Gjermano-perëndimorët, tri herë kampionë të botës (1990)

Nga Skifter Këlliçi

Më 4 korrik të vitit 1990 në Tiranë ndodhi një nga ngjarjet më të befasishme dhe më tronditëse në historinë e Shqipërisë së periudhës së diktaturës komuniste. Të hovëzuar nga zhvillimet e ngjarjeve në vendet e Evropës Lindore, ku komunizmi po lëkundej dhe rrëzohej, rreth 5000 shqiptarë u futën nëpër godinat e ambasadave. Pikërisht disa ditë para se të ulej sipari i Botërorit që po zhvillohej në Itali. Dhe ajo që të bën të vësh buzën në gaz është se pati jo pak nga ata, që dolën nga dyert e disa ambasadave, shkuan nëpër shtëpi, panë edhe ndeshjet në vazhdim të këtij botërori dhe u kthyen përsëri pa teklif nëpër ambasada, sidomos në atë të RF Gjermane, thua se hynin dhe dilnin nga dyert e hoteleve.

Kur ia tregova këto ngjarje Nando Martelinit, hapi sytë me habi, por edhe qeshi.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Që nga viti 1934, pra pas më shumë se gjysmë shekulli, – më tha ai, – një botëror futbolli zhvillohej përsëri në Itali, ku azurrët kishin fituar Kupën. Përse të mos e fitonin përsëri?”

Swiss Digital Mobile Reklama

Kështu ishte. Por ja që kjo, siç do të shohim, nuk ndodhi. Në bisedë me Martelinin ra fjala edhe për një problem që mua më duket se duhet të zgjidhet mirë nga FIFA, të cilin do ta hasim edhe në botërorët e tjerë: problemi i përcaktimit të skuadrës fituese të një ndeshjeje me 11-metërsh, kur pas shtesës së lojës rezultati mbetit i barabartë.

Nga sa pamë, në Botërorin ’86 të zhvilluar në Meksikë, në 1/4 e finaleve RF Gjermane mënjanoi Meksikën me 11-metërsh. Po kështu Belgjika Spanjën, që në 1/8 e kësaj faze kishte vrarë “bizonin” danez me 5 të shtëna, nga të cilat 4 të gjahtarit Butragenjo. Dhe për t’i vënë kapak, edhe belgët po me 11-metërsh kishin rrënuar çdo shpresë të spanjollëve për të shkuar më tutje, edhepse ishin shumë më lart se ata nga niveli i lojës, por nga ajo pikë e bardhë nga gjuheshin këto goditje të mallkuara …

Por tekat që sollën 11-metërshat do të vazhdonin të goditnin pamëshirshëm edhe në Botërorin Italian, që u zhvillua nga data 8 qershor deri më 8 korrik të vitit 1990 në stadiumet e Romës, Napolit, Barit, Bolonjës, Gjenovës, Veronës, Udines, Milanos, Torinos, Kaliarit dhe Palermos.

1990 WORLD CUP FINAL: Germany FR 1-0 Argentina

Le të ndjekim së pari rrugën e Italisë. Pasi mundi në grup Austrinë dhe SHBA-në me të njëjtin rezultat 1-0, tregoi se po ngrihej lart me lojë bindëse në takimin me Çekosllovakkinë (2-0) dhe u ngjit në katedrën e 1/8 të finaleve, ku mposhti pa shumë telashe një Uruguai 2-0. Por nuk ndodhi kështu në çerekfinale, ku për pak i ngeci Irlanda në grykë, skuadër këmbëngulëse, e drejtuar nga Xheki Çarltoni (Jack Charlton), vëllai i Bobit, të dy kampionë në Botërorin Anglez ’66, dhe fitoi vetëm 1-0, për të gjetur në gjysmëfinale Argjentinën.

Ndeshja zhvillohej në Napoli, qytet që e adhuronte Maradonën, i cili e kishte bërë skuadrën e këtij qyteti të këndonte si Karuzo (Caruso), i cili gjatë tërë jetës së tij kishte qenë krenar se kishte lindur atje. Falë Maradonës, më 1987 “Napoli” kishte fituar edhe kampionatin italian. Ndaj, si t’i kërkonin të falur, në shkallët e stadiumit të këtij qyteti gjatë ndeshjes u dukën pankarta me mbishkrimet: “Na fal Maradona, të duam shumë, por kemi lindur në Itali”.

Dhe kështu, pas rezultatit të barabartë 1-1, me gola përkatësisht të Skilaçit në 17’, që do të bëhej “goleadori” më i mirë i këtij botërori, dhe të Kaniçias për argjentinasit në 68’, arritën dy shtesat nga 15 minuta, ku të parën gjyqtari Vautrot e zgjati… 8 minuta, se i gjori qe dhënë kaq shumë pas lojës, sa kishte harruar të shihte orën!? Pastaj arriti llotaria e 11-metërshave. Portieri argjentinas, Goikoçea, hamendësoi drejtimin e topave të goditur nga Donadoni dhe Serena. Kësisoj, Maradona me shokë “u ankoruan” në finale, në një kohë që “anija” italiane lundroi më mirë në detin e trazuar të kësaj ndeshjeje.

Me fjalë të tjera, u përsërit i njëjti skenar i 11-metërshave që ishte luajtur në takimin e 1/4 së finaleve, ku argjentinasit ishin vënë përballë jugosllavëve. Deri atëherë ballkanasit kishin interpretuar rolin e favoritit në këtë botëror, pavarësisht se në grupin e tyre kishin humbur 4-1 me RF Gjermane. Por në 1/8 e finaleve kishin mënjanuar Spanjën me një gol të Stojkoviçit, ndër futbollistët më të mirë të këtij botërori.

Ndonëse kundër argjentinasve të Maradonën jugosllavët që nga minuta e 30-të e pjesës së parë luajtën me një lojtar më pak, sepse gjyqtari dëboi jugosllavin Shabanaxhovic, rezultati, megjithë shtesën prej 30 minutash, nuk ndryshoi. Madje Stojkoviçi goditi traun e portës.

Kështu pra, në llotarinë e 11–metërshave gjuajtjen e Maradonës e priti portieri Ivkoviç, por Goikoçea asgjësoi dy gjuajtje të Brnoviçit dhe Haxhibegoviçit, dhe jugosllavët, duke qenë më sipëranë se kundërshtarët, u larguan të trishtuar nga ky botëror. Ashtu si italianët…

Duke diskutuar për këta 11-metërsha i thashë Martelinit, që, siç dihet, kishte dalë në pension dhe i ndiqte ndeshjet nga televizori i shtëpisë:

“Më kujtohet gjuajtja e dobët e Donadonit nga ana e majtë e portës, që do ta kishte pritur edhe portieri më diletant.”

“Për mendimin tim, futbollisti që gjuan ndodhet para një ngarkese shumë të madhe përgjegjësie, sidoqë ka shënuar nga largësi edhe më të mëdha, madje edhe i mbuluar”, – më shpjegoi Martelini. Dhe kishte të drejtë. Gjatë botërorëve të fundit kishin humbur 11-metërsha brazilianët Ziko, Sokrates, francezi Platini dhe vetë Maradona…

Odisesë së ngjarjeve të tilla në këtë botëror do t’i shtojmë edhe takimin tjetër gjysmëfinal RF Gjermane-Angli, që të parët e fituan 4-3. Një takim i mërzitshëm, ku dramatike qenë vetëm gjuajtjet nga pika e 11-metërshit. (Gjatë kohës së rregullt kishte shënuar Brehme në 60’ dhe barazuar Linekeri në 84’).

I shpjegova Martelinit se në të tilla raste skuadra fituese do të ishte mirë të përcaktohej siç e parashikon pak a shumë edhe rregullorja e lojës së hokeit. Siç dihet, në këtë lojë, kur rezultati është i barabartë edhe pas shtesës, lojtarët nisen nga mesi i fushës, manevrojnë me stekën që mbajnë në duar dhe përpiqen ta përcjellin diskun e vogël prej gome në portën kundërshtare.

I njëjti veprim mund të bëhet edhe në futboll. Pra lojtari, nga një largësi, p.sh. prej 20 metrash, niset me top në këmbë dhe përpiqet të shënojë gol. Dhe do t’i duhet kështu të përdorë elemente teknike të cilat varen nga aftësitë e tij. Kurse në goditjen e 11-metërshit përdoret vetëm një element – goditja standarde.

Martelinit kjo ide iu duk interesante. Por deri tani ka mbetur ide, sepse askush nuk është kujtuar të bëjë një propozim të tillë, ose e ka bërë dhe FIFA nuk ia ka vënë veshin…

Por, të kthehemi tek të partiturat e tjera të Botërorit ’90. Nëse disa nga skuadrat e mëdha arritën të kapërcenin “digat” e botërorit me teket e 11-metërshave, kjo nuk ndodhi me një skuadër që u bë e papritura më e këndshme e tij – Kameruni…

1990 FIFA World Cup: Every Group Stage Goal (Part 1)

“Më 1982, – më kujtoi Martelini, – gjatë komentit të ndeshjes që azurrët zhvillonin me këtë skuadër, u shpreha se futbolli afrikan kishte të ardhme. Dhe, pa kaluar tetë vjet, po e dëshmonte këtë.”

Kështu ndodhi që në takimin përurues të këtij botërori, kur luanët afrikanë e detyruan Maradonën me klanin e tij, kampionë të botës në fuqi, të dilnin nga stadiumi kokëulur, pasi i zbythën 1-0. Madje, duke luajtur me 9 lojtarë. Së pari u dëbua Kana-Biyik dhe në minutat e fundit Massing, që dhunshëm e përplasi argjentinasin Kaniçia në rrjetë. E, megjithatë, tangoja argjentinase stonoi, aq më tepër kur, megjithëse luanin ende me dhjetë futbollistë, përfaqësuesit e Afrikës së Zezë pushtuan portën kundërshtare me golin e Omam-Biyik, por jo pa ndihmën e portierit Pumpido që bëri një gabim foshnjarak.

Ngritja e Kamerunit në faqet e thepisura të këtij botërori vazhdoi në takimin me Kolumbinë 2-1. Të tre golat u shënuan në shtesë. Heroi i takimit ishte 38-vjeçari Rozher Mila (Roger Milla) që shënoi dy gola, i cili, siç kam shkruar në shkrimin për botërorin ’86, e kishte nisur karrierën ndërkombëtare bash atëherë kur kishte qenë 30 vjeç.

Duke përftuar këtë shpejtësi marramendëse, luanët kamerunas, si të ndjeheshin në xhunglat e viseve të tyre ku ishin rritur, vunë përpara anglezët pasi Kundé barazoi në 63’ golin e Platt-it.

…Dhe nuk e ndalin mësymjen, kur në fushë shfaqet Mila që u jep krahë të vetëve dhe Ekéké shënon përsëri 2-1 për afrikanët. Por këtu bëjnë një gabim naiv. Duke pandehur se gjithçka ka marrë fund, nisin të mbrohen. Mirëpo dinaku Lineker barazon me 11-metërsh dhe po ai në shtesë, dhe përsëri me 11-metërsh, u jep fitoren anglezëve në një takim ku Mila me shokë, me pak kujdes, do të kishin dalë ngadhënjyes.

Sadoqoftë, ata u larguan duke dëshmuar se Afrika po bëhej “një zë tenori” në korin e futbollit botëror.

Vimë kështu në takimin përmbyllës. Veç Maradonës, argjentinasit, të drejtuar nga Bilardo, vazhduan ta luanin tangon e tyre në shurdhëri. Por siç duket, kjo ndikoi te “Sturm und Drang”-u gjerman (“Stuhi dhe vrull”), që u fashit. Kështu u regjistrua një nga finalet më të mërzitshme të botërorëve të futbollit, që u përshkua nga nota nervozizmi edhe për shkak të gabimeve të gjyqtarit meksikan, Codesal.

…Së pari ai i mohon një 11-metërsh Augentalerit, pastaj edhe argjentinasit Dezoti; më pas dëbon Monzonin dhe në akordet e fundit të lojës dekreton një 11-metërsh të dyshimtë për ndërhyrje të Sensinit ndaj Fëlerit. Mateusi druhet dhe ia lë vendin Brehmes që shënon, pa iu dridhur qerpiku. 1-0 për gjermanoperëndimorët. Maradona përpiqet, por më kot. Madje në 87’ një tjetër dëbim – Dezoti grindet me Fëlerin dhe e pason. Mbyllje e pabukur e këtij botërori, për të mos thënë e shëmtuar.

“Po të gjykojmë me gjakftohtësi, – më thoshte Martelini, – finalja më e denjë do të kishte qenë Itali-RF Gjermane, ose një finale anglosaksone, RF Gjermane-Angli”.

Azurrët zunë vendin e tretë duke mundur Anglinë me një fitore ngushëlluese, kur kishin humbur shansin më të mirë që në këtë botëror, që luhej në shtëpinë e tyre, të kurorëzoheshin kampionë të botës dhe të shlyenin ato dyshime që patën lindur më 1934 në ndeshjet me Spanjën dhe Austrinë, ku siç kam vënë në dukje, pavarësisht nga meritat e tyre, ndikoi dhe gjykimi jo shumë bindës.

Zgënjimi i këtij botërori ishin Holanda dhe Brazili. Dhe jo sepse u mënjanuan në çerekfinale, përkatësisht nga Argjentina dhe Anglia, por sepse paraqitën një futboll me ngjyra të holluara… akuareli.

Italia 90: How the 1990 World Cup changed England - BBC News

Në këtë botëror u përfshiva në listën e atyre që do të komentonin vetëm në çastet e fundit. Ndërhyri një anëtar i KQ Qendror, i cili, siç duket, bisedoi met ata të Kupolës së Kuqe. Kështu që përsëri “kryekomentatori” ishte ende në rolin e violinës së parë, gjithnjë me plogështinë, ngathtësinë, me fjalorin prej 14 fjalësh e 25 për qind…, ose më saktë: prej 15 fjalësh e një çerek, që përdorte gjatë komenteve të tij, që mileti i quante “gjumëndjellëse”.

Kur më 1987, pra tre vjet para këtij botërori, kisha biseduar me Marash Hajatin, drejtuesin kryesor të RTVSH-së, se përse mbahej ky qëndrim ndaj meje, ai më qe përgjigjur me butësi: “Më mirë e lëmë këtë bisedë”.

In në shkurt të vitit 1991, kur diktatura komuniste ishte rrëzuar, në një bisedë tjetër ai do të më tregonte të vërtetën. Por atëherë kishte pësuar edhe vetë… një rënie të lirë. Dhe kjo, sepse duke qenë tashmë kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, kishte kundërshtuar vetë Ramiz Alinë dhe tashmë ishte… president i Bashkimit të Gazetarëve, që kishte në varësi… një sekretar.

Përpara se të paraqes tabelën e rezultateve, e shoh të udhës të ndalem në një ngjarje. Siç kam shkruar, më 1981 botova librin “Historia e futbollit”, që ishte kryesisht historia e botërorëve të futbollit deri më 1978. Më 1990, në prag të Botërorit Italia ’90, Shtëpia Botuese “8 Nëntori” që e kishte botuar, me propozimin tim, vendosi ta ribotojë, duke shtuar botërorët e fundit 1982, 1986 dhe duke ripunuar e plotësuar kapitullin që i kushtohej futbollit shqiptar, aq më tepër që një gazetar i shquar në fushën e sporteve më kishte bërë vërejtje me vend. Por libri nuk u ribotua. Shkaku: po ky gazetar kishte paraqitur një me demek doracak për botërorët e futbollit, i dobët për aftësitë e tij. Ata të “8 Nëntorit” mbyllën sytë para këtij fakti anormal dhe botuan doracakun… e famshëm që ishte larg librit tim të ripunuar. Punë bërrylash!..

Tabela e rezultateve të fazës finale (1/8 e finaleve)

  • Kamerun – Kolumbi 2-1 (me shtesë loje)
  • Çekosllovaki – Kosta Rikë 4-1
  • Argjentinë – Brazil 1-0
  • RF Gjermane – Holandë 2-1
  • Irlandë – Rumani 0-0 (me shtesë dhe 11-metërsh kalon Irlanda 5-4)
  • Itali – Uruguai 2-0
  • Jugosllavi – Spanjë 2-1 (me shtesë)
  • Angli – Belgjikë 1-0 (me shtesë)

1/4 e finaleve

  • Argjentinë – Jugosllavi 0-0 (me shtesë e 11-metërsha 3-2)
  • Itali – Irlandë 1-0
  • RF Gjermane – Çekosllovaki 1-0
  • Angli – Kamerun 3-2 (me shtesë)

Finale për vendin e tretë

  • Itali – Angli 2-1

Finale

  • RF Gjermane – Argjentinë 1-0

RF Gjermane: Illgner, Berthold (73’ Reuter), Brehme, Augenthaler, Kohler, Buchwald, Littbarski, Matthäus, Hässler, Völler, Klinsmann.
Argjentina: Goycochea, Ruggeri (46’ Monzón), Sensini, Simón, Serrizuela, Lorenzo, Burruchaga (53’ Calderón), Basualdo, Dezotti, Maradona, Troglio.

  • Gjyqtar: Codesal (Meksikë)
  • Golashënuesi më i mirë: Skilaçi (Itali) – 6 gola
  • Nga galeria e yjeve: Matthäus (RF Gjermane), Skilaçi (Itali), Careca (Brazil), Gascoigne (Angli), Van Basten (Holandë), Gullit (Holandë).
  • Ndeshje: 52
  • Gola: 115 (2.21 për ndeshje)
  • Shikues: 2.517.348 (48.410 për ndeshje)

Disa kuriozitete:

  • Konurrentë të Italisë për organizimin e Botërorit ’90 qenë Anglia, Greqia dhe Bashkimi Sovjetik. Por dy të parat u tërhoqën sepse nuk gjetën mbështetje nga qeveritë e tyre (ndërsa në votimin final Italia mposhti Bashkimin Sovjetik).
  • Gjatë këtij botërori u shënua numri më i pakët i golave për ndeshje në historinë e botërorëve deri në atë kohë – 2.21 gola për çdo ndeshje.
  • Për herë të parë një skuadër afrikane arriti në çerekfinale: Kameruni. Shembullin e tij, siç do të shohim në shkrimet e ardhshme, e ndoqi Senegali më 2002, Gana më 2010 dhe Maroku më 2022.
  • Për herë të parë në fazën finale të një botërori morën pjesë Kosta Rika, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irlanda.
  • Për herë të fundit në një botëror u lejua që topin e kthyer nga shokët me këmbë, portieri ta prekte me duar. Në Botërorin 1994 dhe më pas, këtë mund ta bënte vetëm kur ata t’ia përcillnin me kokë ose me gjoks.
  • Për herë të fundit skuadra fituese e një ndeshjeje në grupe të një botërori vlerësohej me 2 pikë. Në botërorët pasardhës dhe veprimtaritë e tjera kombëtare e ndërkombëtare, skuadra fituese filloi të vlerësohej me 3 pikë.
Argentina - Germany ● 1990 World Cup Final | Full highlight -1080p HD | Diego Maradona

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?