Home Forum Rinia ”...

Rinia ”toksike” ende në kafazin e politikës!

98
0

Nga: Redjon Shtylla

Ky 8 dhjetor e gjen rininë shqiptare në udhëkryq. Ikja nga vendi dhe trishtimi për të gjetur një vend pune, e kanë bërë rininë të pashpresë. Në Ditën Kombëtare të Rinisë, të rinjtë shqiptarë vijojnë të qëndrojnë para dyerve të ambasadave për të ikur shpesh edhe pa kthim nga Shqipëria.

“Rrotullohemi ku të duam dhe shkojmë sërish te të njëjtat arsye. Tek punësimi, niveli i jetesës, pagat më të larta. të gjitha këto. Është çështje ekonomike domethënë. Nuk është dëshira që largohemi nga vendi. Jemi të detyruar”. Të rinjtë po e shprehin zhgënjimin duke braktisur shtëpitë e tyre. Largimi në masë dhe i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.

Pas 33 vitesh, ku është sot kjo rini? A përngjajmë në idealet e rinisë së 90’? ”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, buçiste nga të rinjtë që kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Sot në auditore, në kafe e kudo në bisedat e thjeshta në rrugë, dëgjojmë e shohim që kemi një rini me synim dhe thënien ”Shqipëria nuk bën”, me dëshirë për të ndërtuar një jetë të re në Europë. Kakofonia e një politike të zymtë, përçarse, dhe ligjërisht jo zhvilluese ndaj rinisë, e kanë kthyer ikjen nga vendi, një shpëtim për trurin e së ardhmes, edhe pse jashtë këtë rini nuk e pret ”luksi”, por paketa e një politike ndihmuese dhe zhvilluese është dhurata e parë.

Sot kemi një rini toksike. Veprimtaria toksike shpërfaqet në formën e dëmtimit emocional, psikologjik ose social të të tjerëve. Duke filluar nga gjuha ofenduese online deri te konfliktet reale, toksiciteti ka një gamë të gjerë dhe duket mjaft i pranishëm. Disa argumentojnë se rritja e sjelljeve toksike tek të rinjtë lidhet me ndryshimet shoqërore dhe zhvillimet në normat.

Kjo politikë e sotme ka ndërruar veç maskën, pasi e përdor rininë si trampotinë për tu hedhur në realizimin e synimeve të pushtetit, autoritetit, luksit dhe sidomos për pasurimit e vet. Rininë e kanë si maskë, e përdorin si imazh në zgjedhje, që të mbushin sheshe, si manekina për mbajtjen e pushtetit. Rinia është në një kohë trampoline, ku e hedh politika sa herë të dëshirojë, luan dhe i tregon sesi të reagojnë.

Të rinjtë intelektualë janë ata që do ta çojnë Shqipërinë në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor. Rinia ka problemet e saja, por një qeveri që di dhe ka elementët e duhur, rininë tonë e çon në një dimesion tjetër, pasi talentet shqiptare po korrin suksese në botë, dhe e kanë treguar se janë kafshë pune, por sot kemi një rini që është kafshë pune në kafazin e politikës.

Nëse para 33 vitesh u rrëzua muri i diktaturës, sot është koha që hapim kafazin në të cilin politika e ka futur rininë dhe bllokon lirinë e tyre për të marrë në dorë Shqipërinë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit