Përsëri “tangoja argjentinase” me Maradonën dirigjent (1986)
Nga Skifter Këlliçi
Botërori i 13-të duhej të zhvillohej në Kolumbi. Por ajo u tërhoq për “halle familjare”, me fjalë të tjera se vendi ishte i rrënuar ekonomikisht dhe populli, me gjithëse e donte futbollin, kishte nevojë të ngopej me bukë. Këtë rast e shfrytëzuan meksikanët. Ia kishin marrë dorën me botërorin e vitit 1970. Po ato stadiume, tani, me disa zbukurime e edhe më të hijshme, midis të cilëve si margaritar shkëlqente “Askteka” (Azteca), mbi shpatullat e së cilës mund të rrinin rehat-rehat deri 115 mijë shikues.
Por edhe meksikanëve për pak nuk u plasi bomba në duar, sepse në shtator të një viti më parë disa krahina të Meksikës u përfshinë nga një tërmet i fortë, që solli 4.000 deri 10.000 viktima, sipas shifrave të zvogëluara të autoriteteve meksikane, veç rrënimit të shumë vendbanimeve.
Lindën gjithashtu po ato probleme të Botërorit Meksikë ’70: stadiume në lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit, pra dihatje disi me vështirësi, ndeshje që zhvilloheshin në orën 12:00 të mesditës, me diellin si thikë mbi kokë dhe në orën 18:00, që i korrespondonte orës 12:00 të natës në shumë vende të Evropës.
Pas trazirash politike, një fllad i paqtë po frynte mbi botë, sidomos në Lindje, ku Gorbaçovi, me “perestrojkën” dhe “gllasnostin”, po thyente muret kështjellare që ishin ngritur midis Lindjes dhe Perëndimit, që u mjegullua pas tragjedisë në qendrën bërthamore të Çernobilit, ku ende nuk dihet me saktësi numri i viktimave.
Sikur të ishte shtyrë nga këto ngjarje, edhe në Shqipëri, pasi Enver Hoxha një vit më parë na “kishte lënë… shëndetin”, diçka kishte nisur të lëvizte. Edhe në RTVSH, ku programet zunë të çliroheshin disi nga pesha e rëndë e censurës.

Në këto rrethana edhe unë u thirra më së fundi një ditë nga njëri prej drejtuesve kryesorë të tij, i cili më tha se, meqë sporti në TV nuk shkonte mbarë, dhe kjo për shkak të punës së dobët të “kryekomentatorit”, që e kam përmendur më parë, unë duhej të vija të punoja atje. E falënderova, por pranova të jem bashkëpunëtor i jashtëm, sepse në TVSH, për shkak të ngarkesës së punës, humbisja 6 muaj leje krijuese që më jepte Partia çdo vit, si dhe orarin e shkurtuar në 4 orë, të cilat, doja s’doja, si çdo shkrimtar tjetër, do t’i shfrytëzoja për të shkruar vepra “që na frymëzonte jeta e lumtur” që po kalonim. Pra, do të drejtoja “Rubrikën sportive”, të komentoja ndeshjet e futbollit dhe, doemos të evropianëve, botërorëve, të cilat kishin nisur, siç kam shkruar, më 1972. Dhe kjo kishte nisur me propozimin tim dhe miratimin e Todi Lubonjës, ish-drejtor i RTVSH-së, i cili kishte 13 vjet që dergjej në burg si armik i Enver Hoxhës, ngaqë kishte organizuar… një festival kënge (!?).
Por e vërteta është se, ndonëse për “kryekomentatorin” kishte ankesa nga lart, se ishte “i ngathët dhe i ftohtë”, mbeta hije pas tij, sepse përsëri ishte ai që merrte “pjesën e luanit”, pra që bënte komentet e ndeshjeve më të rëndësishme, duke qenë kështu prapëseprapë… “kryekomentator”. Por kjo ndodhte, sepse unë jo rrallëherë vija në siklet byro-komitetqendrorasit, të cilët bënin, ç’bënin, telefononin, sidomos kur gjatë këtij botërori përdora figura letrare, si për shembull: “Maradona, me këtë arratisje nga krahu i majtë, kapërcen kufirin e mbrojtjes kundërshtare…”. Kjo shprehje u vrau kaq shumë veshin atyre, sa një nga drejtuesit e TV-së më thirri urgjentisht dhe m’u lut që të frenoja gjuhën, se ajo fjala… “arratisje” ishte me zarar dhe, jalllah, ndillte ndonjë që kishte ndërmend të kapërcente njëmend kufirin!…
U zgjata, por më duket se edhe lexuesi do të qeshë me vete duke lexuar këto radhë. Por të tjera qyfyre i kam ruajtur për ta më pas.
Edhe ky botëror, i zhvilluar nga 31 maji deri më 29 qershor të vitit 1986, u “pagëzua” me formulën e Botërorit ’82, por me të vetmin ndryshim, se 12 finalisteve u shtoheshin edhe katër skuadra, me rezultate më të mira në grupet e tyre, të cilat ndesheshin me sistem mënjanimi të drejtpërdrejtë, pra ashtu siç ishte vepruar deri në Botërorin 1978, kur në fazën finale të tij merrnin pjesë 16 skuadra.
Në qoftë se gjatë bisedës rreth botërorit në Spanjë të katër viteve të shkuara Martelini më foli thuajse gjatë tërë kohës gazmorisht, kjo nuk ndodhi më pas, kur më shpjegoi ngjarjet që lidheshin me Botërorin Meksikan. Ç’është e vërteta, zërin e tij e dëgjova vetëm në ndeshjet në grupin ku, veç Italisë, bënte pjesë Bullgaria, Argjentina, me të cilat ajo barazoi me rezultatin 1-1, dhe Koreja e Jugut, të cilën mezi e mposhti 3-2. Në këto ndeshje azurrët nuk shkëlqyen, sidomos në ndeshjen me “liliputët” koreano-jugorë, që me shkathtësi u shqiteshin atyre nga sytë, duke u sjellë ndërmend jo pa tmerr dramën e Italisë ’66 në Angli, ku këtë radhë koreano-veriorët u kishin mbyllur derën e gjysmëfinaleve (1-0).
“Kjo Itali ishte e mplakur, – më shpjegoi Martelini. – Gjysma e tyre njëmend ishin kampionë të botës, por pa vezullim. Madje Rosi legjendar dhe Tardeli ndenjën gjatë tërë ndeshjeve në stolin e rezervave. Bearzoti, pas dështimit në Evropianin e vitit 1984 që në grup, duhej të kishte bërë freskim të skuadrës, e cila u fundos në çerekfinale nga “gjelat” francezë, me gola të Platinisë dhe Stofirasë, dhe u kthye pa lavdi në atdhe. Bashkë me të edhe unë. Por për një arsye tjetër: pata një infeksion në zorrë. Vendin tim e zuri Bruno Pikuli, që do të tregonte se ishte me të vërtetë trashëgimtar i shkollës së Nikolo Karozios, të cilat e kisha ndjekur edhe unë. Meqë kisha kaluar 65 vjetët, u tërhoqa në pension dhe zura të bashkëpunoja me komente që transmetoheshin nga stacionet e radios dhe TV-së së Fininvestit të Berluskonit”.

I kujtova se e kisha ndjekur dramën e tij dhe të azurrëve nga programet e RAI-t dhe madje kisha mësuar që ai kishte botuar edhe librin me temë sportive “Nga Meksika në Meksikë”.
“Edhe ky libër, ashtu si vetë skuadra azurra, nuk pati sukses”, – vazhdoi të më fliste çiltërisht Martelini.
…Vazhdojmë me rrugëtimin e këtij botërori, që u zhvillua nga data 31 maj deri më 29 qershor të vitit 1986.
Danimarka e Mikhael Laudrupit pritej të ishte ylli i tij. Pas një interpretimi “me xhiro të ngadalta” në takimin e parë kundër Skocisë (1-0), ajo me të njëjtin rezultat 2-0 u dha një mësim shembullor uruguaianëve dhe gjermanoperëndimorëve.
Jo më kot vajzat daneze me minifunde dhe këmisha me shirita bardhë e kuq këndonin: “We’re red, we’re white, we’re dynamite”, pra: “Ne jemi të bardhë, ne jemi të kuq, ne jemi dinamit!”.
Por ndodhi çudia. Pas golit të parë të Olsenit në minutën e 39-të me 11-metërsh kundër Spanjës, gabimi naiv i një mbrojtësi solli që Butragenjo në të 43-tën, 56-tën, pastaj Goikoçea në të 68-tën dhe përsëri Butragenjo në të 80-tën e 88-tën, ta zhbënin këtë skuadër kaq premtuese të këtij botërori, me rezultatin 5-1. Katër gola shënoi ky i fundit, që u mbiquajt “kanibali golngrënës”. Kështu ndodh kur mbushesh me delirin e madhështisë!
“Kjo ishte humbje aksidentale, – më tha Martelini, – sepse Danimarka do të kishte qenë protagoniste e rëndësishme e këtij botërori”.
Në çerekfinale të tjera Meksika i lau shpejt hesapet me Bullgarinë 2-0, Belgjikës iu desh shtesë loje të mundte Bashkimin Sovjetik 4-3, Brazili bëri shëtitje turistike duke mënjanuar Poloninë 4-0 dhe duke marrë hak për humbjen e botërorit të vitit 1974, kur Latoja i kishte ndëshkuar me një gol të rrallë.
Maradona me shokë gjithashtu nuk u dërsitën shumë për t’i dërguar uruguaianët në aeroport, duke u kujtuar se humbja në finalen e parë të vitit 1930 në Montevideo, ishte vetëm një ëndërr që nuk përsëritej më për ta. Edhe anglezi Lineker me shokë u thanë paraguaiandve “Lamtumirë”, madje me shifrat tingëlluese 3-0.
Vimë kështu te ndeshjet çerekfinale, ku u bë shumë zhurmë për golin e Maradonës në takimin Argjentinë-Angli, që u shënua me dorë. Portieri anglez, Shilton, deklaroi plot mllef atë që tërë bota e pa në ekranet e TV-së, pra se gjatë kërcimit Maradona me dhelpëri e kishte goditur topin me dorë. “Ai e vodhi golin”, – pata lexuar atëherë në shtypin e huaj. Po këto fjalë ai më përsëriti mua dhe dy gazetarëve të tjerë shqiptarë në hotel “Tirana” pas ndeshjes Shqipëri-Angli (mars 1987), për eliminatoret e Evropianit që do të zhvillohej një vit më pas.
Por, si të shlyente këtë “faj”, po ky Maradona, me një shkëputje nga 40 metra, pasi ua hodhi katër mbrojtësve tuafë anglezë, që nuk dinin nga t’ia mbanin, shënoi një gol legjendar. Për vite me radhë Maradona deklaroi se goli i tij i parë ishte shënuar “me ndihmën e dorës së perëndisë”. Vetëm vitet e fundit pohoi të vërtetën.
“Për mua një kampion i madh si ai, nuk duhej kurrë të vepronte kështu”, – më tha atëherë Martelini. “Edhe unë ashtu mendoj”, – iu përgjigja. Madje, edhe sikur të kisha pasur rast ta intervistoja, jo pa i mbajtur qëndrim, do t’ia vija në dukje këtë njollë që ai ende e ka mbajtur deri vonë në kurriz, pavarësisht se atij, ndoshta nuk do t’i bënte përshtypje. (Se mos, siç do të shohim, i krijoi këtë ndjenjë francezit Anri goli me dorë kundër Irlandës, që i dha mundësi Francës të luajë në finalet e Botërorit 2010!…).
Por gjatë zhvillimit të kësaj ndeshjeje ngjau diçka me të vërtetë për t’u shqyer gazi, që lidhet me atë shprehjen time “Maradona me këtë arratisje…”. Por shumë larg Meksikës, në një postë kufitare që ndan Shqipërinë me fshatra të Dibrës së Madhe në Jugosllavi. Këtë ngjarje ma ka treguar një mësoburrë tek po ktheheshim në qershor të vitit 2002 me avion nga Bostoni në Shqipëri.

“Atë ditë, – më shpjegoi ai kur bëmë pushim në Cyrih, – me një shok tjetër nisëm të vinim në jetë planin që kishim ndërmend – të arratiseshim. Ishim ushtarë të një reparti ushtarak pranë Librazhdit. Dhe shfrytëzuam rastin që të largoheshim në kohën kur po zhvillohej kjo ndeshje dhe kur thuajse të tërë, ushtarë dhe oficerë, po ndiqnin me kureshtje Maradonën me shokë. Ia mbathëm bashkë me kallashnikovët, të fshehur nën mushama, sepse kishim vendosur që në rast se binim në pritë, të luftonim. Por nuk u pikasëm.
Kur ra mbrëmja, duke u zvarritur, arritëm të kalonim kufirin, çuditërisht me lehtësi. Depërtuam thellë dhe, kur vumë re një kasolle të gjatë, u rrasëm shpejt brenda saj. Ç’të shihnim! Ushtarët jugosllavë, ashtu si ushtarët shqiptarë të repartit tonë në postën tonë kufitare, ishin rehatuar për shtatë palë qejfe dhe po shihnin një ndeshje tjetër të botërorit që nuk e mbaj mend. Ata u llahtarisën kur na panë, aq më tepër me kallashë në duar dhe, duke brofur në këmbë, ngritën duart lart! Vetëm kur u thamë se ishim ushtarë shqiptarë, e mblodhën veten. Pas disa javësh, si u siguruan se ç’qëllim kishim, autoritetet jugosllave na përcollën në Beograd dhe që atje, me ndihmën e Ambasadës Amerikane, u nisëm për në SHBA”.
Kur ia tregova këtë histori Martelinit, sa nuk u shqye gazi. “Përse nuk i shkruan këto”, – më tha. Dhe ja unë, pas kaq vjetësh, po ua blatoj me dëshirë lexuesve.
Në çerekfinalet e tjera, tri prej tyre përfunduan jo vetëm me shtesë, bur edhe me 11-metërsh, dukuri që nuk kishte bërë vaki në asnjë botëror deri atëherë, siç tregohet në tabelën e mëposhtme. Skuadra meksikane pati fatin e keq të mënjanhej me 4-1 me 11-metërsh nga gjermanoperëndimorët.
Është interesante të vihet në dukje se skuadrën meksikane e drejtonte trajneri jugosllav, Bora Milutinoviç, që hyri në histori sepse në Botërorin Itali ’90 drejtoi Kosta Rikën, në Botërorin USA ’94 skuadrën amerikane, në Botërorin Francë ’98 Nigerinë, duke i kaluar të tëra në fazën e dytë, pas ndeshjeve në grupe, dhe vetëm më 2002 nuk arriti të shpinte Kinën në finalet e Botërorit Japoni-Kore e Jugut. Barazoi kështu rekordin e trajnerit të njohur brazilian, Parreira.
Gjysmëfinalet nuk patën historinë e çerekfinaleve maratonike, siç tregohet në tabelën e mëposhtme të rezultateve. Gjermanoperëndimorët nuk u dhanë francezëve të Platinisë asnjë shans që të zhvillonin një shtesë, si në gjysmëfinalen spanjolle të katër viteve të shkuara, ku fituan me 11-metërsh, 8-7. Këtë radhë “Sturm und Drang”-u i tyre (“Stuhi dhe vrull”) mbizotëroi në fushë, duke i përcjellë kundërshtarët me trokëllimën e dy golave. Si të ndiqte shembullin e tyre, Maradona u priu shokëve që përsëritën të njëjtat shifra me Belgjikën, e cila mbeti e kënaqur që kishte arritur në këtë cak për herë të parë në vjetarët e futbollit të këtij vendi.
Vimë kështu në finale. U duk se sëmundja e shtesës që kishte infektuar katër ndeshjet e çerek dhe gjysmëfinaleve do të shfaqej në ndeshjen përmbyllëse, Argjentinë-RF Gjermane, sepse, pas golave të Braunit në 22’ dhe të Valdanos, së pari Rumenige në 56’ dhe pastaj Fëleri në 74’ e kthyen takimin në barazpeshë. Dhe, kur mendohej se do të vinte kjo shtesë, Buruçaga pas tri minutash, me një shkëputje nga e djathta, përhapi në stadium dhe në tërë botën tingujt e tangos argjentinase, që ngadhënjente për të dytën herë.

Rezultatet e fazës finale
1/8 e finaleve
- Meksikë – Bullgari 2-0
- Belgjikë – B. Sovjetik 4-3 (me shtesë loje)
- Brazil – Poloni 4-0
- Argjentinë – Uruguai 1-0
- Francë – Itali 2-0
- RF Gjermane – Marok 1-0
- Angli – Paraguai 3-0
- Spanjë – Danimarkë 5-1
1/4 e finaleve
- Francë – Brazil 1-1 (me shtesë dhe 11-metërsh 4-3)
- RF Gjermane – Meksikë 0-0 (me shtesë dhe 11-metërsh 4-1)
- Argjentinë – Angli 2-1
- Belgjikë – Spanjë 1-1 (me shtesë dhe 11-metërsh 5-4)
1/2 e finaleve
- RF Gjermane – Francë 2-0
- Argjentinë – Belgjikë 2-0
Ndeshja për vendin e tretë
- Francë – Belgjikë 4-2
Finale
- Argjentinë – RF Gjermane 3-2
Argjentina: Pumpido, Kuçufo, Olartikoçea, Batista, Ruxheri, Braun, Buruçaga (89’ Trobiani), Xhusti, Enrike, Maradona, Valdano.
RF Gjermane: Shumaker, Berthold, Fëster, Brehme, Brigel, Eder, Mateus, Magat (Hënës 61’), Jakobs, Rumenige, Alofs.
- Gjyqtar: Filho (Brazil)
- Golashënuesi më i mirë: Lineker (Angli) – 6 gola.
Nga galeria e yjeve: Maradona (Argjentinë), Platini (Francë), Lineker (Angli), Butragenjo (Spanjë), Laudrup (Danimarkë).
Ndeshjet u zhvilluan në stadiumet “Askteka” (Azteca) dhe “Olimpik” në qytetin Meksiko, si dhe në stadiumet e qyteteve Guadalahara, Irapuato, Leon, Monterrei, Puebla, Toluka, Kueretaro, etj.

KOHA JONË SONDAZH

