Home Editorial Shansi i Taul...

Shansi i Taulant Ballës për t’u pastruar si ministër

47
0

(Ky editorial shikohet më i plotë si video)

Taulant Balla u betua sot si ministër i Brendshëm. Ceremonia e betimit të Taulant Ballës u bë në Presidencë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaroi se do të bëj gjithçka të mos zhgënjej askënd në kryerjen me sukses të detyrës së Ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.

Por opozita nuk i ka kursyer asnjëherë sulmet ndaj Taulant Ballës.

Taulant Balla është sulmuar nga PD si njeri i lidhur me krimin e organizuar, si njeri që shkonte ku kishte përplasje bandash dhe si politikan i përzier në afera të ndryshme.

Në fakt të vish ministër pas një ministri paraardhës korrekt, civil dhe i papërzier në lidhje me krimin, duket shumë e vështirë për Taulant Ballën.

Ministri që u largua, Bledi Çuçi, ishte ministër perëndimor.

Taulant Balla ka fatin e mazhorancës në dorë nëse qëndron korrekt, por ai ka edhe shansin e jetës së tij për tu pastruar nga akuzat e rënda që siç thamë nga opozita nuk kanë munguar. Bile me shumë është sulmuar Taulant Balla se sa kryeministri Rama për lidhje me bandat kriminale.

Ministri i ri i brendshëm duhet të na tregojë publikisht se do të arrestojë dhe çojë para drejtësisë të gjitha bandat në Shqipëri, por pikësëpari ata emra bandësh për të cilën ai është akuzuar.

Nga sot ministri i ri ka edhe gurin, edhe arrën në dorë, ndaj nuk mund të justifikohet para askujt se nuk mund ti luftojë bandat, krimin, etj.

Taulant Ballës seriozisht që i ka ardhur shansi në dorë për t’u patruar nga akuzat.

Nuk e kemi fjalën që si ministër ai të mbyllë apo zhdukë dosje për të cilat është akuzuar. Ai duhet të vendosë dorë të hekurt në krejt policinë e shtetit, duke mos lejuar shkeljen e ligjit dhe rendit publik në Shqipëri.

Të jesh ministër i brendshëm në Shqipëri është post i vështirë. Eshtë një detyrë që nuk fle normalisht, pasi duhet të jesh në punë 24 orë.

Dhe ministër i brendshëm nga PS-ja nuk është ndonjë privilegj të jesh, sepse koha ka treguar se edhe burra më të mirë se Taulant Balla janë djegur dhe përcelluar.

Taulant Balla duhet të kuptojë se tani është shumë lart në raport me politikën, sidomos me ata që e kanë kritikuar apo akuzuar. Por sa më lart ngjitesh, në shumicën e rastëve, aq më e madhe është rënia në humnerë.

Ndaj zoti Balla rri korrekt me ligjin dhe ndëshko po me ligj para drejtësisë krejt bandat në Shqipëri, sepse posti i ministrit të brendshëm ka treguar se dihet se kur hyn në atë zyrë, por nuk dihet kur dhe si del nga ajo karrike me gozhda.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit