De Biasi “ironizon”: Duhet të iki jashtë që të më vlerësojnë!
Gianni De Biasi ende nuk ka mundur që të gjejë një skuadër për të drejtuar, pas aventurës me vetëm 9 ndeshje te Alaves. Strategu italian udhëhoqi kombëtaren tonë drejt “Euro 2016”, ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë për “Calciomercatoweb”, ku ka folur për rivalitetin e këtij sezoni në Seria A, situatën e disa ekipeve dhe të ardhmen e tij.
“Interi bëri një perfomancë shumë të mirë në ndeshjen e parë, edhe kundërshtari e ndihmoi Conten. Juventusi është forcuar shumë, por ka mbetur pak nga mbyllja e merkato. Ancelotti ka bërë një punë të mirë dhe ka futbollist të shkëlqyer. Interi ka punuar mirë në merkato, ndërkohë që ka në pankinë Conten, që është një vlerë e shtuar.
Shkëmbimi Icardi-Dybala? Unë nuk do ta bëja. Është e vërtet që në sezonin e fundit Dybala nuk bëri paraqitje pozitive, por është një lojtar me cilësi dhe do ta rimarrë veten. Mos të harrojmë se në sulm, përveç Ronaldos, Juventus ka edhe Higuain dhe Mandzukic.
Vendi i katërt? Shoh më të favorizuar Lazion, Atalanta po bën shumë mirë. Roma do të shohim si do të evoluojë, Fiorentina është një kantier ndërtimi, ndërkohë që Milani është një tjetër rebus.
Pse nuk stërvitet De Biasi në Serinë A? Ah, nuk e di. Natyrisht që të tjerët janë më të mirë se unë. Unë me sa duket duhet të shkoj jashtë vendit për t’u ndjerë i vlerësuar.
A po pret një telefonatë? E kam një opsion, të shohim nëse do të materializohet. Jam në diskutim me një skuadër dhe një kombëtare jashtë Europës”, zbulon De Biasi. /Rozalb Lika-Koha Jone
KOHA JONË SONDAZH

