Daja siguron: Kemi politikat tona, nuk luajmë për Vllazninë!
Skënderbeu do të mbyll sezonin e Kategorisë Superiore ndaj Vllaznisë, teksa fitorja është detyrim për skuadrën mike. Në prag të ndeshjes ka pasur aludime të shumta se korçarët do të tolerojnë shkodranët, në mënyrë që këta të fundit të mbijetojnë në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, duket se trajneri Ilir Daja nuk mendon kështu, pasi ai është shprehur se ekipi i tij do të japë maksimumin për të fituar.
“Kam dëgjuar komentet për paraqitjen tonë në javët e fundit dhe dua të them se nuk luajmë për Vllazninë dhe asnjë ekip tjetër. Thjesht kemi politikat tona. Po ju them që, nëse do ta kishim mbyllur kampionatin që me Kukësin, po e njëjta gjë do të kishte ndodhur. Do t’u kishim dhënë minutazh lojtarëve të aktivizuar pak gjatë kampionatit, por edhe të rinjve, të ardhur nga Skënderbeu U-19. Ne kemi politikat tona. Jemi pezulluar nga UEFA dhe duhet të menaxhojmë si duhet situatat, qoftë edhe duke u përgatitur për një ndryshim të agjendës.
Në këtë lloj situate, të jeni të sigurt se ky Skënderbe nuk ka lidhje me atë që mund të jetë dyshuar më përpara. Ky grup lojtarësh është i zhveshur nga rezultati, sepse kampionati është mbyllur. Motivimi nuk është maksimal. Nuk i kërkohet rezultat një ekipi që po riformatohet nga porta deri te sulmi. Në Gjirokastër luajti Soue, sepse nuk donim t’ia hiqnim të drejtën e finalizimit të asaj që ka bërë gjatë gjithë kampionatit. Pastaj, Skënderbeu nuk u përket vetëm titullarëve, por edhe të rinjve. Kemi për detyrë të realizojmë objektivat primarë, siç ishte titulli kampion, apo kalimi në grupet e Ligës së Europës.
Me shumë kurajë, përtej modestisë, them se bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë ekip shqiptar. Duam edhe Kupën e Shqipërisë dhe kemi frikën se lojtarët ndoshta nuk do të kenë ritmin e duhur. Formacioni për nesër? Asnjë nga lojtarët nuk e di se kush do të luajë ndaj Vllaznisë”, tha trajneri Ilir Daja.
KOHA JONË SONDAZH

