Berisha: Jemi entuziast me trajnerin e ri, fitorja do na japë moral
Në prag të ndeshjes me Islandën, portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha doli para medieve nga Gjermania, ku theksoi se skuadra është përmirësuar pas afrimit të trajneri të ri.
“Atmosfera është e mirë, duke pasur parasysh që kemi një trajner që ka eksperiencë të madhe. Është munduar të kemi sa më shumë entuziazëm, tani për tani çdo gjë varet edhe nga rezultatet, mirëpo jemi të kënaqur si po kalojmë në stërvitje dhe jashtë saj.
3 pikët? Mbi të gjitha do të jetë edhe mirë për motivimin e ekipit. Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim dhe për moralin dhe vetëbesimin e ekipit do të thotë shumë. Do mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi kualitetet e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Lojtarët janë entuziastë dhe duan të shkojnë përpara.
Të gjitha ndeshjet që kemi bërë, si në Nations League si tani, janë gati të të njëjtit nivel me ne dhe diferenca është bërë nga gabimet tona. Besoj se tani do t’i eliminojmë këto gabime që na kanë kushtuar. Nëse diçka e tillë ndodh do të kemi mundësi të marrim rezultate pozitive. Nuk dua të them do marrim gjashtë, katër apo tri pikë. Nëse dalim mirë në këtë ndeshje do të kemi dhe shumë vetëbesim për ndeshjet e ardhshme.
Rivali? Mendoj që Islanda përveç lojës në ajër ka dhe kualitete të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë. Po punojmë mjaft mirë për t’i bërë ballë Islandës”, deklaroi portieri i kombëtares.
KOHA JONË SONDAZH

