Abrashi bën me “dhimbje koke” Rejën, stërvitet veçmas nga grupi
Amir Abrashi është problemi i radhës për trajnerin Edy Reja, që ditë pas dite, humbet elementë të rëndësishëm nga përgatitjet që po vijojnë në Gjermani. Mesfushori i Freiburgut, i cili kishte pësuar një dëmtim në stërvitjen e pasdites së të hënës, nuk është stërvitur me grupin në seancën e radhës. Ai është parë i veçuar, pasi ka ndier shqetësime nga goditja e marrë një ditë më parë.
Diçka që për momentin nuk paraqitet problematike për trajnerin Edy Reja, por që mund të kthehet në një shqetësim për italianin, duke parë që nga dëmtimet është detyruar të heqë dorë nga disa lojtarë në këtë grumbullim të parin për të.
Sa i përket seancës stërvitore, ajo ka nisur rreth orës 10:00, me trajnerin që e ka patur në dispozicion të gjithë pjesën tjetër të grupit, dhe pas ushtrimeve të lehta fizike ka vazhduar me përgatitje tekniko-taktike, pavarësisht se nuk ka dhënë ende detaje të atij që mund të jetë formacioni i Kombëtares për ndeshjen me Islandën. Stërvitja e radhës e kuqezinjve do të jetë pasditen e kësaj të marte, në orën 17:00.
KOHA JONË SONDAZH

