Kategoria Superiore luan sot javën e parafundit, Tirana dhe Partizani “betejë” në distancë për titullin
“Abissnet Superiore” rikthehet sot me ndeshjet e javës së 35-të, të parafundit për këtë sezon. Partizani do të udhëtojë në transfertë për t’u përballur me Kastriotin e vendit të fundit. Skuadra e “demave” kërkon me patjetër tre pikët në këtë përballje duke shpresuar nga një hap fals i Tiranës.
Bardheblutë do të kenë një duel aspak të thjeshtë ndaj Bylis, që nga ana tjetër lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra e Shehit kërkon një fitore për t’u afruar sa më shumë me titullin kampion, ndërsa mallakastriotët një fitore për qëndrimin në Superiore.
Një tjetër sfidë interesante do të jetë dhe ajo në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Laçit. Në rast se skuadra shkodrane do të merrte një fitore sot, do të bënte një hap të madh drejt Europës. Nga ana tjetër, Teuta do të kërkojë Europën në një takim me Egnatian që e siguroi këtë të fundit matematikisht.
Një tjetër përballje vendimtare është dhe ajo Kukësi-Erzeni. Verilindorët gjenden në vendin e shtatë të klasifikimit me dy pikë me shumë se shijakasit e një vendi më poshtë.

KOHA JONË SONDAZH

