Bayerni nuk di të fitojë më në Bundesligë, Leipzig shkatërron Dortmundin (VIDEO)
Bayerni nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Stuttgartit, teksa për të tretën ndeshje radhazi nuk arrin të fitojë. Trajneri Nagelsmann kishte lënë pushim disa prej titullarëve dhe i dha mundësinë e debutimit nga minuta e parë, sulmuesit 17-vjeçar Mathys Tel, i cili nuk zhgënjeu, pasi në minutën e 36-të shënoi golin e tij të parë në Bundesligë, duke i dhënë avantazhin Bayernit.
Stuttgart barazoi me Fuhrich në pjesën e dytë, por vetëm tre minuta më vonë, Musiala shënoi një gol mjaft të bukur, duke rikthyer në avantazh bavarezët.
Megjithatë kur dukej se Bayerni do të rikthehej te fitorja, arbitri akordoi një penallti me VAR, pas një ndërhyrjeje të pakujdesshme të De Ligt në zonë dhe Guirassy shënoi golin e barazimit për Stuttgartin.
Bayerni mban përkohësisht kreun me 12 pikë, aq sa kanë edhe Dortmund. Verdhezinjtë pësuan një humbje të rëndë 3-0 në transfertën ndaj Leipzig.
Hungarezët Orban dhe Szoboszlai shënuan në pjesën e parë për Leipzig, ndërsa më pas mendoi Haidara për të vulosur suksesin e dytë sezonal të Leipzig, që me trajnerin Rose në pankinë synon rikthimin në pjesën e kreut të tabelës.
KOHA JONË SONDAZH

