Musolli: Po punojmë për Superkupën, duam të gjitha trofetë
Kukësi po vijon përgatitjet për fillimin e sezonit të ri, por mbi të gjitha për finalen e Superkupës së Shqipërisë më 18 gusht. Nënkampionët e vendit do të përballen me Partizanin, rival të cilin do të kenë përballë edhe në ndeshjen e parë të kampionatit. Besar Musolli, veterani i verilindorëve, shprehet për faqen zyrtare të Kukësit se objektivi është ta nisë me trofe sezonin.
“Janë pesë ditët e para të përgatitjeve në Mavrovë. E kemi filluar mjaft mirë. Siç dihet, kjo fazë është e vështirë. Po punojmë intensivisht, me nga dy seanca stërvitore në ditë. Deri tani jemi shumë të kënaqur, shpresojmë të mos kemi dëmtime. Të gjitha përgatitjet kanë në fokus Superkupën e Shqipërisë. Po bëjmë të pamundurën që të stërvitemi sa më mirë dhe të bëhemi gati për përballjen me Partizanin. Sikurse dihet, Superkupa është një finale dhe ne duhet ta fitojmë patjetër atë.
Për ne si futbollistë është më rëndësi që kampionati i ri të jetë sa më i fortë dhe konukurrues, sepse rritet dëshira për të punuar sa më shumë dhe arritur objektivat. Gjithë këto vite, objektivat e Kukësit kanë qenë të qarta. Edhe sezonin e ri do të mundohemi të dalim kampionë, të fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë. Presim të bëjmë paraqitje sa më të mira. Mbi të gjitha, uroj të mos kemi dëmtime. Kjo është më e rëndësishmja për një futbollist.”
KOHA JONË SONDAZH

