Finalja e Kupës së Botës do të gjykohet nga një ish-aktor filmash
Finalja e Kupës së Botës mes Francës dhe Kroacisë do të gjykohet nga argjentinasi Nestor Pitana. Arbitri amerikano-jugor do të ndihmohet në menaxhimin e ndeshjes më të rëndësishme të “Rusi 2018” nga asistentët argjentinas Hernan Maidana dhe Huan P. Lates.
Kjo do të jetë ndeshja e pestë që 43-vjeçari Pitana do të drejtojë këtë Botëror. Ai ishte edhe gjyqtari i ndeshjes hapëse të Kupës së Botës, Rusisë-Arabi Saudite 5-0, Suedi-Meksikë 3-0. Çuditërisht, ai ka gjykuar si Francën, ashtu edhe Kroacinë në Rusi. Pitana ishte kryesor i ndeshjes që ballkanasit fituan me penallti ndaj Danimarkës në 1/8-at në Nizhni Novgorod dhe çerekfinalen e fituar 2-0 nga Franca kundër Uruguait, po në të njëjtin qytet.
Nestor Pitana është diçka më shumë se një arbitër i thjeshtë. Ai mori kualifikimin si mësues i edukimit fizik, por deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Ajo që është e habitshme, është karriera e tij e mëparshme: para se të ishte gjyqtar futbolli, pasi argjentinasi ka qenë aktor.
Në vitin 1997, Pitana mori pjesë në filmin e Juan Bautista Stagnaro, “La Furia”. Filmi është aksion dhe flet për kontrabandën dhe trafikimin ndërkombëtar të drogës, duke filluar nga provinca e Misiones, shtëpia e gjyqtarit. Pitana luajti rolin e një roje burgu, duke marrë pjesë në skena të ndryshme të filmit. Gjithsesi këtë të diel do jetë gjithçka e vërtetë dhe jo film. Pitana do të ketë detyrë për të vendosur drejtësi në ndeshjen mes Francës dhe Kroacisë. /Koha Jonë/

Nestor Pitana në film
KOHA JONË SONDAZH

