Kukësi fjalë të mëdha për Shametin: Dera e hapur për ty!
Ylli Shameti sot zyrtarizoi largimin nga skuadra e Kukësit pas 6 sezonesh, teksa nuk ka munguar as reagimi i klubit. Skuadra verilindore ka shkruar fjalët më të mira për ish-kapitenin duke i lënë “derën e hapur” për të ardhmen në stafin teknik.
Postimi i klubit:
“Futboll Klub Kukësi falënderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë.
Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionistë në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë.
35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte titullin kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën. Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane.
Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai iu ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve, duke e çuar ekipin drejt sukseseve.
“Mbreti” i topave në ajër dhe shpeshherë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e kuksianëve.
Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e klubit hapur, edhe si pjesë e stafit teknik.”
KOHA JONË SONDAZH

