Guardiola: Mos na krahasoni, jemi ende larg këtyre tri klubeve
Manchester City nuk mund të konsiderohet ende një klub i barabartë me Barcelonën, Real Madrid dhe Bayern Munich por Pep Guardiola ndjen se po bëjnë hapa në drejtimin e duhur.
Katalanasi udhëhoqi Barcelonën dhe instaloi aty një “markë futbolli”, që fitoi admirues në të gjithë botën. Këtë e bëri edhe te Bayern Munich, ku fitoi tre tituj të Bundesligës në po kaq sezone, para se të transferohej në stolin e Manchester City.
Guardiola beson se suksesi i qëndrueshëm është i nevojshëm për “qytetarët”, që të hyjë në të njëjtin “sallon” me klubet elitare të Premier League dhe të Europës. Sidoqoftë, ai është i bindur se janë në rrugën e duhur.
“Dekadën e fundit, një nga skuadrat e rritura më së shumti është Manchester City. Kjo konstatohet qartë jo vetëm në periudhën time si trajner, por gjatë krejt dekadës së fundit. Për t’u krahasuar me Barcelonën, jemi shumë larg në aspektin e historisë dhe trashëgimisë. Jemi shumë larg, sepse kemi një dekadë ecuri pozitive, por ajo që bëjmë është gjithnjë e më e mirë. Mendimi im i përulur është se po hedhim hapa të vegjël përpara dhe çdo herë bëhemi më të mirë. Ne kemi fituar tituj, kemi grumbulluar 100 pikë në një kampionat, po luftojmë për të gjithë trofetë këtë sezon. Në vitet e ardhshme do të jemi edhe më të mirë, me siguri. Megjithatë, mos na krahasoni me Barcelonën, Real Madridin dhe Bayern Munich, sepse ato kanë histori të pabesueshme rezultative. Nëse duam të mbetemi në kujtesë, ne duhet të fitojmë gjithnjë e më shumë gjatë viteve, por ato klube janë një hap përpara në shumë drejtime”.
KOHA JONË SONDAZH

