Januzaj i zuri vendin në kombëtare për Botërorin, Nainggolan jep dorëheqjen nga Belgjika
Roberto Martinez, trajneri i Belgjikës, ka shpallur sot listën paraprake me 28 futbollistë të cilët do të grumbullojë për Botërorin që nis më 14 qershor në Rusi.
Surpriza e madhe e kësaj liste ishte lënia jashtë e Radia Nainggolan, futbollistit të Romës dhe ftesa për Adnan Januzaj, i cili aktivizohet me Real Sociedad në “La Liga”.
Për këtë vendim trajneri ka deklaruar: “Nainggolan është një lojtar i fortë. Por vendimi është për arsye taktike. Në dy vitet e fundit ekipi ka punuar në një mënyrë specifike dhe janë lojtarë të tjerë që i kanë ato role. Ne e dimë potencialin që ka Januzaj. Ai është një lojtar që mund të ndihmojë shumë ekipin në mënyrën se si ne duam ta ndërtojmë lojën tonë.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i mesfushorit të Romës, i cili me anë të rrjeteve sociale përveçse thumboi trajnerin ka surprizuar me vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja.
“Me shumë dhimbje në zemër unë i dhashë fund karrierës ndërkombëtare… Gjithmonë kam bërë gjithçka për të qenë atje dhe përfaqësoj Belgjikën… për fat të keq vërtet që nuk jam i mirë për disa … Dhe nga sot unë do të jem një tifozë më shumë”, shkruan Nainggolan në Instagram.
Lista e plotë e Belgjikës
Portierë: Koen Casteels (Wolfsburg), Thibaut Courtois (Chelsea), Simon Mignolet (Liverpool), Matz Sels (Newcastle)
Mbrojtës: Toby Alderweireld (Tottenham), Dedryck Boyata (Celtic), Laurent Ciman (Los Angeles FC), Christian Kabasele (Watford), Vincent Kompany (Manchester City), Jordan Lukaku (Lazio), Thomas Meunier (Paris Saint-Germain), Thomas Vermaelen (Barcelona), Jan Vertonghen (Tottenham);
Mesfushorë: Nacer Chadli (West Brom), Kevin De Bruyne (Manchester City), Mousa Dembele (Tottenham), Leander Dendoncker (Anderlecht), Marouane Fellaini (Manchester United), Youri Tielemans (Monaco), Axel Witsel (Tianjin Quanjian);
Sulmues: Michy Batshuayi (Chelsea), Christian Benteke (Crystal Palace), Yannick Carrasco (Dalian Yifang), Eden Hazard (Chelsea), Thorgan Hazard (Borussia Monchengladbach), Adnan Januzaj (Real Sociedad), Romelu Lukaku (Manchester United), Dries Mertens (Napoli).
KOHA JONË SONDAZH

