Home Kultura Robert Ndreni...

Robert Ndrenika flet për jetën, dashurinë, familjen dhe raportin me TikTok-un

650
0

Robert Ndrenika ishte i ftuari i radhës në podkastin “Zë me Mirën” dhe ndau disa detaje të veçanta dhe të rralla nga jeta e tij, familja, dashuria për bashkëshorten e ndjerë, filmat, si dhe marrëdhënien që ka me rrjetet sociale. Aktori tregoi kujtimin më të fortë që i ka mbetur nga fëmijëria, duke u shprehur:

“Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj, etj… Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin te radha e burrave. Radha ishte: Një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha te burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: “O baba, ç’më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë” dhe babai i këputi një të sharë dhe Roberti e kuptoi që duhet ta mbyllte gojën.

Rrjedhimisht, Mira e pyeti se ç’e keqe vjen nga fjala dhe aktori u përgjigj me një shprehje popullore: “Thonë disa që gjuha hekur s`është, po hekur thyen”.

Roberti foli për kujtimet që ka për nënën e tij:

“Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash-avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e gjuhës, e gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë. Natyrisht babai njëçik më i rreptë”.

Megjithëse sot Roberti është një prej figurave më të njohura të kinemasë shqiptare, ai tregoi edhe një moment kur nuk e pranuan në aktrim, pasi ishte i imët në trup. “Radhën e parë më skarcuan sepse isha pak a shumë minoren në trup edhe në bukuri. Isha i paformuar. Gjatë shkollës pedagogët më zbuluan këtë anën profesionale, anën e talentit”.

Gjatë kohës kur ishte student, Roberti u njoh edhe me dashurinë e jetës së tij, Poliksenin, me të cilën sipas tij, ka shkuar “relativisht mirë”. Kur Mira e pyeti se pse thotë “relativisht mirë”, Roberti u përgjigj:

“Po se s’ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç’bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s’mund të thuhen këtu”. Ai shtoi se Polikseni mund të ketë ndjerë edhe xhelozi gjatë kohës kur ishte gjallë.

Roberti është edhe babai i dy vajzave, Elenës, që jeton në Gjermani dhe Dianës, e cila jeton në Tiranë. Ai tha se prej disa vitesh nuk shkon më në Gjermani, por bëri edhe një krahasim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Aktori risolli një shprehje greke, e cila ka kuptimin: “Shtëpiza ime sado e vogël, po qoftë edhe kasolle e keqe, është shtëpia ime”, çka do të thotë se Shqipëria, sado e vockël, mbetet shtëpiza e tij.

Roberti tregoi edhe sesi e kalon ditën dhe theksoi se nuk ka një jetë shumë aktive: “Nuk e kam shumë aktive (ditën). Duhet ta kem më aktive. Sidomos në lëvizjet fizike. Deri diku jam i dembelosur, që nuk është mirë. Mundohem të mos ha shumë. Me keqardhje, por ka filluar të më pëlqejë krevati. Është gjë e keqe shumë”.

Por, u ndal edhe te marrëdhënia që ka me telefonin, veçanërisht me TikTok-un. Mbesa e tij, Ana Maria e poston shpesh në TikTok dhe prej saj, Roberti e njeh rrjetin social më të famshëm të momentit. Ai tha se kohët e fundit e ka mësuar se ç’është TikTok-u dhe se në këtë medium sheh ndonjëherë ca gjëra me vlerë.

“E ke në celular TikTok-un?”, e pyeti Mira dhe Roberti pohoi se e ka. Nuk ka një llogari në emrin e tij, por ama, sheh gjërat që i dërgojnë nga aplikacioni. Rrjedhimisht, aktori tha se i pëlqen interneti dhe kalon një pjesë të mirë të kohës me telefon në dorë.

Robert Ndrenika iu përgjigj edhe disa pyetjeve të shkurtra dhe përmes tyre, zbuluam disa pikëpamje të aktorit.

Tipari që Roberti vlerëson më shumë te njerëzit është mirënjohja dhe mosmirënjohja. “Kur ekziston mirënjohja më pëlqen shumë. Mosmirënjohja them është gjëja më e keqe”.

Si ushqim të preferuar ka sallatën jeshile, me limon, pak kripë dhe pak vaj ulliri. Roberti nuk gatuan vetë, por konsumon vakte në disa gjellëtore dhe mensa. Ai tregoi se e merr në shtëpi, të paketuar dhe e ha direkt atje, pa bërë pis pjata. Këtë e ka praktikuar gjatë kohës kur bashkëshortja e ndjerë ishte sëmurë. “Gjatë kohës që (Polikseni) ishte sëmurë ajo edhe gatuaja me thënë të drejtën. Se në atë kohë s`kishte nga këto”.

“I keni shërbyer asaj shumë?”, e pyeti Mira Kazhani dhe Roberti u përgjigj: “Po deri diku. Nuk mund të ankohet atje ku është”.

Roberti dha edhe një këshillë për të rinjtë: “Të luftojnë me jetën. Të përpiqen gjithmonë. Mos të bien në disfatizëm. Sidomos nuk më pëlqejnë këto të ashtuquajturat sëmundje të sotme. Si quhen këto?”, referuar ankthit dhe depresionit.

Ai shtoi: “Atë ta luftojnë. T’i japin forca vetes. Se po bëhet sëmundje. Dikur thoshin që është e suedezëve, norvegjezëve. Po do ti që na ka ardhur këtu tani. Gjithmonë njësia e masës ka rëndësi në çdo vend. Mos e tepro gjithmonë! Qoftë për mirë e qoftë për keq”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Showbizi

Më shumë nga Showbiz

Lajmet e Fundit

Te Fundit