Berisha: Kuvendi të marrë urgjentisht dosjen e Ramës
Dorëheqja e kreut të SHISH është cilësuar nga Partia Demokratike si një largim i detyruar i Visho Ajazit. Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Ajazi është detyruar të largohet pas refuzimit që të gjitha institucionet e shtetit u kanë bërë raportimeve dhe denoncimeve të tij.
Në një status në Facebook, Berisha kërkon nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare të të marrë me urgjencë nga zyrat e shërbimit sekret dosjen që, sipas ish-kryeministrit, implikon Kryeministri Edi Rama dhe vëllait e tij, Olsi Rama.
Berisha pretendon se në SHISH ndodhet një dosje që flet për trafiqet e Kryeministrit, të afërmeve të tij, dhe ministrave të kabinetit “Rama”. Gjithashtu, Berisha kërkon publikimin e deklaratave që janë bërë në mbledhjen me dyer të mbyllura në Këshillin e Sigurisë të thirrur gjatë presidencës së Bujar Nishanit. “Mbështes plotësisht kërkesën e ish-presidentit Nishani dhe e konsideroj jetike që të behet publike mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në rast tjetër, i bej thirrje Komisionit të Sigurisë Kombëtare të marrë me urgjencë nga Shërbimi Informativ të gjithë dosjen e implikimit të Ramës, Olsit dhe ministrave të tij në trafiqe dhe banda kriminale! Sb”,- shkruan Sali Berisha në Facebook.
Ish-kryeministri flet dhe për biseda të përgjuar të Kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kreu i qeverisë është përgjuar aksidentalisht duke folur me trafikantë.
Postimi i plotë i Berishës në Facebook: “Dorheqja e Ajazit par lens non volens!
Te dashur miq, Drejtori i Sherbimit Informativ Visho Ajazi , qe i sherbeu vendit me integritet dhe perkushtim te veçante, ne drejtimin e ketij sherbimi dha sot papritur dorheqhjen . Analiste dhe burime te besueshme konfirmojne se ai paguajti me doreheqjen e tij te papritur çmimin e denoncimeve ne prokurori dhe institucione te tjera si dhe informacioneve te panumerta qe faktonin lidhjet e Norieges, narko-kabinetit dhe vellaçko Olsit me drogen, trafiqet dhe krimin e bandat e tij. Doreheqja eshte nje e drejte e çdo zyrtari. Por kjo doreheqje, ne kulmim e skandalit te implikimit te Saimir Tahirit, si anetar kryesor i bandes Habilaj, dhe bllokimit te prokurorise nga Noriega, deshmon tmerrin e Rames nga dokumentat perveluese qe Sherbimi Informativ mund te dorezonte ne Prokurorine e Krimeve te Renda per dosjen Tahiri por edhe per vet Ramen e pergjuar aksidentalisht duke folur me trafikante dhe per afera te medha korruptive si dhe vellaçko Olsin e kokaines dhe narko-ministra te tjere.
Ne keto kushte, mbeshtes plotesisht kerkesen e ish presidentit Nishani dhe e konsideroj jetike qe te behet publike mbledhja e Keshillit te Sigurise Kombetare. Ne rast tjeter, i bej thirje Komisionit te Sigurise Kombetare te marre me urgjence nga Sherbimi Informativ te gjithe dosjen e implikimit te Rames, Olsit dhe ministrave te tij ne trafiqe dhe banda kriminale! Sb”.
Para Berishës ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha që deklaroi se Visho Ajazi u largua pas presioneve të qeverisë “Rama”. “Një gjë është e sigurt; një Shërbim Informativ i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës.Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik. Kjo tregon që narko-shteti është në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Samir Tahirit. Por e kundërta do të ndodhë”,- tha Lulzim Basha.
Sot kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Presidentin Meta, ku i paraqiti propozimin për emrin e kreut të SHISH. Rama ka kërkuar dekretimin e Helidon Bendos në këtë detyrë. Ndërkohë që Kryeministria sqaroi se ky propozim vjen pas dorëheqjes së Visho Ajazit. Në njoftimin e shkurtër të Kryeministrisë nuk jepet asnjë detaj më shumë lidhur me kreun e SHISH, Ajazi, por vetëm thekson se Kryeministri e pranoi dorëheqjen e tij.
KOHA JONË SONDAZH

