“Prokurori”, Vasili: Kushtetuta duhet të zbatohet, jo të interpretohet. Reforma në drejtësi ka ngecur
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së: Mazhoranca po rrënon të varfrit, na pret një rënie ekonomike e paralajmëruar dhe nga ndërkombëtarët
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, i ftuar në “Fax News”, deklaroi se reforma në drejtësi ka ngecur dhe, siç tha ai, shumë prej organeve të parashikuara për t’u ngritur u ka kaluar afati. Po ashtu, Vasili foli edhe për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, një çështje kjo e nxehtë e këtyre ditëve. Vasili tha se Kushtetuta është e qartë për këtë rast dhe se është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që shpall vendin vakant të Prokurorit, duke shtuar se përderisa ky Këshill nuk është ngritur. Kushtetutën nuk e interpreton as PS-ja, tha ai, e as kryeministri, apo ndonjë ambasador, pasi kjo është shkelje e hapur e ligjit. Vasili u shpreh gjithashtu se reforma në drejtësi ka ngecur pasi po tentohet për ta kapur. “Prokurorin që i mbaron mandati, vendin vakant ka të drejtë ta shpallë Këshilli i Lartë i prokurorisë i cili nuk është ndërtuar se reforma u ndërtua në këtë mënyrë, këto thotë kushtetuta, kushtetuta nuk është për tu interpretuar ose zbatohet ose merren vendime nul që stabilizojnë një diktaturë të re. Këshilli i Lartë i prokurorisë nuk është ngritur por kjo jo për fajin e LSI-së, prandaj ose të mblidhemi dhe të ndërhyjmë dhe ta përmirësojmë ose nuk vazhdohet me interpretim, pasi nëse nuk zbatohet kushtetuta vdes shteti ligjor. Nuk ka të bëjë me emrin e prokurorit por me ligjin. Ligjin dhe kushtetutën nuk ne interpreton as kryeministri apo ndonjë ambasador. Prokurori zgjidhet me 84 vota, edhe prokurori transitor ka të njëjtën vlerë. Në radhë të parë duhet të zbatojmë ligjin, edhe sot që flasim reforma ka deformime pasi një seri organesh ende nuk janë ngritur dhe jemi në një kaos. Sot jemi në kohën kur një reformë nuk është zbatuar, reformës i janë vendosur pengesa për ta kapur atë’, tha dje Petrit Vasili.
Buxheti dhe Ekonomia
Kreu i grupit parlamentar i LSI-së gjatë intervistës së tij dhënë për “Fax News” është ndalur edhe tek diskutimet e javëve të fundit në lidhje me projektbuxhetin që qeveria “Rama” ka parashikuar për vitin e ardhshëm. Vasili u shpreh se LSI-ja ka depozituar prej kohësh amandamentet që janë shumë të qarta, duke theksuar se kanë propozuar uljen e TVSH-së për mallrat e shportës që janë mallrat bazikë për familjet shqiptare, si sheqeri, orizi, fasule,vaji etj. Sipas Vasilit është propozuar taksë zero për banesën që për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është e papërballueshme. “Heqje e TVSH-së për biznesin e vogël, i cili është në kufijtë e mbijetesës, ku të gjithë ato që punojnë në këto biznese janë familjarë dhe nëse taksojmë këto biznese rrezikojnë falimentimin e për pasojë shumë qytetarë do të mbeten të papunë. Kostoja do bie mbi këto biznese të vogla të cilat mund të falimentojnë”, tha ai. Më tej ai u shpreh se: “I jemi drejtuar shqiptarit të varfër, shqiptarit të mesëm. Janë masat më të thjeshta më të domosdoshme të mundshme që mund të merren, por kjo qeveri e urren të varfrin. Kjo mazhorancë do të rrënojë të varfrit, mendon ta shfrytëzojë të varfrin, të cilit mundohet dhe t’i blejë votën. Ne shkojmë më një premisë shumë të thjeshtë, kemi ndjeshmëri për të varfrit. Nuk është protagonizëm t’u ulim taksat të varfërve, është masë kundër qeverisë që do t’u vendosë të varfëve taksa”- u shpreh Petrit Vasili. Në vijim, i pyetur se çfarë pret LSI-ja nga buxheti, Vasili është shprehur se buxheti, duke qenë në krizë të madhe nuk ka investime që të krijojë punë. “Nuk ka vizion, nuk ka investime të huaja, kjo që ne propozojmë nuk është populizëm, por ka vetëm elementë realist, pasi një familje në varfëri ekstreme ka rrezikun të shpërbëhet. Nga buxheti 2018 nuk pres asgjë nuk ka asnjë qasje të re, duhet të diskutonim një mbledhje afatgjatë në parlament, por asgjë nuk diskutohet”- theksoi dje kreu i ligjvënësve të LSI-së, Petrit Vasili.
Grupet e interesit
Për sa i përket takimeve me grupet e interesit Petrit Vasili deklaroi se përfaqësuesit në biznesin e vogël mbështesin LSI-në dhe propozimet e saj për ndryshimin e draftit të qeverisë. “Kemi pasur takime me grupet të interesit dhe sigurisht që na mbështesin por më rëndësishmja është se na mbështesin shumë shqiptarë, mallrat e shportës, taksa e banesës të gjithë i mbështesin këto sugjerime. Buxheti s’ka vizion, s’ka qasje investimesh madhore të huaja, është një dështim, nuk ka asnjë vizion. Raporti i këtij buxheti është në kufijtë e asgjësë, është një dështim pa kthim. Ky buxhet do thellojë krizën, investime të rëndësishme të huaja nuk ka. Na pret një rënie ekonomike e paralajmëruar dhe nga institucionet ndërkombëtare”, tha kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili.
KOHA JONË SONDAZH

