Kukësi shkatërron Flamurtarin, Shkurtaj është i frikshëm me dopietë (VIDEO)
Kukësi e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri, teksa edhe në javën e dytë ka arritur që të marrë një fitore të thellë në shifrat 3-0 ndaj Flamurtarit në transfertë. Flamurtari rezistoi vetëm 23 minuta në sfidën e sotme, pasi ishte sulmuesi vlonjat i Kukësit, Vasil Shkurtaj, që pas një topi të marrë në zonë, veproi bukur teknikisht dhe arriti të gjuajë e të shënojë golin e avantazhit.
Në pjesën e dytë ishte sërish Shkurtaj që shënoi golin e dytë, pasi shtyu në rrjetë një asisti perfekt të Edis Maliqit, ndërsa 10 minuta më vonë ishte mbrojtësi shkodran i Flamurtarit, Olsi Gocaj që shënoi një autogol naiv dhe “vrau” shpresat e vendasve për një rezultat pozitiv në këtë takim.
Debutoi për verilindorët edhe blerja më e re e këtij sezoni, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Kristal Abazaj, i cili erdhi në huazim nga Anderlechti dhe ishte protagonist në autogolin e Gocajt, pasi çoi në zonë topin që shkodrani e devijoi në rrjetë.
Minutat e mbetura u zhvilluan kryesisht në gjysmëfushën vlonjate, ku Kukësi mund të kishte shënuar edhe 2-3 gola të tjerë, por u tregua i rezervuar, ndërsa trajneri i vlonjatëve Sadedini preferoi të eksperimentojë me futbollistët e rinj të hedhur në fushë. Pas javës së dytë, Kukësi dhe Skënderbeu janë të vetmet skuadra që ia dolën të marrin 6 pikë të plota, ndërsa Laçi, Flamurtari dhe Luftëtari janë ekipet që kanë mbetur në kuotën e zero pikëve.
KOHA JONË SONDAZH

