Partizani do të ketë “fatin e Laçit”, Devi Muka: Më pas Tirana, marshim drejt titullit
Pas fitores së fundit në “Qemal Stafa” me Laçin, për mënyrën se si ka luajtur Tirana, golin e shënuar në fund nga futbollisti i ardhur nga Kenia, Kahata, si dhe për grintën e treguar në fushë, drejtori sportiv i Tiranës, ish-kapiten i shquar i këtij ekipi, Devi Muka, flet në prag derbi me Partizanin, se mund të përsëritet e njëjta histori. Tirana nuk kishte fituar asnjë ndeshje gjatë këtij sezoni, në pesë përballjet e kaluara me Laçin, madje u eliminua nga kupa përballë këtij kundërshtari. Ndaj Partizanit, ka luajtur tre derbi dhe nuk ka fituar asnjëherë, por Muka beson se ky është momenti. – “Jemi në rrugë tepër të mbarë. Ekipi, pas humbjes në Kupë, ka rifituar moralin e duhur. Tashmë shoh një skuadër plot grintë,” – shprehet Muka. –“Është pikërisht kjo Tiranë që të gjithë prisnim. Me Laçin u zhvillua ndeshja më e mirë për vitin 2015. Këtij grupi i është rikthyer grinta, e cila kishte munguar për një kohe të gjatë. Edhe tri ndeshje të forta kanë mbetur, por i kemi të gjitha shanset që të marrim titullin,” – shprehet ai.
Tirana do të luajë të hënën në “Qemal Stafa”, ora 20:45, në derbin e fundit të këtij sezoni, ndaj Partizanit. Në tre ndeshjet ne kaluara derbi, bardheblutë nuk kanë fituar asnjë ndeshje. Barazim pa gola në derbin e fazës së parë, dhe dy humbje, 2-0 dhe 2-1 në dy ndeshjet e fazave të fundit. Megjithatë, Tirana ka mundur të ecë më mirë se rivali kryeqytetas, në ndeshjet e tjera, dhe falë kësaj, ndodhet tre pikë para Partizanit. Fitorja në derbin e fundit do të ishte një kthesë me vlera të mëdha, sepse tifozët e duan me çdo kusht triumfin ndaj një kundërshtari të tillë, aq më tepër kur e afron pranë titullit kampion. – “Pas tre ndeshjeve derbi pa fitore, do të ishte e tepërt një tjetër rezultat negativ. Ne kemi lojtarët e duhur, që mund të bëjnë diferencën dhe të thyejnë “akullin” e derbit. Tirana i ka të gjitha mundësitë dhe aftësitë për të fituar. Ekipi prodhon lojë, përtej eliminimit nga Kupa. Ky është një faktor që jep shpresë,” – thekson më tej Devi Muka.
Si lojtar Muka e ka ngritur disa herë trofeun e titullin kampion. Tashmë kërkon ta ngrejë at, si drejtues, rolin e të cilit ia besoi presidenti Refik Halili gjatë fillimit të këtij viti. – “Tashmë jemi një ekip që nuk dorëzohemi dhe luftojnë deri në fund. Kemi një super-tifozeri. Dhe po ta vesh re, që të gjitha grupimet e qyteteve të tjera po imitojnë tifozët tanë. Do doja të mos e kisha lënë direkt futbollin, sa për të shijuar nga fusha atë që përcjellin shkallët e stadiumit tifozët bardheblu”,- shprehet ndër të tjera Devi Muka. Tirana para derbit me Partizanin, kur kanë mbetur edhe tre javë nga mbyllja e garës, ndodhet në vend të dytë, 3 pikë pas Skënderbeut që kryeson kampionatin. Por nëse triumfon me të kuqtë, bardheblutë do të luajnë një ndeshje direkte me të besuarit e Mirel Josës dhe nëse ia dalin mbanë të thyejnë katër herë radhazi kampionët e Shqipërisë, pritja e gjatë prej 6 vjetësh për titullin e 25-të kampion në historinë e këtij klubi, do të marrë fund.
KOHA JONË SONDAZH

