Erjon Vucaj, marrëveshje me Podbeskidzie në Poloni
E ardhmja e Erjon Vucaj duket se do të jetë në kampionatin polak me skuadrën e Podbeskidzie. Fantazisti shkodran është rikthyer në Laç, ku gjendet në grumbullim me skuadrën kurbinase për aventurën evropiane, pas udhëtimit disa ditor në drejtim të Polonisë. Mesfushori 25-vjeçar, i cili është nën kontratë me klubin Flamurtari do të jetë pjesë e Laçit në dy duelet ndaj Inter Baku, për të zëvendësuar të dëmtuarin Marko Cetkoviç. Por mësohet se Vucaj ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e ekipit polak Podbeskidzie për një kontratë 2-vjeçare, duke i besuar atij çelësat e mesfushës. Edhe verën e kaluar Vucaj ishte pranë nënshkrimit të kontratës me një tjetër klub polak, Ruch Chorchov teksa palët kishin arritur të binin akordin por që u prish në çastet e fundit, pasi drejtuesit e këtij klubi hodhën sytë nga mesfushori Sabien Lilaj, por pa mundur dot të nënshkruanin kontratë me mesfushorin e Skënderbeut.
KOHA JONË SONDAZH

