Brazili, katër herë kampion i rruzullit tokësor (1994)
Nga Skifter Këlliçi
I vetmi rezultat i mahnitshëm në historinë e futbollit amerikan deri në vitin 1994 ishte fitorja krejt e papritur e përfaqësueses së saj diletante në Botërorin 1950 kundër Anglisë (1-0), që ishte edhe atdheu i futbollit. Për amerikanët kjo lojë e quajtur “soccer”, deri atëherë ishte shumë pak popullore para lojërave të tilla si ajo që amerikanët e quajnë “futboll” dhe që luhet më shumë me dorë se sa me këmbë, pasuar nga basketbolli dhe volejbolli të shpikura nga vetë amerikanët.
Pastaj vinte futbolli evropian, i cili pas viteve ’70 të shekullit të kaluar nisi të bëhej popullor, por… midis femrave, duke arritur deri në majat më të larta të botës.
Amerika, pra, u bë kuvendi i këtij botërori edhe falë përpjekjeve titanike të Henri Kisingerit (Henry Kissinger, 1923-2023), një prej personaliteteve politike më të njohura të Amerikës të të gjitha kohërave, ish-sekretar shteti gjatë presidencës Nixon-Ford (1969-1977). Gjerman i vendosur familjarisht nga Gjermania në Amerikë në vitin 1938 për t’i shpëtuar përndjekjeve naziste, Kisingeri që atëherë ishte i dhënë pas futbollit, dashuri që e ruajti edhe më shumë në Amerikë.
Falë edhe përpjekjeve të tij, Amerika arriti të bëhej “një panair madhështor” i futbollit botëror (17 qershor – 17 korrik 1994), e cila i kishte të gjitha kushtet: stadiume të hijshme me nxënësi nga 60 deri në 90 mijë e më shumë shikues në Nju Jork, Uashington, San Francisko, Pasadena, Detroit, Çikago, Boston, Orlando, Los Anxhelos dhe Dallas.
Për herë të parë në histori, titulli botëror u përcaktua me anë të gjuajtjeve nga pika e 11-metrave, kur koha e rregullt me gjithë shtesën u mbyll në barazim. Gjithashtu, për herë të parë fitorja do të vlerësohej me tri pikë (nga dy që ishte më parë). [Shënim: Numri i finalistëve në vitin 1994 ishte ende 24; ai u rrit në 32 në Botërorin e vitit 1998].
Për evropianët ky botëror kishte vështirësi për shkak të temperaturave shumë të larta në disa qytete dhe të orareve të ndeshjeve, nga 6 orë (në Rusi edhe 8 orë) më vonë se në Evropë. Me fjalë të tjera, ndeshjet do të zhvilloheshin në kushtet që ishin zhvilluar në Meksikë në vitin 1970, kur botërorin e kishte fituar Brazili.
NDESHJET NË GRUPE
GRUPI A
Ndeshja hapëse e këtij grupi, SHBA – Zvicër, e përshkuar nga nota të qeta, përfundoi në barazim 1–1. Atë mbrëmje skuadra rumune — tashmë si dhe në vende të tjera të Lindjes pas rënies së komunizmit — kishte futbollistë që luanin në liga të ndryshme të Evropës Perëndimore, të cilët shfaqën futboll të shkëlqyer dhe i asgjësuan ambiciet e kolumbianëve duke i mposhtur ata 3-1.
Iniciativa e kolumbianëve pësoi një tjetër goditje në ditën e dytë, këtë herë 2-0 nga Shtetet e Bashkuara. Futbollisti Andres Eskobar (Andrés Escobar), i akuzuar në një farë mënyre si “fajtor” për eliminimin e ekipit të tij kombëtar për shkak të një autogoli, do të vritej më pas më 2 korrik nga trafikantët e drogës.
Në ditën e fundit të ndeshjeve, Rumania mposhti Shtetet e Bashkuara 1–0 falë një goli të Petreskut dhe u kualifikua për në raundin e 16-tave si fituese e grupit, e ndihmuar nga fitorja 2–0 e Kolumbisë ndaj Zvicrës. Kështu, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan të dyja me nga katër pikë. Golat e shënuar rezultuan të ishin faktori vendimtar: pesë për zviceranët, të cilët përfunduan të dytët, dhe tre për amerikanët, të cilët avancuan si një nga ekipet më të mira të vendit të tretë.
GRUPI B (Kameruni, Suedia, Brazili dhe Rusia)
Në këtë grup “Seleção” mposhti Rusinë 2-0, e cila pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kishte humbur shumë lojtarë të ish-republikave socialiste. Ndërkohë, Kameruni — që dukej se kishte sjellë nga Afrika të nxehtit ekuatorial dhe që katër vjet më parë në Itali kishte qenë zbulimi i Botërorit Italian duke arritur në çerekfinale (fitorja e parë për një skuadër afrikane) — nuk arriti të “shkrinte” Suedinë e akullt (2-2).
Brazili siguroi kalimin në raundin tjetër në ndeshjen e dytë duke mposhtur Kamerunin, ndërsa Suedia e dërgoi në shtëpi Rusinë duke e mundur 3-1. Kështu Brazili dhe Suedia, të kualifikuara, luajtën paqësisht 1–1.
Rusia, e udhëhequr nga Salenko, shpartalloi 6-1 Kamerunin, i cili u ngushëllua nga goli i vetëm i arkivuar nga Rozher Mila (Roger Milla). Në këtë ndeshje u vendosën dy rekorde: më shumë gola të shënuar nga një lojtar i vetëm në një ndeshje të Kupës së Botës (Salenko, 5 gola) dhe golashënuesi më i vjetër në një turne finalesh të Kupës së Botës (Mila, 42 vjeç, 1 muaj dhe 8 ditë).

GRUPI C (Gjermania, Bolivia, Spanja, Koreja e Jugut)
Në pjesën e parë të ndeshjes së tyre kundër koreano-jugorëve [përmirësuar nga veri-orëve], gjermanët udhëhiqnin 3-0. Mirëpo nga të nxehtit, atyre sikur iu “shkarkuan bateritë”, pësuan dy gola dhe për pak sa nuk pësuan të tretin.
Ndërkohë, Spanja bëri një shëtitje pa telashe (3-1 ndaj Bolivisë) dhe, si pasojë, u kualifikua për në turin tjetër. Këto rezultate shuan shpresat si të Koresë së Jugut, ashtu edhe të Bolivisë për t’u kualifikuar për turin e 16-tave.
GRUPI D (Argjentina, Greqia, Nigeria dhe Bullgaria)
“La Selección”, siç mbiquhet skuadra argjentinase, nuk u përball me asnjë kërcënim të vërtetë nga Greqia, një nga skuadrat më të dobëta në turneun e Kupës së Botës. Ndeshja midis tyre përfundoi 4-0, me një “hat-trick” të Batistutës dhe një gol të bukur nga Maradona, i cili depërtoi në mbrojtjen greke për të shënuar mitik me këmbën e majtë e pastaj të vraponte gazmor drejt kamerës televizive. Në ndeshjen tjetër të grupit, Nigeria nuk mbeti pas dhe mposhti Bullgarinë e shënjatarit Stoçkov, gjithashtu thellë 3-0.
Por në turin e dytë, argjentinasit “hoqën picirin” për të gjunjëzuar Nigerinë 2-1. Ekipi afrikan kryesoi pas vetëm tetë minutash lojë me golin e Siasias, por u arrit dhe u tejkalua brenda një harku kohor prej shtatë minutash nga dy gola të Kanixhas (Caniggia), pas pasimeve të Maradonës.
Në turin e fundit të ndeshjeve, Argjentina, tashmë e kualifikuar, “u rrëzua” 2-0 nga Bullgaria, e cila marshoi në turin tjetër së bashku me Nigerinë, që mposhti Greqinë 2-0. Me përjashtim të Greqisë, u rreshtua “triumvirati” me pikë të barabarta (nga 6 pikë) i Nigerisë, Bullgarisë dhe Argjentinës. Erdhi kështu puna te diferenca e golave. Nigeria fitoi grupin falë një diference golash prej +4, ndërsa Bullgaria dhe Argjentina përfunduan përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë, të dyja me një diferencë golash +3, por me rezultatin e ndeshjeve kokë më kokë që u jepte krahë bullgarëve.
GRUPI E (Italia, Irlanda, Norvegjia dhe Meksika)
Pas 11 minutash lojë të ndeshjes Itali – Irlandë, portieri Paliuka (Pagliuca) detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta pas një gabimi të mbrojtësit të njohur Barezi (Baresi). Italia nuk arrin të mbledhë veten dhe për pak nuk pëson golin e dytë, të cilin ia mohon trau i portës. Sidoqoftë, irlandezët dalin kokë lart me këtë fitore [korrigjuar pasi ndeshjen e fitoi Irlanda 1-0, jo Italia]. Ndërkohë, “ciklonet” e Norvegjisë në minutën e 84’ pushtojnë portën meksikane, duke bërë që këta të fundit të humbasin (1-0).
Në turin e dytë, italianët duket se do ta pësojnë edhe më keq se në takimin e parë, sepse në minutën e 21’ portieri i tyre Paliuka nxiton jashtë vijës së zonës së rreptësisë, e prek topin me duar dhe, në përputhje me rregullat e reja, përjashtohet nga ndeshja (me karton të kuq) ndaj Norvegjisë.
Megjithëse me një lojtar më pak, italianët, duke pasur tani të sigurt në portë të riun Markexhani (Marchegiani), sulmojnë pa iu trembur syri dhe Dino Baxho (Baggio) në minutën e 69-të nënshkruan golin e fitores për “Azzurrët” (1-0). Pas fitores së Meksikës 2-1 ndaj Irlandës, me një raund ndeshjesh të mbetur, të katërta ekipet në grup kishin nga 3 pikë dhe diferencë golash krejtësisht të barabartë.
Në turin e fundit, Italia u përball me Meksikën. Dhe megjithë përpjekjet e italianëve, takimi u mbyll në barazim 1-1. Në barazim, por me “rrjeta të padhunuara” (0-0), u mbyll edhe takimi Irlandë – Norvegji. Me të katër ekipet që ndanin një diferencë golash identike (0) dhe pikë të barabarta (nga 4 pikë secila), numri i golave të shënuar u bë faktori vendimtar.
Meksika, pasi kishte shënuar tre gola, fitoi grupin, kurse Irlanda dhe Italia përfunduan përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë; të dy ekipet kishin shënuar nga dy gola, por rezultati “kokë më kokë” favorizonte irlandezët (pasi kishin fituar 1-0 me Italinë). Italia avancoi në fazën eliminatore si një nga ekipet më të mira të vendit të tretë, ndërsa Norvegjia u eliminua tragjikisht me pikë dhe diferencë të njëjtë, por me vetëm 1 gol të shënuar.
GRUPI F (Belgjika, Maroku, Holanda, Arabia Saudite)
Në turin e parë të ndeshjeve, Holanda siguroi një fitore të vështirë 2-1 ndaj Arabisë Saudite, ashtu si edhe Belgjika ndaj Marokut 1–0, megjithëse afrikano-veriorët goditën dy herë traun e portës.
Në turin e dytë, Belgjika mposhti ngushtë Holandën 1–0 në një ndeshje të luftuar fort, duke siguruar kështu kualifikimin në raundin tjetër. Ndërkohë, “Portokallinjtë” u arritën në renditje nga Arabia Saudite, e cila mposhti Marokun 2–1, duke e eliminuar këtë të fundit nga turneu.
Në turin e fundit të këtij grupi, Holanda mposhti Marokun 2–1, kurse Arabia Saudite mposhti “Djajtë e Kuq” të Belgjikës 1-0 falë një goli spektakolar të Said Al-Uvairanit (Saeed Al-Owairan). Ai vrapoi rreth 70 metra me top në këmbë, duke lënë pas çdo kundërshtar përpara se të shënonte dhe duke u dhuruar kështu sauditëve një kualifikim historik për në raundin tjetër.
Të gjitha ekipet, me përjashtim të Marokut, e përfunduan fazën e grupeve me gjashtë pikë dhe me një diferencë identike golash (+1) për të treja. Numri i golave të shënuar u bë përsëri faktori vendimtar: kjo solli avancimin e Belgjikës si një nga ekipet më të mira të vendit të tretë, ndonëse kishte shënuar vetëm dy gola. Holanda dhe Arabia Saudite përfunduan përkatësisht në vendin e parë dhe të dytë; të dyja kishin shënuar nga katër gola, por rezultati i ndeshjes direkte midis tyre (2-1) ndihmonte holandezët të merrnin kryesimin.
FAZA ELIMINATORE
Raundi i 16-tave
Në takimin e parë, Gjermania nuk e pati të lehtë me Belgjikën. Që në fillim gjermanët udhëhoqën me golat e Fëlerit (Völler) dhe Klinsmanit (Klinsmann), ndërkohë që belgët iu kundërpërgjigjën me një gol të Grunit (Grün). Por në përpjekje për të barazuar, belgët humbën qetësinë dhe pësuan një gol tjetër nga Fëleri, duke bërë që ndeshja të mbyllej 3-2 për Gjermaninë.
Spanja mposhti Zvicrën me një fitore bindëse 3-0 (golat e Hieros, Luis Enrikes dhe një 11-metërsh nga Begiristain). Ky rezultat nxori në pah qëndrueshmërinë mbrojtëse iberike dhe brishtësinë e mbrojtjes zvicerane, megjithëse kjo e fundit mbeti e rrezikshme në sulm, duke detyruar portierin Zubizareta (Zubizarreta) të bënte disa pritje të vështira.
Suedia, ndërkohë, i dha fund aventurës së Arabisë Saudite në Kupën e Botës duke e mposhtur atë 3-1, falë dy golave të sulmuesit suedez Kenet Anderson (Kennet Andersson) dhe një goli të Dahlin.
Në ndeshjen midis Rumanisë dhe Argjentinës pati një mori golash (3-2). “Albiceleste”, e privuar nga Maradona (i skualifikuar për doping), i zëvendësuar nga i riu Ariel Ortega, luftoi për të frenuar “magjistarin” Hagi, i cili udhëhoqi marshimin e ekipit të tij në çerekfinale. Për rumunët, Hagi shënoi një herë dhe Dumitresku (Dumitrescu) dy herë; për Argjentinën, Batistuta dhe Balbo pushtuan rrjetën.
Më 4 korrik, në festën kombëtare të SHBA-së, amerikanët u përballën me Brazilin. Lojtarët më të njohur të ekipit vendas ishin portieri Meola dhe mbrojtësi Lalas. Pak para përfundimit të pjesës së parë, braziliani Leonardo ia theu hundën Tab Ramosit me bërryl dhe u përjashtua me karton të kuq. Amerikanët qëndruan të fortë në mbrojtje deri në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes, kur Romario i dha një pasim Bebetos, i cili e mposhti Meolën me një gjuajtje të ulët (1-0). Sidoqoftë, tifozët amerikanë dhe emigrantët e amerikanizuar që mbushën stadiumin “Stanford” (84,148 shikues) mbetën të kënaqur që skuadra e tyre nuk doli kokëulur, sepse u mat thuajse barabar me xhonglerët brazilianë.
Holanda avancoi lehtësisht duke mposhtur Irlandën 2-0, me dy gola të shënuar në pjesën e parë nga Jonk dhe Bergkamp.
Pas një pjese të parë kryesisht pa ngjarje, pavarësisht nga fillimi premtues i ndeshjes nga Italia në dyluftim me Nigerinë, në minutën e 26-të mbrojtja italiane devijoi gabimisht një top nga një goditje këndi dhe nigeriani Amunike e dërgoi topin në rrjetë. Italianët ndërmorën një seri sulmesh, por më kot. Në pjesën e dytë, rrethanat u vështirësuan edhe më shumë për Italinë. Gianfranco Zola bëri debutimin e tij duke hyrë në fushë në vend të Signorit, por pas vetëm pak minutash, gjyqtari meksikan Brizio Carter e përjashtoi atë gabimisht me karton të kuq.
Nigeria filloi të shijonte fitoren dhe vazhdoi të mbrohej thellë duke pritur minutën e 90-të. Megjithatë, vetëm 100 sekonda para fundit, në një moment kur suksesi për skuadrën afrikane dukej pothuajse i sigurt, ndodhi diçka e papritur: Roberto Baxho (Baggio), me një aksion fantastik dhe një gjuajtje të saktë, shënoi golin e barazimit 1-1, duke e dërguar ndeshjen në shtesë.
Edhe në kohën shtesë, italianët (edhe pse me një lojtar më pak) përballuan sulmet e nigerianëve. Këta të fundit nuk e shfrytëzuan dot përparësinë e tyre numerike dhe u eliminuan në minutën e 101-të nga një 11-metërsh dramatik, i gjuajtur saktë nga Baxho, “Shën Shpëtimtari” i Italisë, i cili pak më vonë shmangu edhe një gol të sigurt në portën e tij të zbrazur.
Në ndeshjen e fundit të raundit të 16-tave, Bullgaria mposhti Meksikën me penallti në një ndeshje plot incidente të çuditshme, përfshirë edhe shembjen e një shtylle porte pasi meksikani Bernal u përplas me të. Në këtë takim u vu në pah edhe një gol i shkëlqyer në vrapim e sipër i bullgarit Stoçkov. Gjatë gjuajtjeve të 11-metërshave, portieri bullgar Mihajllov priti gjuajtjet e Bernalit ashtu edhe të Rodriguezit, kurse kolegu i tij Kampos (Campos) priti vetëm të shtënën e Ballakovit. Skuadra ballkanase kështu avancoi triumfuese në çerekfinale.
Gjermania mposhti ngushtë Belgjikën 3-2. Edhe pse belgët e Vincenzo Shifos (Scifo) u përpoqën të përmbysnin disavantazhin e hershëm (pasi shënuan Fëleri dhe Klinsmani për Gjermaninë dhe Gruni për Belgjikën), ata humbën qetësinë dhe pësuan një gol të tretë, të shënuar sërish nga Fëleri.
Spanja gjunjëzoi Zvicrën me një fitore bindëse 3-0 (golat e Hieros, Enrikes dhe një penallti e Begiristainit), rezultat që nxori në dritë qëndrueshmërinë mbrojtëse të iberikëve dhe brishtësinë mbrojtëse të zviceranëve.
Suedia i dha fund aventurës së Arabisë Saudite në Kupën e Botës duke e mposhtur atë 3-1, falë dy golave të sulmuesit të njohur Kenet Anderson.
Në ndeshjen midis Rumanisë dhe Argjentinës pati një mori golash (3-2). “Albiceleste”, e privuar nga Maradona, i cili u zëvendësuar nga i riu Ortega, luftoi për të frenuar manovrimet e Hagit, i cili udhëhoqi marshimin e ekipit të tij në çerekfinale. Për rumunët, Hagi shënoi një herë dhe Dumitresku dy herë; për Argjentinën, Batistuta dhe Balbo gjetën rrjetën.
Më 4 korrik, në festën kombëtare të SHBA-së, të zotët e shtëpisë u përballën me Brazilin. Stadiumi “Stanford” ishte mbushur plot e përplot (84,147 shikues). Lojtarët më të njohur të ekipit vendas ishin portieri Toni Meola dhe mbrojtësi Aleksi Lalas. Pak para përfundimit të pjesës së parë, braziliani Leonardo i theu hundën Tab Ramosit me bërryl dhe u dëbua nga fusha me karton të kuq. Amerikanët qëndruan të fortë në mbrojtje deri në pesëmbëdhjetë minuta nga fundi i ndeshjes, kur Romario i dha një pasim Bebetos, i cili mposhti Meolën me një gjuajtje tokazi (1-0).
Holanda avancoi lehtësisht duke mposhtur Irlandën 2-0, me dy gola të shënuar nga Jonk dhe Bergkamp.

ÇEREKFINALET
Të parët në çerekfinale ndeshen skuadrat neolatine, Italia me Spanjën. Në minutën e 25-të, Dino Baxho (Baggio) gjuan fuqishëm nga jashtë zone duke e çuar me meritë Italinë në avantazh. Pjesa e parë përfundon me rezultatin 1–0. Trembëdhjetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Spanja barazon falë një gjuajtjeje nga Kaminero (Caminero) që devijohet fatkeqësisht nga Benarrivo.
Në minutën e 88-të [përmirësuar nga minuta e 42-të] të pjesës së saktë të lojës, Signori merr topin nga Berti dhe pason mjeshtërisht te Roberto Baxho, i cili kalon portierin Zubizarreta dhe e dërgon topin në rrjetë për rezultatin 2-1 në favor të “Azzurrëve”. Në minutat e fundit të kohës së rregullt [korrigjuar pasi ndeshja nuk shkoi në shtesë], brenda zonës së penalltisë italiane, Tassotti godet spanjollin Luis Enrike në fytyrë me bërryl, por gjyqtari hungarez Sándor Puhl nuk merr asnjë masë disiplinore. Rezultati mbetet i fiksuar në 2–1 deri në fishkëllimën e fundit dhe Italia fluturon në gjysmëfinale.
Brazili përballet me Holandën në një ndeshje që më vonë do të cilësohej si më e mira e këtij edicioni të Kupës së Botës. Në minutën e 53-të, Romario shënon golin e parë. Në minutën e 63-të, sulmuesi i Deportivo La Korunjës, Bebeto, shfajëson një vendim të mëparshëm të arbitrit dhe gjen rrjetën duke dyfishuar shifrat në 2-0.
Por befas, kundërshtarët barazojnë rezultatin me anë të Bergkampit dhe Aron Vinterit (Winter). Në minutat e fundit, gjyqtari akordon një goditje dënimi për brazilianët nga rreth 25 metra largësi. Mbrojtësi Branko (Branco), me një gjuajtje të fuqishme dhe të lakuar që prek shtyllën, mposhti portierin holandez Ed de Goej (Ed de Goey) për rezultatin 3-2. Pas minutave të tensionuara të shtesës, Brazili feston kapërcimin në gjysmëfinale.
Vijmë kështu te takimi Gjermani – Bullgari. Në minutën e 47-të, Lotar Mateus (Lothar Matthäus) e kalon ekipin e tij në epërsi nga një goditje 11-metërshi. Drejt fundit të ndeshjes, Gjermania sheh një gol të anuluar për pozicion jashtë loje dhe brenda pak minutash pëson përmbysjen e madhe të gjithë situatës.
Hristo Stoçkov barazon shifrat me një goditje dënimi spektakolare. Vetëm tre minuta më vonë, pas një krosimi nga Jankov, Jordan Leçkov (Letchkov) shënon me kokë golin e dytë për Bullgarinë, duke siguruar për herë të parë në histori kualifikimin e saj për në gjysmëfinalen e një botërori. Duhet të kthehemi pas në vitin 1978 për të gjetur herën e fundit që gjermanët (të cilët kishin marrë pjesë në tri finale në katër edicionet e mëparshme) nuk arrinin dot në katërshen më të mirë.
Çerekfinalet përfundojnë me ndeshjen midis Suedisë dhe Rumanisë, me këtë të fundit që bën paraqitjen e saj të parë në këtë fazë të turneut. Koha e rregullt mbyllet në barazim 1-1, pas golit të Brolinit për suedezët dhe barazimit të rumunëve nga Raduçoiu (Răducioiu). Në kohën shtesë, ky i fundit godet përsëri duke përmbysur rezultatin në 2–1 për Rumaninë, por Suedia nuk dorëzohet dhe barazon në minutën e 115-të me anë të Kenet Anderson.
Në gjuajtjet e 11-metërshave, skandinavët tregohen më të saktë falë edhe pritjeve të portierit Tomas Raveli (Ravelli) dhe pas 36 vitesh e shohin veten sërish në një gjysmëfinale botërori.

FINALJA PËR VENDIN E TRETË
Në finalen “ngushëlluese” për vendin e tretë, Suedia sikur solli në stadiumin “Rose Bowl” të Pasadenës “flladin nordik”, që freskoi 91,500 shikuesit, por u shndërrua në “erë ciklonike” për bullgarët, që dolën “të ngrirë” nga kjo betejë pas golave të Brolinit, Mildit, Larsonit dhe Andersonit (4-0). Ndaj kësaj breshërie, “gjahtari“ i tyre Stoçkov doli “duarthatë’.
Sidoqoftë, ky botëror qe një sukses i madh për ballkanasit, që për herë të parë (dhe të fundit deri më tani) u përfshinë në katërshen më të mirë të botës. Po kështu ndodhi edhe me suedezët, që e panë veten sërish në një gjysmëfinale pas botërorit të zhvilluar në atdheun e tyre në vitin 1958, kur për herë të parë ngadhënjente Brazili i Pelesë me shokë.
FINALJA E MADHE
Ndeshja në Pasadena fillon në orën 12:30 nën “një diell përvëluar” (38 gradë dhe 70 përqind lagështi), i cili, si të ishte një “gjyqtar” pa mëshirë për asnjërën nga të dyja skuadrat, i shfaqi lojtarët në fushë si gladiatorë të plogësht dhe të rraskapitur. Ndaj edhe kronika e lojës qe e varfër në episode e raste; për 120 minuta, duke përfshirë edhe shtesën, nuk u regjistrua thuajse asgjë e veçantë. Futbollistët në fushë pothuajse nuk arritën të demonstronin asgjë nga “repertori i tyre magjik”.
Madje, ishte rasti kur një gjuajtje “si fluturë dembele” në qendër të portës italiane rroket ngadalë nga portieri Paliuka, i cili, siç duket i kapërthyer nga kjo “përgjumje” e përgjithshme, po bënte një dremitje. Topi, edhe ai si i përgjumur, u shkëput nga duart e tij, u përplas në shtyllën e djathtë të portës, por u pendua të përfundonte në rrjetë dhe u kthye sërish në duart e Paliukës. Ndryshe, ky do të kishte qenë goli më i çuditshëm dhe qesharak në historinë e botërorëve të futbollit.
Ndodhemi kështu në çastet kur “togat e pushkatimit” ndodhen përballë portierëve — dy “të dënuarve me vdekje” në pika e penalltive. Brazilianët udhëheqin 3-2. Për të siguruar fitoren, atyre u duhet të shënojnë vetëm gjuajtjen e mbetur… Por nuk është e nevojshme.
Roberto Baxho, heroi i italianëve në takimet e mëparshme, ai që kishte tundur rrjetat kundërshtare në sa e sa takime, gjuan në… stratosferë, sikur t’u thotë brazilianëve: ”Merreni Kupën e Botës, sepse e meritoni plotësisht!”. Dhe kështu ishte. Brazilianët në këtë botëror, pavarësisht nga kjo finale e mërzitshme, meritonin të shpalleshin “Tetra Campeão” (Katër herë kampionë).
PËRBËRJET E SKUADRAVE:
- Brazili: Taffarel, Jorginho, Aldair, Marcio Santos, Branco; Mazinho, Mauro Silva, Dunga, Zinho; Romario, Bebeto. (Trajner: Carlos Alberto Parreira)
- Italia: Pagliuca, Mussi, Baresi, Maldini, Benarrivo; Berti, D. Baggio, Albertini, Donadoni; R. Baggio, Massaro. (Trajner: Arrigo Sacchi)
- Gjyqtar: Sándor Puhl (Hungari)
- Stadiumi: Rose Bowl, Pasadena (94,194 shikues)
- Lojtari më i mirë: Romario (Brazil)
- Golashënuesit më të mirë: Oleg Salenko (Rusi) & Hristo Stoçkov (Bullgari) — me nga 6 gola secili.
- Shikues në total në turne: 3,587,538

KOHA JONË SONDAZH

