Home Forum Pse Perëndimi...

Pse Perëndimi mbështet një Himarë të kontrolluar nga Shqipëria dhe jo nga Berisha dhe Greqia?

537
0

Nga Kreshnik Spahiu

Lufta mes Greqisë dhe Shqipërisë s’është për 5 mijë lekëshin e Fredi Belerit. Lufta e BE kundër vetos Athinës s’është kundër 5 mijë lekëshit të votave që bleu Beleri. Kancelari Scholz, presidenti Macron nuk po deklarohen çdo ditë kundër Greqisë sepse janë të shqetësuar për 5 mijë lekëshin në xhepin e Belerit. E gjithë kjo përplasje nuk ndodh për Belerin, por për Himarën.

Problemi i Athinës apo pengesa e Greqisë nuk është Edi Rama por Perëndimi. 25 vite më parë Greqia për të njëjtën arsye e izoloi Shqipërinë në fazat e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim në BE për të njëjtën arsye. 4 minoritar grek u arrestuan nga drejtësia shqiptare, por në ato vite Greqia kishte në krah SHBA dhe BE.

Vitet 1995-1997 ishin një betejë e ashpër e cila u kurorëzua me hapjen e depove me armë dhe përmbysjen me dhunë të qeverisë Berisha e cila refuzoi kërkesat e Washingtonit për lirimin e 4 minoritarëve grek që akuzoheshin për vrasjen e masakrës së Peshkëpisë.

Pyetja shtrohet: Pse sot Washingtoni dhe Brukseli nuk janë në krahun e Greqisë por janë hapur pro Shqipërisë?

Thelbi i konfliktit nuk është kërkesa e Greqisë për çlirimin e Belerit, por për helenizimin e Himarës. Shërbimet inteligjente kanë njoftuar qeverinë shqiptare dhe partnerët euroatlantik që Athina ka projekt helenizimin nëpërmjet marrjes së bashkisë Himarë dhe kërkesave për një asociacion të bashkive greke duke u bashkuar me Dropullin dhe Finiqin.
Amerika dhe Europa nuk mund të lejojnë Zajednica 2 në Ballkan.

Perëndimi ka treguar jo vetëm shenja lodhjeje por dhe nervozizmi me veriun e Kosovës një konflikt i krijuar nga nacionalistët serb prej të cilit po shpenzohet shumë kohë, energji, financa, burime njerëzore dhe ushtarake prej vitesh. Një Himarë e kontrolluar nga Athina do ishte një minë me sahat për stabilitetin në rajon.

Fredi Beleri ra në rrjetën e drejtësisë por konflikti nuk është 5 mijë lekëshi por 5 mijë problemet dhe 5 mijë pretendimet nacionaliste etnike helene që Athina do krijonte në jugun e Shqipërisë. Edi Rama nuk është armiku i Greqisë sepse edhe ai ka mandatuar një grek në krye të Bashkisë.

Edi Rama nuk është pengesa e Athinës sepse ai e ka favorizuar shumë Fredi Belerin. A e dini që Rama po e trajton Belerin më mirë se kryetarët shqiptarë të bashkive qe ka shkarkuar? Pse nuk mbledh qeverinë dhe ta shkarkojë Belerin:

– njësoj si shkarkoi Shukri Xhelilin në Dibër?
– njësoj si shkarkoi Valdrin Pjetrin në Shkodër?
– Njësoj si Lefter Allën në Bulqizë?
– njësoj si Safet Gjicin në Shkodër?

Dhe në fund: Pse kryeministri Rama dhe presidenti Begaj nuk shpallin zgjedhjet e parakohshme në Himarë por presin vendimin e formës së prerë nga gjykata? Pse kryetarët shqiptarë të bashkive nuk u prezumuan të pafajshëm deri sa ti dënonte gjykata?

Për të gjitha këto arsye Greqia duhet kuptojë se Edi Rama nuk është prokurori i Belerit por avokati i tij. Rama po e përkëdhel pak si shumë rastin Beleri duke mos shpallur zgjedhjet e parakohshme. Athina është e nervozuar jo sepse Rama ka burgosur Belerin, por sepse SHBA dhe BE janë bërë avokate të Shqipërisë në këtë debat.

Përgjigja është e thjeshtë: Amerika dhe Europa duan paqe dhe stabilitet. Perëndimi nuk mund lejojë që shërbimet ruse dhe kineze të penetrojnë në rivierën shqiptare me investime në industrinë e turizmit njësoj siç ndodhi vite më parë në Greqi, Mal të Zi, Serbi apo Maqedoni. Ato e kanë të qartë se Beleri nuk fitoi me 10 vota plus nga votat e minoritetit grek por nga votat që Berisha-Meta bashkuan me Athinën. Për këto arsye, Washingtoni dhe Brukseli duan një Himarë që kontrollohet nga qeveria dhe Shqipëria por jo një Himarë të “pushtuar” nga Berisha dhe Greqia.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit