Kukësi dhe Skënderbeu, shpresat e mëdha të Shqipërisë në Europë
Dy skuadrat shqiptare që pretendojnë të hedhin hapin historik në Kupat e Europës, Kukësi dhe Skënderbeu, nisur edhe nga shorti i favorshëm, kanë mbyllur ose janë në fund të përgatitjeve, dhe gati për ndeshjet evropiane. Laçi dhe Partizani, dy ekipet e tjera ndodhet në Shqipëri dhe gjithashtu gati për sfidat e para të Europa League, por me më pak shanse kualifikimi. Janë këto dy ekipe që i janë afruar fazës së grupeve më parë dhe synojnë këtë vit momentin historik. Skënderbeu Skënderbeu vijon përgatitjet në Austri, në prag të ndeshjeve të Champions League, me moral të lartë për të arritur objektivin historik. “Këtu në Austri po stërvitemi me intensitet të plotë,”- thekson mbrojtësi Tefik Osmani. – “Ngarkesat fizike janë të konsiderueshme, por kushtet na e lehtësojnë misionin. Lojtarët e kanë përballuar me sukses stërvitjen e trajnerit Josa, edhe pse janë paksa të ngarkuara. Fatkeqësisht, vetëm kapiteni Shkëmbi është i dëmtuar, ndërsa gjithë të tjerët nuk kanë asnjë problem,” – thotë ai mbi seancat më të fundit. Pas titullit kampion dhe para ndeshjeve europianë, Skënderbeu ka pësuar disa ndryshime në ekip. -“Kemi edhe pak kohë për t’u përgatitur, ndërkohë që mund të studiojmë edhe kundërshtarët tanë në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Kur të ndeshen me njëri-tjetrin Levadia Talin dhe Crusaders do të krijojmë një ide më të qartë për atë që na pret. Paraprakisht, them se shorti është i mirë dhe mund ta kalojmë turin, ndonëse në futboll asnjëherë nuk i dihet,” – nënvizon mbrojtësi korçar Osmani. Mbrojtësi theksoi se ka biseduar me presidentin Ardian Takaj dhe do të rinovojë kontratën në Austri. – “Nuk ka asnjë diskutim, do të luaj me Skënderbeun edhe sezonin e ardhshëm,” – shprehet ai. Skënderbeu synon këtë sezon fazën e grupeve në Europa League. Kukësi Një ekip tjetër që pretendon sukses në Europa League, është Kukësi. Gentian Muça, ish-kapiteni i Tiranës, ka firmosur kontratë për 1 vit me Kukësin. Skuadra verilindore, Kukësi ka bërë disa përforcime kryesisht nga tregu vendas. Por kur u mendua se kapiteni Gentjan Muça ishte larguar vetëm për ndeshjet europiane, tashmë skuadra nën-kampione e vendit pretendon se ai ka firmosur dhe do të qëndrojë edhe një sezon tjetër. Mbi largimin e mundshëm të mesfushorit vlonjat Hair Zeqiri, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, është shprehur se kërkon 300 mijë Euro për ta lënë atë të lirë. RNK Split interesohet për mesfushorin, ndërsa dje Kukësi zhvilloi miqësoren e radhës me Universitatea Craiova, ekipin rumun. Nën-kampionët e Shqipërisë u ndanë në barazim pa gola në këtë miqësore. Tekniku Marcello Troisi e aktivizoi të gjithë kontingjentin që kishte në dispozicion për këtë sfidë. Kukësi do të ndeshet me ekipin bjellorus të Torpedos më 2 korrik, ora 18:00, në “Qemal Stafa” që do të jetë ndeshja e parë të Europa League, ndërsa gjyqtarë të këtij takimi do të jenë zviceranë, por edhe shqiptar nga Kosova.
Kukësi-Torpedo, gjykon edhe një arbitër nga Kosova Gjyqtari Bekim Zogaj, do të jetë pjesë e gjykimit të Kukësit në Europa League. Ai ka lindur në Prejlep të Deçanit dhe në Zvicër ka mbërritur kur ishte 10 vjeç, ku ka kryer edhe shkollën për komercialist. Në vitin 1997, ai ka mbaruar kursin për gjyqtar futbolli. Ndeshjen e parë të Superligës zvicerane ka gjykuar Aarau-Grasshoppers Zürich, që kishte përfunduar me rezultatin 2-4 dhe dy gola i kishte shënuar Shkëlzen Gashi.
KOHA JONË SONDAZH

