Icardi bllokon merkaton e Interit, e ardhmja e tij e paqartë
Mauro Icardi nuk ka ndërmend të largohet nga Interi dhe po bën rezistencë të fortë, duke refuzuar oferta nga skuadra si Roma e Napoli. Sulmuesi argjentinas është i bindur të paraqitet në grumbullimin e skuadrës në fillim të korrikut, për t’i treguar Antonio Contes se mund të jetë një pjesë e rëndësishme e projektit zikaltër, ndaj po refuzon në mënyrë kategorike negociatat për largim.
Bashkëshortja menaxhere e tij, Wanda Nara ia ka bërë të qartë Marottës se në Itali largohet vetëm për t’iu bashkuar Juventusit, por bardhezinjtë nuk kanë ndërmend të shpenzojnë 80 milionë euro për kartonin e Icardit.
As propozimi tjetër i Marottës, për një shkëmbim kokë më kokë Icardi-Dybala, duket se nuk ka mundësi për t’u realizuar, pasi numri 10 i Juventusit nuk ka dëshirë të largohet nga Torino dhe kërkon të luajë shanset e tij me trajnerin e ri bardhezi. Ndërkohë së fundi Roma ofroi Dzekon, Kolarov dhe 40 milionë euro, për të marrë argjentinasin dhe ndonëse gjeti miratimin e Interit, hasi në refuzimin e prerë të menaxheres së Icardit, Wanda Narës.
Por kjo rezistencë e çiftit argjentinas duket se po mban të bllokuar merkaton e Interit, që deri tani ka arritur akordin për Dzekon dhe Barrelën, dhe për të nisur operacione të tjera, më parë duhet të shesë për të liruar vend në organikë.
KOHA JONË SONDAZH

