Home POLITIKE Preç Zogaj: M...

Preç Zogaj: Mënjanimi i Berishës hap rrugë për bashkim dhe fuqizim real të PD-së

550
0

Publicisti Preç Zogaj thotë se bashkimi me individë të penduar apo të joshur nuk është bashkim palësh te PD-ja, ndaj edhe lëvizja sipas tij do të dështojë. Zgjidhja për të është tërheqja reale e Sali Berishës. ”Bashkimi që ka në mend dhe po përpiqet të realizojë Sali Berisha e presupozon palën tjetër si të mundur, si të penduar së cilës i ofrohet mundësia të tretet në numrat e tij. Kjo qasje megalomane, nga pozitat e fitimtarit të vogël brenda humbjes së madhe të mbarë opozitës, injoron arsyen themelore të ndarjes së PD-së në dy palë dhe është një fyerje për të gjithë ata që bash për ketë arsye nuk janë bashkuar me Foltoren e Sali Berishës”,-thotë në një intervistë për gazetën ”MAPO”.

Pjesë nga intervista

Ndryshe nga ju, a ka edhe që e besojnë se Berisha është fitues?

Po, ka edhe të tillë. Njerëzit duan dikë që t’i çojë në fitore. Është e natyrshme, e drejtë. Berisha ka vënë një bast të rëndë me demokratët dhe zgjedhësit opozitarë: Ndoshta vjen Tramp, ndoshta ma heqin shpalljen “non grata”, ndoshta e fitoj çështjen në Paris… Një seri “ndoshta”-sh, në hava. Në zgjedhjet e 6 marsit ai e tendosi në ekstrem përpjekjen gjashtëmujore. I ka marrë gjithë votat e mundshme.

Kurrë nuk do të jetë kaq e madhe sa më 6 mars paqartësia në favor të tij. Kurrë nuk do të jetë aq e vogël hapësira e konkurrencës së tij. Kurrë nuk do të mund të zhvillojë një fushatë kaq të pabarabartë në dëm të palës tjetër, sa kësaj radhe. Shanset e tij për t’u rikthyer te fitorja në vitin 2005 u ideuan dhe u sendërtuan në një kontekst krejt tjetër nga ky i sotmi, ku autori këtyre radhëve, ka pasur një rol.

Kuadri i atëhershëm dhe kuadri i sotëm s’kanë të krahasuar. Gjëja më e mirë që mund të bënte Berisha sot është të investohet për bashkimin duke qëndruar vetë mënjanë. Realisht mënjanë, jo si me Bashën ku me protagonizmin e tij ka bashkautorësinë e plotë në humbjet e PD-së, edhe pas vitit 2013.

Nga ana tjetër, shumë pyesin a dështuan SHBA dhe ambasadorja Juri Kim, a ishte një veprim jo i llogaritur mirë apo një aksion i pa çuar deri në fund shpallja “non grata” e Berishës?

Mendoj se SHBA nuk janë nisur e nuk nisen nga kalkulime të këtij lloji. Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë bërë të qartëe se shpalljet “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë mbështeten në legjislacionin e tyre dhe në informacionin që mbledhin, shkëmbejnë dhe shoshitin një mori institucionesh, departamente dhe agjenci si FBI, CIA e tjerë. Pra nuk janë politike. Veç kësaj, SHBA nuk janë duke luajtur ragbi me të shpallurit “non grata”, prej tyre. Nuk ua lejon madhështia.

SHBA e kanë shpallur antikorrupsionin si përparësi të politikës së tyre të jashtme. Ata kanë bërë shpalljet dhe kanë paralajmëruar të tjera. Kanë paralajmëruar ndërprerjen e marrëdhënieve me parti që drejtohen nga “non grata”. Kanë kërkuar të nisin hetimet në Shqipëri që ata t’u përgjigjen SPAK-ut për provat që u kërkohen. Më tej, u takon organeve të drejtësisë, partive dhe qytetarëve shqiptarë të reagojnë.

Të mos presë kush që SHBA t’i mbajnë dorën ndokujt si të votojë. Kjo është kundër principit mbi të cilën është ngritur fuqia e atij vendi. Por jam i bindur se mbështetja amerikane për të luftuar pandëshkueshmërinë në Shqipëri, do të forcohet. Ky është premtimi për popullin shqiptar që SHBA po e mbajnë e do ta mbajnë deri në fund. Shqipëria nuk çlirohet dot nga zgjedha e kastës plurale njëzetepesë vjeçare pa mbështetjen e fuqishme amerikane.

Gjatë këtij muaji dhe ne vijim, SHBA po udhëheqin aleancën e kombeve të lira në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit barbar të Rusisë. Ata që kanë menduar të shfrytëzojnë fokusimin e saj në Ukrainë për t’i bërë ndonjë gol këndej nga Tirana, ma merr mendja se i kanë bërë llogaritë gabim.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit