSBE-ODHIR.
Kreu i parlamentit, Gramoz Ruçi, në fjalën hapëse të tij tha se ky komision është me rëndësi të madhe, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që në këtë Komison të bëhet më shumë punë se sa politikë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i zgjedhje. Puna e këtij komisioni ka një rëndësi të madhe. Është risi që mblidhet ky komision për përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhorë. Komisioni do të mbështetet jo vetëm tek rekomandimet e OSBE/OHDIR. Zgjedhjet e reforma zgjedhore kërkojnë vullnet politik, konsesnsus kjo ka filluar është pozitiv fakti që ky komision i kërkuar nga opozita në mënyrë konsesnsuale.”, tha Ruçi.
Në fjalën e tij bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se janë tre raporte të OSBE/OHDIR për t’u trajtuar dhe se është e papranueshme që asnjë prej tyre nuk u trajtuan nga parlamenti.
Bylykbashi u shpreh se duhet vullnet politik për reformën dhe sipas tij rekomandimi prioritar i OSBE është çështja e shitblerjes së votës. Ai kërkoi realizimin e votimin dhe numërimin elektronik.
““Kjo mazhorance ka dështuar. Hera e pare që nga viti 2001, OSBE/OHDIR kërkon Reformë Zgjedhore. Vullneti politik është themeli për reformën. Raporti tregon se si u fituan zgjedhjet e kaluara, zgjedhjet janë blerë me paratë e drogës. Rekomandimi prioritar i OSBE është çështja e shitblerjes së votës. Të realizohet votimi e numërimi elektronik. Votimi me postë i emigranteve është qesharak”-tha Bylykbashi.
Ndërsa bashkëkryetari Blendi Çuçi tha se Reformën e shkuar e bojkotoi opozita e cila u zhvendos në çadër, ndërsa tha, në përgjigje të fjalës së Bylykbashit, se ilustrimet për blerje vote vijnë nga opozita.
“Reformën e shkuar e bojkotoi opozita e cila u zhvendos në çadër, e ilustrimet për blerje vote vijnë nga opozita. Ne në këtë tryezë nuk ulemi me asnjë kusht dhe me asgjë të panegociueshme. Duhet të aplikojmë teknologjinë dhe të dëgjojmë ekspertët në mënyrë që të marrim praktikat më të mira. Ju ftoj të diskutojmë pa paragjykime e parakushte”, tha Çuçi.
Nuk kanë munguar as debatet në përfundim të mbledhjes me Ruçit dhe Bylykbashit.
KOHA JONË SONDAZH

