Armand Duka, sot në Shkodër: “Loro Boriçi” mbyllet vitin tjetër
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ishte paradite në Shkodër, nga ku bëri të ditur se stadiumi “Loro Boriçi” do të përfundojë vitin e ardhshëm.
Muajin janar do të nisë edhe prishja e stadiumit “Qemal Stafa”.
Për t’i dhënë fund ngërçit që ka bllokuar punimet në stadiumin “Loro Boriçi” Duka vendosi të shkonte vetë në Shkodër.
Para se të takohej me anëtarët e Këshillit Bashkiak, presidenti i FSHF, Armand Duka, inspektoi rikonstruksionin e impiantit që ka ngelur në vend numëro për shkak të firmës së munguar në kontratë.
Duka ka sqaruar edhe një herë pretendimet e Federatës, ndërsa ka theksuar se mosmarrëveshjet me Bashkinë e Shkodrës kanë bllokuar financimin e UEFA-s.
Optimist se gjithçka do të zgjidhet, Armand Duka ka vendosur fillimin e vitit të ardhshëm si afat për përfundimin e punimeve.
Ndërkohë nga Federata Shqiptare e Futbollit zbardhen të tjera detaje sa i përket stadiumit të ri të kombëtares që do të ndërtohet në Tiranë dhe për të cilin pritet të shpenzohen 50 milion euro.
Prishja e impiantit ekzistues “Qemal Stafa” do të nisë janarin e ardhshëm, teksa përfundimi i tij do të kërkojë një periudhë dy vjeçare.
Po ashtu, konfirmohet projekti që parashikon një kapacitet me 22 mijë vende, me tribuna të mbuluara dhe hapësira të tjera shumëfunksionale.

