Icardi i shpall “luftë” Interit, 41 pikat me të cilat padit zikaltrit
Deklaratat e fundit të drejtorit sportiv të Interit, Beppe Marotta, kanë bërë që Mauro Icardi të mos durojë më dhe të hedhë në gjyq klubin e Interit duke kërkuar një dëmshpërblim financiar në vlerën 1.5 miluionë euro për dëmtim imazhi. a padinë e dorëzuar në gjykatë, argjentinasi citon 41 fakte (prova), ku e bazon pretendimin e vet, përfshirë dokumente, video dhe artikuj mediash. Icardi ka kërkuar nga gjykata si dëshmitarë të gjithë shokët e skuadrës. Ata duhet të dëshmojnë për situatën.
Ndër arsyet e padisë ndaj Interit, përveç mungesës së pjesëmarrjes në fushatat e ndryshme publicitare, Icardi përmend edhe përjashtimin nga bisedat në ekip, ku komunikohen oraret dhe metodat e trajnimit. Por jo vetëm. Icardi reklamon në gjykatë edhe mënyrën e heqjes së numrit 9, si dhe detyrimin për t’u stërvitur me pjesën tjetër të ekipit.
Ai përmend rastet e Puggioni te Chievo dhe Albertazzi te Verona, në të cilat të dy lojtarët më pas fituan çështjen kundër klubeve të tyre përkatëse. Në këtë pikë, me pak fjalë, lufta me Interin është tashmë totale, por klubi zikaltër beson se ka të drejtë, duke pasur parasysh që Icardi është stërvitur gjithmonë me grupin, përveç kohës taktike, e cila është vendim i trajnerit.
Një paralajmërim për këtë veprim ekstrem, Icardi ia kishte dërguar Interit më parë, që më 11 gusht. Tashmë pritet të caktohet gjyqtari, që do të shqyrtojë padinë e argjentinasit. Sidoqoftë, vendimi nuk mund të merret para tre muajsh. Tre muaj që ish-kapiteni rrezikon seriozisht t’i kalojë në “Pinetina”, i ndarë nga “shtëpia zikaltër”.
Icardi ka refuzuar dje ofertën prej 12 milionë eurosh nga Monaco, teksa objektivi i tij është vetëm që të luajë me Juventus, skuadër të cilin e refuzoi një vit më parë, në një shkëmbim të mundshëm me Higuain.
KOHA JONË SONDAZH

