Ançeloti te Napoli, Panuçi ka një mesazh për të në lidhje me Hysajn
Trajneri i Kombëtares sonë, Kristian Panuçi është i pari që ka reaguar për zhvillimet e fundit në Itali. Marrja e drejtimit të Napolit nga Karlo Ançeloti është zhvillimi më i rëndësishëm në vendin fqinj, dhe për strategun tonë, ai do të bëjë mjaft mirë te të kaltrit. Në intervistën e dhënë për “Sky Sport” ai ka komentuar edhe zgjedhjen e Mançinit në krye të Italisë si dhe për largimin e Bufonit.
“Ançeloti në krye të Napolit rrit nivelin e Seria A. Trajnerët tanë më të zotë janë të gjithë jashtë vendit. Napolit do t’i sjellë një imazh të jashtëzakonshëm. Një goditje e madhe për gjithë futbollin italian. Sarri i ka dhënë një ide loje ekipit, që e kanë vlerësuar të gjithë. Ançeloti është një administrator shumë i mirë, ka drejtuar kampionë të mëdhenj dhe pikën e tij të forcës e ka te prakticiteti.
Do të bëjë një punë të madhe te Napoli, duke i sjellë rezultate. Ngjan pak si kalimi mes Sakit dhe Kapelos te Milani. E veçanta e Ançelotit? Më ka bërë përshtypje ana e tij humane. Ka një personalitet të jashtëzakonshëm dhe hyn në kokën e lojtarëve. Për këtë u surprizova, kur u shkarkua nga Bajerni. Jam i bindur se mënyrë e tij e punës do t’i sjellë rezultate Naoplit.
Unë do t’i thosha Ançelotit që të mos shiste Hysajn, sepse e kam te Shqipëria (qesh, ed). Sigurisht që ai do të ketë marrë garanci për disa lojtarë të rëndësishëm, sepse Napoli për të fituar titullin dhe për të konkurruar në nivel evropian duhet të blejë lojtarë të rëndësishëm.
Mançini tek Italia? Në kombëtare ka pak kohë për të punuar, duhet të kesh 2-3 koncepte. Edhe ai t’i të stërvitë kampionë të mëdhenj. Një trajner praktik, i duhuri për Italinë.
Largimi i Bufon? Nëse ka dëshirë, është e drejtë të vazhdojë të luajë. Ka mundësinë të luajë në një skuadër të madhe, që me siguri do të fitojë Championsin vitet e ardhshme. I uroj fat!”, ka thënë Panuçi.
KOHA JONË SONDAZH

