Barcelona nis bisedimet me avokatin e njohur për transferimin e Neymarit (VIDEO)
Barcelona është klubi i parë që ka nisur bisedimet zyrtare për transferimin e Neymar. Mediat iberike shkruajnë se sulmuesi brazilian i ka prishur marrëdhëniet me klubin parisien dhe ëndërron një rikthim të mundshëm në “Camp Nou”.Këtë mëngjes, avokati që zyrtarisht pagoi klauzolën prej 220 milion eurosh, Juan De Dios Crespo ka mbërritur në selinë e blaugrana. Avokati Spanjoll u shoqërua në zyrat e Presidentit Bartomeu nga Ariedo Braida. Crespo duke hyrë në selinë e Barcelonës mohoi për mikrofonat e TV El Chiringuito se takimi kishte të bënte me të ardhmen e Neymar. Bisedimet bijojnë ende, por nuk është arritur akordi.
Barcelona ofron kartonin e Coutinhos në shkëmbim kokë më kokë, por klubi parisien e cilëson shumë të ulët këtë ofertë, pasi kërkon të shoqërohet nga një shumë e lartë. Katalanasit nuk e kanë aspak të thjeshtë për të investuar pasi deri më tani kanë shpenzuar 200 milionë euro në merkato pas afrimeve të de Jong, Griezmann, Neto dhe Junior Firpo.
Klubi blaugrana kërkon të përfitojë nga fakti që Neymar kërkon largimin dhe kërkon që të përfitojë sa më shumë. Presidenti i PSG-së, Al-Khelaifi nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë pa një shumë më të madhe se 222 milionë euro, aq sa pagoi në vitin 2017. Oferta e radhës mund të jetë kartoni i Coutinhos plus një shumë të mirë financiare që mund të linte të kënaqur edhe francezët, që duan të investojnë edhe për transferimin e Paulo Dybala.
Nuk mund të harrohet që në garë për Neymar janë edhe Real Madrid, por dhe Juventus që ka avantazhin që në lojë është kartoni i argjentinasit, aq shumë të dëshiruar nga Leonardo. Deri në fund të verës priten zhvillime të rëndësishme, por hapin e parë deri më tani e ka hedhur vetëm Barcelona. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

