Cikalleshi: S’kishim forcë për të dalë në sulm për shkak të … erës
Sulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi është shfaqur shumë i mërzitur pas disfatës ndaj Islandës në transfertë. Bomberi kavajas konfirmoi se skuadra ishte në vështirësi në pjesën e dytë edhe nga era.
“Na ka mërzitur rezultati, sepse mund të kishim marrë një rezultat më të mirë me lojën që bëmë. Për mua është një nder të jap kontributin për kombëtaren. Me skemën e re mund ta ndihmojmë ekipin më mirë, por më vjen keq që nuk shënuam, sepse luajtëm mirë, sidomos në pjesën e parë.
Ndihma në mbrojtje? E kisha për detyrë, sepse kundërshtari është i rrezikshëm në rivëniet anësore. Në pjesën e parë harxhuam shumë energji dhe kërkuam me ngulm të shënonim. Në pjesën e dytë nuk e gjetëm forcën për të dalë në sulm, edhe pse na pengoi era. Edhe goli që pësuam na demoralizoi. Gjithsesi, nuk dorëzohemi. Me trajnerin e ri dhe skemën e re treguam se mund të luajmë shumë mirë.
Moldavia? Besoj se do të jetë një ndeshje ndryshe, sepse Islanda është më e fortë fizikisht. Mendoj se i bëmë ballë shumë mirë islandezëve dhe nuk pësuam gol nga goditjet standarde. Me Moldavinë duhet të arrijmë një fitore, por nuk duhet të flasim këtu, duhet ta tregojmë në fushë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, deklaroi sulmuesi kavajas.
KOHA JONË SONDAZH

