Home Forum Spartak Ngjel...

Spartak Ngjela: Ferri është vuajtja e të qenit i paaftë për të dashuruar

49
0

Nga Spartak Ngjela

Çfarë është dashuria?
I.
Ky qytetërimi i sotëm është filozofi, letërsi, art dhe dashuri, ku në qëndrën e tij është vajza dhe gruaja e bukur.
Kurse dashuria ka sjellë romanin, pikturën dhe muzikën e bukur.
Fjodor Dostojevski thotë”
“Çfarë është ferri? Unë e pohoj që ferri është vuajtja e të qenit i paaftë për të dashuruar.”
E pra, kjo nuk ka diskutim… se dashuria është gjendje më shumë se mendim. Dhe Dostojevski e ka kapur me gjenialitetin e tij.
Dostojevski e vendos dashurinë në parajsë, se është shkrimtar i madh dhe e di që i gjithë talenti që ka, si inspirim krijues në letërsi, atij i ka ardhur nga dashuria.
A keni lexuar një roman të shëmtuar? Ai është i tillë se nuk ka dashuri për gruan e bukur.
Kurse…
Merylin Monroe ka thënë: “Një grua e bukur është si një kryevepër arti që i takon të gjithë njerëzimit.”
Pse, a nuk na e provoi kinematografia këtë thënie të theksuar nga Merylin Monroe?
II.
Unë mendoj se pyetja kryesore është kjo:
Po çfarë është gjendja e dashurisë?
Për faktin që dashuria është shumë e bukur, shumë shpirtërore dhe shumë inspiruese, por që ajo nuk mund të përcaktohet saktë se çfarë është në të vërtet, mund të themi se dashuria është një gjendje e veçantë që hyn dhe krijon gëzimin e jetës.
Sepse:
dashuria e burrit për gruan, kalon nga bukuria e gruas apo vajzës, tek ndjenja e burrit; nga ndjenja e burrit te dashuria e tij; nga dashuria e tij te krijimi artistik për të bukurën; nga krijimi artistik i të bukurës, te kryevepra artistike, ku, aty brenda, zhvillohet, me fjalë, me figura letrare dhe artistikisht, bukuria dhe shpirti i gruas.
III.
Romani i madh i një shkrimtari, është inspirimi që atij i vjen nga gruaja apo vajza e bukur që ai dashuron. Kompozimi i madh në muzikë, është dashuri, dashuri e dështuar, hakmarrje për tradhtinë dhe, më në fund, dashuri sërish… e kështu deri në mbarim të jetës. E tillë është edhe tragjedia në teatrin dramatik.
Po dashuria e gruas çfarë është?
Dashuria e gruas nuk mund të përcaktohet nga një burrë. Kurse, vetë gruaja, deri tani, nuk e ka treguar. Kompleksiteti i dashurisë së gruas, brenda tij, është një kryevepër magjike arti. Por këtë sekret e di vetëm gruaja.
Po pse nuk e tregon?
Gruaja nuk e tregon, sepse ende në këtë qytetërim, morali ka karakter mashkullor.
Po morali mashkullor, si është krijuar?
Morali mashkullor është krijuar thjesht nga xhelozia e burrit për gruan, dhe imponohet prej tij, sepse në familje, por edhe në dashuri, edhe në shoqëri, pushtetin ende e ka burri.
Por…
E keni parë dashurinë e lirë, të cilën po e sjell moderniteti?
Kjo e dobëson në dashuri pushtetin e burrit të xhelozuar, veçse, tani për tani është vetëm fillimi…

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit