Home Aktualitet Shkëlqimi dhe...

Shkëlqimi dhe rënia politike e Arben Ahmetajt

48
0

2024 shënoi zyrtarisht fundin politik të Arben Ahmetajt. Politikani i cili shkallët e karrierës nuk i ngjiti asnjëherë një nga një, arriti të merrte postet më të lakmuara të ekzekutivit shqiptar ku në duart e tij qarkullonin financat shqiptare. Ndonëse arsimimi i tij në gjuhën angleze nuk përkonte me menaxhimet financiare, ajo shërbeu si start për të hyrë në botën e financave, e nga financat tek jo publike tek paratë e shtetit.

Posti i parë i Ahmetajt në kostumi ne zyrtarit të lartë ishte ajo e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Financave në vitin 1997-1998 e më pas të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për 12 muajt pasues. Pas Tatimeve, Ahmetaj pati një pauzë në postet e larta shtetërore, për t’u emëruar në vitin 2003 në postin e zëvendësministrit të Energjisë dhe Industrisë e një vit më vonë në postin e zëvendësministrit të Integrimit Europian.

Ndonëse socialistët ikën nga pushteti në vitin 2005, Arben Ahmetaj hyri në sallën e parlamentit duke marrë mandatin e deputetit. Deri në vitin 2013 ai ishte ndër zërat kryesor opozitar të Edi Ramës në Komisionin e Ekonomisë të cilët i bënin oponencë qeverisjes së Sali Berishës, oponencë e cila u shpërblye në vitin2013 kur Edi Rama hyri për herë të parë në godinën e Kryeministrisë duke bashkuar një portofol ministrish për të.

Arben Ahmetaj mori detyrën e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2016 kur arriti të merrte besimin e Edi Ramës për t’u emëruar Ministër i Financave. Këtë detyrë Ahmetaj arrit ta mbante edhe në fillim të mandati të dytë të Edi Ramës deri në dhjetorin e vitit 2018 kur ai u shkarkua nga detyra ekzekutive për t’u zgjedhur kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në parlament. Por qëndrimi larg ekzekutivit ishte për një kohë të shkurtër.

Pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019, Arben Ahmetaj rimori besimin e Edi Ramës për ta rifutur në qeveri, këtë herë për të menaxhuar paratë e rindërtimit. Puna e tij në këtë dikaster duket se bindi Edi Ramës që ta bënte numrin dy të qeverisë shqiptare deri në 25korrikun e vitit 2022 kur u shkarkua nga ky post. Këtu nisi edhe rënia e shkëlqimit të Arben Ahmetajt, ku pas largimit nga ekzekutivi nisën fletëthirrjet e një pas njëshme nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin që e vuri nën akuzë për aferën e inceneratorëve.

Por pavarësisht se Edi Rama nuk e donte më, ai vijoi të shkonte në parlament deri në datën 6 korrik të vitit 2023, kur nisën zyrtarisht edhe procedurat e arrestit për të. Arratia nga vendi ishte rruga që ish-numri dy i qeverisë zgjodhi duke shmangur përballjen me drejtësinë. Socialistët nuk e përjashtuan për asnjë moment nga grupi parlamentar sepse 6 muaj erdhën shumë shpejt, kohë e mjaftueshme që Kuvendi t’i ndërpriste mandatin dhe KQZ të niste procedurat për zëvendësimin e tij si deputet. Tashmë pas afro 19 vitesh Ahmetaj nuk do të ketë më koperturë politike. /A2cnn/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit