Haaland: Do bëj gjithçka të fitojmë dy titujt e mbetur, ndaj Interit luajmë lojën tonë
Erling Haaland është zgjedhur “Futbollisti i Vitit” në Premier League falë një sezoni të jashtëzakonshëm te Manchester City. Tani objektivi i bomberit norvegjez është që të finalizojë dhe dy finalet e mbetura me trofe, për të mbyllur një edicion perfekt si në nivel personal ashtu dhe ekipor. Ai ka deklaruar së fundmi së ndaj Interit do të luajnë lojën e tyre.
“Ishte një sezon i mirë për mua. Në fakt, nuk prisja një ecuri të tillë, kam bërë më mirë seç e kisha menduar. Kam menduar vetëm për ndeshjen e radhës ashtu siç kërkon edhe Guardiola, pasi nuk më pëlqen të mendoj shumë për të shkuarën apo për të ardhmen. Është e paimagjinueshme ajo çfarë arritëm me City-n pasi ishim për shumë kohë pas Arsenalit. Në fund, titulli kishte një shije të mrekullueshme.
Tani kemi para edhe dy finale të tjera dhe duhet të mbetemi të fokusuar pavarësisht triumfit në Premier League. Do të bëj gjithçka që të dalim me tituj nga finalet. Është ndjesi e mirë që jemi favoritë ndaj Interit sepse kjo do të thotë se kemi kualitete. Duhet të sulmojmë në mënyrën tonë, të luajmë në stilin tonë dhe në fund ta shohim kush fiton”, u shpreh Haaland.

KOHA JONË SONDAZH

