PD: Pse policia fshehu patentat e Tahirit dhe arrestimin e Sotës? Xhafaj: Kam nisur hetimet
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka dhënë shpjegime ditën e sotme në lidhje me fshehjen e informacionit nga ana Policisë së Elbasanit, në rastin e arrestimit të Orest Sotës.
Xhafaj është shprehur se ka nisur një hetim ndaj policëve në lidhje me këtë rast.
Sipas tij, çështja është referuar menjëherë në prokurori dhe është regjistruar sipas rregullave.
“Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato e ka bërë të qartë publikisht rolin e policisë dhe kryerjen e detyrave nga policia në këtë çështje. Policia ka bërë detyrën konform ligjit. Nisur nga shqetësimet e trajtuara, unë kam ngarkuar SHKB-në të hetojë dhe për përgjegjësitë që kanë policët në këtë rast.
Çfarë ka ndodhur është e regjistruar sipas procedurave ligjore dhe i është paraqitur në rrugë zyrtare prokurorisë së Elbasanit. Pak orë më vonë, çështja ka qenë në dorën e prokurorisë dhe kjo çështje është në dorën e saj”- tha ministri Xhafaj.
I pyetur në lidhje me mungesën e Haki Çakos në Komision, për të mbrojtur buxhetin e policisë, Xhafaj tha se ishte ai përgjegjësi i mbrojtjes së buxhetit e jo Drejtori i Policisë.
“Haki Çako dhe çdo punonjës i policisë nuk është gjykuar të jetë këtu, sepse paraqitja dhe mbrojtja e buxhetit është përgjegjësi e imja kushtetuese e ligjore. Unë jam këtu për të marrë të gjitha përgjegjësitë, për mua dhe sa më takon mua. Policia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”_ tha Xhafaj.
KOHA JONË SONDAZH

