Pochettino: Finalen mund ta vendosin detajet, ja çelësi si mund të fitojmë
Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino është shfaqur shumë i qetë në konferencën për mediat para finales ndaj Liverpoolit. Strategu argjentinas është shprehur se loja në grup dhe detajet mund të vendosin finalen.
“Rrugëtimi deri në finale ka qenë i pabesueshëm. Fokusimi, përqendrimi, është kënaqësi të drejtosh një grup të tillë futbollistësh. Ndihem shumë krenar, kemi qenë të hapur për të punuar së bashku. Jemi gati për nesër për të vrapuar, luftuar dhe për ta shijuar ndeshjen.
Kur arrin në finale, mendon vetëm për të fituar. I respektojmë kundërshtarët, Liverpooli është një skuadër e madhe, bashkë me Manchester City janë dy skuadrat më të mira në botë. Klopp ka bërë një punë të shkëlqyer, kanë futbollistë të mëdhenj dhe janë ekip i madh.
Për të marrë një vendim për finalen është e vështirë, por i kemi të gjitha informacionet që na duhen. Detajet mund të vendosin fitoren. Fakti që duhet të përzgjedhësh vetëm 11 futbollist që nga fillimi është vendimi më i vështirë. Nesër duhet të tregojmë se futbolli është një sport kolektiv, energjia e futbollistëve në dhomat e zhveshjeve mund të jetë vendimtare. Do të jetë një vendim i vështirë, por kështu është puna jonë.
Gjëja më e rëndësishme është që të jemi gati për këtë finale. Duhet të luajmë të lirë, të luajmë sikur jemi fëmijë të lirë, pa menduar se janë duke të ndjekur 1 bilion njerëz. Të ndihmojmë njëri-tjetrin, të kemi një komunikim të mirë, ky është çelësi”, deklaroi Pochettino në konferencën për mediat. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

