Ja kush është kundërshtari i ri i Gjetan Ketës
Pas disa dështimeve, më në fund Këshilli Botëror i Boksit ka vendosur që kundërshtari i radhës i Gjetan Ketës për titullin kampion interkontinental WBO për peshat e mesme të jetë turku Gëkalp Ëzekler.
Falë këmbënguljes së madhe të vëllait dhe trajnerit të tij, Ismailit, dueli Keta-Ëzekler do të zhvillohet më 19 shkurt në pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në Tiranë.
“Që kur unë i thash që ia arritëm qëllimit që ndeshja të bëhet në Shqipëri, ai ndihet dy herë më i motivuar. Nuk pret t’i them unë vazhdo stërvitjen, por është vetë i gatshëm. Gjetani, me mbështetjen e publikut shqiptar është i pathyeshëm”, thotë trajneri i boksierit.
“Ndihem shumë mirë, jam në formën më të mirë, i lumtur dhe shpresoj se do të bëj një ndeshje të mirë. Besoj se tifozët kuqezi do të më mbështesin që të arrij një fitore dhe t’i nderoj”, thotë nga ana e tij Gjetan Keta.
Për shkak të prejardhjes së tij turke dhe ndeshjeve të mira që ka zhvilluar deri tani, kundërshtari i Ketës ka marrë dhe nofkën Sulltani.
“Kundërshtarin e njoh mirë, është shumë i fortë. Por shpresoj që ndeshja të shkojë në favorin tim edhe pse ai ka vetëm një humbje dhe unë tre”, shprehet Keta.
“Askush nuk është i pathyeshëm, ashtu siç mund të jetë edhe Gjetani i thyeshëm atë ditë. Por kam shumë besim tek forca dhe vullneti i tij, tek përgatitja e tij fizike dhe tek përvoja ime për t’i dhënë udhëzimet e duhura”, thotë i vëllai.
Edhe pse është mëse i bindur te forca dhe forma që do të tregojë i vëllai, trajneri Ismail Keta sërish nuk shprehet euforik. “Në sport ka një fitues dhe një humbës dhe të gjitha duhen pranuar. Por kam shumë besim dhe lus Zotin”, shprehet ai. TCH

