Home Pyetje Psikologut Rubrika “Pyet...

Rubrika “Pyetje Psikologut”: Marrëdhënia gjyshër-nipër/mbesa, si të ruajmë balancën

120
0

E dashur Psikologe,

Po të drejtohem me dëshirën e mirë për një zgjidhje të një situate familjare.

Prindërit e mi para disa ditësh shkuan me pushime dhe morën me vete dhe vajzën time. Unë i kisha blerë një libër në anglisht, në mënyrë që ta lexonte gjatë pushimeve. Ajo kishte refuzuar ta lexojë dhe për këtë babai im kishte humbur kontrollin dhe jo vetëm e ka trembur për shkak të tonalitetit të lartë dhe urdhërues në leximin e librit, por kishte tentuar ta gjuajë me shpullë.

Konflikti ka nisur kështu: vajza e ka kundërshtuar për të lexuar dhe babai im (gjyshi i saj) i është drejtuar me fjalë të tilla si: “Vajza ime rropatet tërë ditën në punë, e të blen libra ty dhe ti hedh poshtë mundin e saj”. Më pas vajza ime i është drejtuar duke i thënë: “Kush flet, ti që nuk ke lexuar një libër në jetë në anglisht” dhe gjyshi nuk ka duruar dhe ka tentuar t’i gjuajë me shpullë, por vajza është shmangur.

Pata një debat të fortë me babain tim lidhur me këtë situatë që nuk duhet të kishte shkuar deri këtu. Duke qenë se, ka probleme me zemërimin ai shpërtheu dhe më tej duke më thënë: “Do ja dëgjosh shpejt zërin tët bije”..Kam nevojë për një opinion tuajin edhe pse për një çështje si kjo që mund të duket banale. Kush është fajtori dhe si mund të parandalohen situata të tilla në vijim, pasi ndjehem vërtet keq?

Me respekt për punën tuaj,

L.H

——————————————————————————————————————

E dashur L,

Uroj të jeni sa më mirë.

Më vjen keq që jeni ndjerë e frustruar në një situatë të miksuar emocionesh. Je vendosur në rolin e arbitrit me një vështirësi të natyrshme për të gjetur një mes të artë në këtë histori. Sigurisht, kur fëmijët janë në moshë të vogël, por jo më pak ne të rriturit, mezi presim pushimet verore, si një mundësi që përjashton angazhimin nga detyrimet, qofshin këto dhe lexim librash.

Fëmijët ende nuk janë të themeluar për domosdoshmërinë e leximit të librave jashtë shkollorë si formë e zhvillimit të mëtejshëm të tyre dhe ende nuk i është kthyer në kënaqësi leximi i librave. Fakti që vajza nuk ka lexuar librin nuk mund të fajësohet. Mendoj që gjyshi i saj ka qënë mbireagues si dhe stimulues në provokim për sjelljen e vajzës.

Nga ana tjetër vajza ka treguar mungesë respekti për figurën e gjyshit – si formë reagimi ndaj provokimit të tij, duke i thënë: “ Ti nuk ke lexuar një libër në jetën tënde në anglisht”. Pra, ka përdorur një mekanizëm psikologjik mbrojtës për të eksteriozuar “sulmin psikologjik” të gjyshit, i cili dëshironte ta bënte të ndjehej në faj lidhur me mos leximit e librit gjatë pushimeve.

Gjyshi duke qenë dhe në moshë, i është thyer autoriteti nga një moshë më e vogël se ai dhe ka reaguar me dhunë fizike ndaj mbesës. E dashur L, dhuna psikologjike dhe fizike nuk duhen lejuar në asnjë moment të rritjes së vajzës.

Identifikimi i problemeve si: 1. Vendosja në faj e vajzës tënde (që po shpenzon më kot djersën e mamasë, pra mundin Tuaj), ka krijuar një asosacion të librit me ndjesinë e fajit dhe ndaj gjyshi nuk ka arritur të bindë mbesën.

  1. Më duhet të di specifikisht moshën e vajzës tuaj! Nëse është në paraadoleshencë apo adoleshencë ku ndryshimet e vrullshme fizike sidomos tek vajzat bëjnë që ato të përjetojnë më shumë ankth, për rrjedhojë përgjigja e saj ndaj gjyshit mund të jetë e lidhur indirekt me këtë ankth të moshës. Gjithashtu, kjo vajzë mund të jetë duke eksperimentuar role siç është kthimi i përgjigjes ndaj autoritetit (gjyshit) derisa identiteti i saj të kurorëzohet me sukses gjatë periudhës së moratoriumit.

– Nëse vajza është duke ndjekur ciklin fillor rekomandohet të flitet me të për termat e respektimit të autoritetit. Gjithashtu, sugjerohet të komunikohet me shumë mjeshtëri, pa e intimiduar për imazhin që po krijon për veten, si një fëmijë që po guxon të ballafaqohet me autoritetin, si të ishte e rritur. Vajza është duke krijuar personalitetin e saj dhe është e rëndësishme t’i flitet për aftësinë përballuese të situatava të vështira, siç ka ndodhur në këtë rast.

  1. Gjyshi me sjelljen në të cilën ka tentuar ta godasë mbesën me shpullë, si formë bindje finale të vënies së autoritetit të tij në vend, ka treguar që, nëse dikush është më i madh, më i fuqishëm, dhe ti nuk bindesh me fjalë, ai mund të të godasë. Kjo, nuk është një sjellje që i duhet rrënjosur vajzës tënde. Frika dhe dhuna nuk ndërtojnë, dashuria po. Nëse gjyshi do kishte qenë pak më i duruar dhe me një tonalitet të ulët do i kishte shprehur mbesës, sesi u ndje me kthimin e fjalës së saj, gjërat do të kishin patur tjetër rrjedhë.

Nëse do të merrte përgjegjësitë e lëndimit të mbesës duke iu drejtuar: “Gjyshi të kërkon falje pasi nuk donte që të lëndonte më parë”, mbesa ndoshta nuk do kishte reaguar në atë formë. Në këtë mënyrë ne i mësojmë fëmijës gjithashtu si të kërkojë falje kur gabon, së pari duke dhënë shembullin tonë.

Gjithashtu, nëse mbesa nuk bindej të lexonte librin, për ti dhënë asaj shembullin e mirë mund të merrte vetë një libër për të lexur, apo të hapte biseda lidhur me faktin sesi X. Y individë të suksesshëm në jetë kanë qenë lexues të zjarrtë gjatë fëmijërisë. Kjo sjellje do e kishte nxitur më shumë leximin dhe do të ndihmonte në krijimin e kujtimeve të mira tek ajo.

E dashur L, në dinamika të tilla konfliktesh familjare përfshihen shumë prej familjeve shqiptare, pasi akoma brezat nuk janë vetëdijësuar për këputjen e zinxhirëve të modelimit të dhunës, e cila fatkeqësisht shpeshherë zëvendëson atë që fjala nuk e bën.

Të inkurajoj fort:

  1. Të zhvillosh një bisedë ndërtuese me vajzën tënde
  2. Ta dëgjosh në mënyrë aktive sesi ajo është ndjerë nga sjellja e gjyshit
  3. Cila do ishte mënyra më e mirë që vajza jote duhet të kishte reaguar dhe sjellur ndaj gjyshit.
  4. Për cfarë duhet të vetëdijësohet nga kjo ngjarje, nëse një rast i tillë do i ndodhë në të ardhmen nga një autoritet tjetër (shef, shefe, etj). A duhet të frikësohet se do ndëshkohet apo të vazhdojë të ballafaqohet, por në një mënyrë më të moderuar ku nuk ka pasoja për jetën e saj?

Rruga e prindërimit është rrugë e vështirë, por kam besim të plotë që do ja dilni mbanë kësaj situate por dhe të tjerave në vazhdim.

Psikologe: Jonida Ucaj (Ponari)

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit