“Plani” i Ançelotit te Napoli, ja yjet që pritet të afrohen këtë verë
Karlo Ançeloti do të jetë trajneri i ri i Napolit në sezonin e ardhshëm. Pas takimit të së martës në mbrëmjes, dhe të ditës së sotme është arritur akordi final me presidentin Aurelio De Laurentis. Strategu italian do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me 6-6.5 mln euro në sezon, ndërkohë që mësohet se ai ka rënë dakord edhe për disa lëvizje në merkato.
Në mbledhjen që ka zgjatur rreth 3 orë dhe që Ançeloti ka pranuar ofertën e De Laurentis për të marrë drejtimin e Napolit, trajneri i ka kërkuar presidentit të afrojë 3 apo 4 emra me peshë në merkaton e verës. Dëshirat primare të Ançelotit janë dy, Karim Benzema për sulmin dhe Arturo Vidal për mesfushën. Dy objektiva deri diku të arritshëm duke patur parasysh faktin që sulmuesi francez dhe mesfushori kilian me shumë gjasa do të ndërrojnë skuadër në merkaton e kësaj vere.
Një tjetër objektiv është Mario Balotelli i cili mund të afrohet me parametër zero ndërsa i vetmi lojtar i rëndësishëm që do të largohet nga të kaltrit do të jetë kapiteni Marek Hamshik për të cilin interesohet skuadra e Shandong Luneng në Kinë me Hamshik që pritet të përfitojë 40 milionë euro për 3 vite ndërsa De Laurentis mund të arkëtojë 30 milionë euro nga shitja e tij.

KOHA JONË SONDAZH

